Nga Mero Baze
Ndryshe nga shumë vetë që mendojnë se Piramida nuk ka lidhje me komunizmin, unë mendoj që ka, dhe është bile një simbol i diktatorit. Po ashtu jam shumë i qartë se debati i shpikur nga Berisha për prishjen e saj nuk ka lidhje, as me ish- komunizmin e tij, dhe as me anti-komunizmin e tij, por me spontanitetin dhe papërgjegjësinë me të cilat ka bërë gjithë gjërat në këtë vend.
Vështirësia në të cilën kryeministri Berisha është vendosur për të mbrojtur abuzimin me rreth 6 milionë euro lidhur me rikonstruksionin e dështuar të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, e ka detyruar atë të marrë një pozicion qesharak në emër të anti-komunizmit, i cili prek realisht një pjesë të ndjeshme të shoqërisë shqiptare. Pa dashur t’i rikthehem argumenteve që kam dhënë lidhur me abuzimin e administratës së Berishës me 6 milionë dollarë tek e njëjta ndërtesë, duhet realisht të ndriçojmë dhe hipokrizinë anti-komuniste të tij në këtë debat.
Së pari, është e rëndë për Berishën që të bëhet “anti-komunist” me Piramidën 20 vjet pas rënies së komunizmit. Nëse kjo është e vërtetë, i bie që në vitin 2006, kur ai i vuri emrin Qendra Ndërkombëtare “Pjetër Arbnori”, Berisha të ketë dashur të mbrojë simbolet e komunizmit, bile të jetë tallur dhe me kujtimin e ndjerë të Pjetër Arbnorit.
Së dyti, në vitin 2008, kur Berisha vendosi që Piramida të rikonstruktohet dhe të bëhet Teatër Kombëtar dhe ekspozitë artesh pamore, i bie që të ketë qenë nostalgjik i Enver Hoxhës dhe ruajtës fanatik, bile investues tek simboli i diktatorit.
Por, siç e thashë më lart, as në rastin e parë dhe as në rastin e dytë nuk kemi një Berishë komunist dhe natyrisht asnjë Berishë anti-komunist. Kemi një Sali Berishë ashtu siç e ka bërë Zoti, pa vizion, pa projekt, pa perspektivë zhvillimi në mendje dhe natyrisht një urryes të madh të historisë së tij, që e ka të përzierë nga autografet në libra për familjen Hoxha, e deri tek klithma gjoja histerike kundër copave të mermerit që po i vjedhin njerëzit e tij.
Për këtë arsye duhet diskutuar me seriozitet qëndrimi që duhet të mbajmë ndaj diktaturës dhe mbajtja gjallë e kujtimit për krimet e saj. Në 20 vite pluralizëm ne nuk arritëm kurrë të krijonim kulturën e kujtesës për krimet e komunizmit dhe një nga shkaktarët e mëdhenj është Sali Berisha. Në vitin 1995, kur ai krijoi Komisionin e Dënimit të Krimeve dhe Gjenocidit Komunist, ai kishte një rast të artë të prodhonte një institucion të rëndësishëm të kujtesës sonë kombëtare kundër atyre që kishin bërë krime në atë vend. Por, në vend që ta përdorte këtë institucion për të dënuar krimet e komunizmit, ai e keqpërdori deri në banalitet, siç di të keqpërdorë ai krijesat e veta, duke e kompromentuar me një institucion që hartonte lista për kundërshtarët e tij politik.
Edhe pas rikthimit në pushtet në vitin 2005, ai thuajse s’bëri asgjë për të prodhuar një institucion të kujtesës sonë kombëtare për krimet e komunizmit, ligji i tij i përsëritur për dosjet ishte një spekulim i ri politik që shpëtonte shërbëtorët e diktaturës dhe ndëshkonte kundërshtarë të çastit të tij, që kishin të bënin me dosjet e hajdutllëqeve të klientëve dhe miqve të vajzës dhe djalit të tij. Vendimi për të ngritur një institut për të studiuar krimet e komunizmit, është shoqëruar qysh nga përzgjedhja nga banaliteti dhe mediokriteti, dhe mungesa e seriozitetit për t’i mbështetur me fonde. Në këto kushte ne kemi pak shanse, por s’duhet të humbasim shpresën të prodhojmë institucione të kujtesës për krimet e komunizmit.
Duke rënë dakord se Piramida është një simbol i diktatorit, pikërisht për këtë shkak ajo duhet kthyer në simbol të ndëshkimit të krimeve të komunizmit. Nëse Sali Berisha e ka seriozisht se do të ndërtojë një institut serioz për të dënuar krimet e komunizmit, do të ishte mirë që pikërisht në këtë ndërtesë një sipërfaqe e caktuar t’i lihej këtij instituti. Zakonisht krimet mizore të regjimeve diktatoriale në shoqëri kanë simbolet e asaj kohe më cilësore. Piramida jonë është simboli më cilësor që na kujton diktatorin, dhe nëse duhet të zhvillojmë një kulturë të dënimit dhe ndëshkimit të krimeve të komunizmit, nuk mund ta shkatërrojmë kurrë atë. Vetëm komunistët kanë prirje të shkatërrojnë simbolet historike për t’i fshirë ato nga kujtesa.
Vetëm ata që duan të harrojnë krimet e komunizmit, duan të shkatërrohen simbolet që na kujtojnë diktaturën. Njësoj si me kraterin e Gërdecit, ku Berishës i kujtohet gjëma që i biri i tij u bëri atyre njerëzve, ashtu dhe me Piramidën, Berisha do t’i bëjë një nder ish- partisë së tij duke ia pastruar këtij populli nga memoria. Kjo është njësoj sikur hebrenjtë sot, të ngrihen dhe të kërkojnë të shkatërrohet kampi i Aushvicit, pasi aty janë torturuar dhe vrarë mijëra hebrenj. Përkundrazi, ai kamp sot mbijeton si muze fal hebrenjve dhe viktimave të tij. Ai është dëshmi e gjallë e masakrave të fashizmit dhe askush, bile asnjë sekretar partie i kohës së nazizmit nuk ka dalë të thotë se duhet prishur që të harrohet nazizmi.
Teoria e shkatërrimit të historisë për ta harruar atë, është tipike për udhëheqës që luftojnë për shpëlarjen e trurit në këtë vend, më i shquari prej të cilëve ka qenë Enver Hoxha dhe i dyti pa dyshim mbetet Sali Berisha. Për çdo antikomunist në këtë vend, është e domosdoshme të zhvillohet kultura e kujtesës për komunizmin si një regjim gjakatar dhe simboli më i mirë për këtë është Piramida, simboli i madhështisë boshe të historisë së diktatorit. Berisha ndoshta beson ende se “komunizmi do të jetë bota e re”, por në të vërtetë për Shqipërinë anti-komuniste, ajo është një botë e rrëzuar që duhet kujtuar për të mos u përsëritur. Ndaj shkatërrimi i kësaj kujtese, së paku nuk duhet bërë në emër të anti-komunizmit.