Nuk harrohet Enveri në zyrën e Enverit !

0
42


Nga Mero Baze

Kryeministri Sali Berisha po përpiqet të devijojë debatin e hapur nga gazeta TemA dy ditë më parë rreth varrosjes së mbi 5 milionë eurove abuzim me rikonstruksionin e dështuar të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës (Ish- Piramidës), dhe mbi gjysmë milionë euro për projektin, duke provokuar një debat politik dhe urban pro dhe kundër ekzistencës së ndërtesës në qendër të Tiranës. Devijimi i debatit synon të zhurmojë problemin simbol që ka qeverisja e Berishës prej vitit 2005, mungesën e vizionit dhe përgjegjësisë për paratë e qytetarëve dhe më tej akoma rihap debatin mbi retorikën me të cilën ai po përpiqet të fshehë krimet kundër financave publike në vend, herë si patriot e herë si antikomunist.

Le t’ua sqarojmë lexuesve si ka nisur historia e investimit të dështuar tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës. Në vitin 2006 Sali Berisha i kishte shpallur luftë një nga medieve më të fuqishme në vend, në atë kohë kritike me të, Top Channel. Sulmi ndaj saj ishte frontal. Tatimorët u lëshuan mbi të duke i tundur një faturë disa dhjetëra miliona dollarë, ndërsa qeveria mori me urgjencë një vendim për ta zhvendosur nga zyrat e veta tek Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, nën arsyetimin se Qendra Ndërkombëtare e Kulturës do të kthehej në një teatër modern dhe në një galeri artesh pamore.

Për ta bërë më bindëse projektin e saj në të vërtet kundër Top Channel, qeveria pagoi një kompani belge me rreth 500 mijë euro për projektin dhe më pas disa biznesmenë afër qeverisë filluan ndërtimin e teatrit që ka kushtuar rreth 5 milionë euro. E gjitha kjo ka filluar në vitin 2007 dhe është duke vazhduar. Deri tani e vetmja gjë që është bërë, është zhveshja e QNK nga mermeri i shtrenjtë i saj dhe fillimi i veshjes me pllaka majolike nga ato që Berisha nuk pranon t’i vërë as në banjën e tij modeste në shtëpi.

Pyetja e parë që na lind të gjithëve me Sali Berishën është, përse para tri vjetëve ai vendosi të harxhojë 5 milionë euro për të rindërtuar piramidën dhe sot fare papritur u fut vizën rreth 6 milionë eurove dhe thotë do të ndërtojmë një sallë parlamenti?

Përse para dy vjetësh bëri një konkurs ndërkombëtar për të ndërtuar një parlament të ri tek kompleksi ekzistues i ish- Komitetit Qëndror, bëri për këtë dhe tender ndërkombëtar, shpalli dhe një fitues dhe ka anuluar gjithçka në heshtje?

Përse përpara dy vjetësh nuk ishte antikomunist dhe nuk i vriste sytë forma e piramidës dhe sot e përdor këtë si motiv për të fshehur abuzimet e njerëzve të vet me 5 milionë eurot?

Përse zonja Topalli nuk shqetësohet që rri në zyrën e Enver Hoxhës, por shqetësohet për një vepër publike, e cila mbart gjurmët e diktaturës, vetëm si relike në këtë vend?

Përse ka harxhuar sivjet gjatë verës më urgjencë qindra mijëra euro për të rindërtuar sallën e re të parlamentit ekzistues, kur kishte ndërmend të bënte këtë që po bën?

Të gjithë këto pyetje që nuk kanë nevojë për përgjigje, na bindin lehtë se qeverisja aktuale është një rrumpallë, e cila nuk ka asnjë vizion në vendimet që merr, por diktohet nga nevojat e ditës. Në vitin 2006 kishin nevojë të sulmonin Top Channel, dhe kjo luftë u kushtoi shqiptarëve gati 6 milionë euro. Tanimë që Top Channel nuk përbën më problem për Sali Berishën, ndryshohet destinacioni dhe shpallet varrosja e 6 milionë eurove dhe fillimi i ndërtimit të një vepre tjetër, pa i dhënë llogari askujt për ato pare që u shkelën me këmbë.

Kjo mënyrë të sjelluri me paret e qytetarëve, është jo vetëm më harbutja që ndonjë qeveri ka demonstruar në historinë e këtij vendi, por dhe më e liga në raport me detyrimin që qeveria ka për të qenë transparente me qytetarët. Dhe unë mendoj se ky është debati i parë dhe më i rëndësishëm që duhet të dominojë betejën e opinionit publik kundër këtij kryeministri të paparashikueshëm në abuzimet e tij me paret publike.

Problemi i dytë, i atyre që u dhimbset urbanistika e Tiranës, është pastaj një debat tjetër, ku përzihet kultura urbane e kryeqytetit, historia e tij, politika, dhe rregullat e lojës, të vendosura për ta zhvilluar këtë qytet. Nuk kam fuqinë dhe aftësinë e duhur për të qenë protagonist i këtij debati në të cilin kryeministri po kërkon të na fusë, pa na sqaruar më parë kush i vodhi dhe pse i vodhi rreth 6 milion eurot që u hoqën nga xhepat e qytetarëve shqiptarë vetëm për një tekë të tij kundër një ish- medie kritike me të. Ky është rasti më ilustrues ku shfaqet spontaniteti dhe paparashikueshmëria në mënyrën se si qeveris vendin Sali Berisha. Është i ngjashëm si me rastin e planit të miratuar prej tij për ndërtimet tek Liqeni Artificial, ku njeriu kryesor është Bashkim Ulaj, në pallatin e të cilit Sali Berisha ka tri apartamente dhe dhjetëra histori të deleguara biznesi. I vetmi zyrtar i këtij vendi që ka miratuar një plan për kulla 35 katëshe tek Liqeni, është Sali Berisha.

Ai është deri më tani arkitekti i këtij projekti, i pakundërshtuar nga Edi Rama. Berisha shpresoi se do ta dominonte këtë projekt me sekserin e familjes dhe djalin e tij, që përmes hipotekës tentoi të frikësonte banorët që të lidhnin kontratë me njerëzit që rekomandonte ai. Pati njerëz që bënë burg pasi kanë takuar një ditë më parë të birin e tij dhe kanë deleguar kontratat nga burgu për njerëzit e Berishës. Por tashmë që mesa duket Familja është shpërndarë në shumë biznese, i njëjti njeri dhe i vetmi që ka miratuar këtë plan, pra vetë Sali Berisha, pa kërkuar falje para askujt, për atë që ka bërë, del e thotë që s’do lejojmë të ndërtohet atje ku në të vërtetë do të ndërtonte vetë ai.

Dhe si për t’i vënë kapakun gjithë kësaj historie, kemi një mungesë të thellë respekti të qeverisë qendrore për mënyrën se si duhet të zhvillohet kryeqyteti dhe si duhet të qeveriset ai. Ky kryeqytet ka një plan urbanistik për Qendrën të miratuar dhe pranuar, ka një plan për Tiranën, ka një plan për Sheshin Skënderbej, por ajo që bëhet ligj, është një dëshirë idiote e një gruaje që përkëdhel veten në zyrën e Enver Hoxhës në ish- Godinën e Komitetit Qendror dhe drejton gishtin në ndërtesën përballë saj për të imituar arrogancën e Enver Hoxhës me këtë qytet. Ky është i vetmi kujtim i gjallë i Enver Hoxhës që duhet shembur në këtë qytet dhe ky kujtim nuk mbartet tek mermeri tashmë i vjedhur i ish- Piramidës, por tek mentaliteti i hijeve që sillen në ish zyrën e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut dhe ëndërrojnë të bëhen si ata. Nuk harrohet Enver Hoxha duke ëndërruar të sillesh si ai, në ish- zyrën e tij.