Grabitja e vonuar

1
35

Analiza Nga ANILA BASHA, 31 Gusht 2013

Sali Berishës do t’i ketë shkuar në mend që të kryejë të fundit grabitje të një prone, në qendër të Tiranës, objekt shtetëror por truall me pronësi private, siç raportohet më së fundi nga pronarët që kanë ardhur enkas nga SHBA, të alarmuar.

Ma merr mendja se doktori para se të shkojë në pushimet e nxehta familjare, me një varg problemesh personale e politike, ka gjetur zgjidhjen që gjithmonë e gjen, për të hapur një front të gjerë debatesh e diskutimesh mediatike: SHQUP. Edhe vetë ambasadori amerikan u bë pjesë e zhvillimeve dhe debateve për godinën e re të PD me takimin e zhvilluar në selinë e re ditën e djeshme.

Kemi gjithë këto ditë që merremi me fenomenin e grabitjes së SHQUP nën dritën e diellit me vendim qeverie, por nuk është ky problemi më madhor. Alarmi se arka e shtetit është boshatisur, se sfida e qeverisë së re të Edi Ramës do të jetë gjetja e lekëve për pagesa rrogash e pensionesh, duhet të jetë kryefjala. Madje, pse jo, edhe investigimi. Çfarë fsheh kjo qeveri në ikje me deklaratat e saj “gjoja” publike, në emër të transparencës, por që vetëm transparencë nuk është???

Se bie fjala, kemi kaq ditë që interesohemi për të gjetur se kush janë subjektet që janë gjobitur nga Drejtoria e Kalibrimit, sipas deklaratave në konferencë për shtyp të vetë drejtores së institucionit. Askush nuk flet. Askush nuk jep përgjigje, për të informuar qytetarët se në “x” biznes bëhen abuzime me peshoret e kalibrimit. Jepet vetëm numri i subjekteve, masa e gjobës, por emrat nuk deklarohen. Mos vallë zyrtarët që po lënë detyrat (u kanë mbetur vetëm 10 ditë kohë) duan që këto gjoba t’i fshijnë nëpërmjet të tjerave gjoba që ua ngarkojnë bizneseve për të thënë se “drejtori ma hoqi gjobën”?

E njëjta gjë ndodhi me Autoritetin e Konkurrencës. Merren masa ndaj subjekteve, por nuk ka një listë të plotë të subjekteve të penalizuara. Që do të thotë, kushdo nga burokratët e vegjël të administratës, do të shfrytëzojë 10 ditët e fundit deri në marrjen e qeverisë nga maxhoranca e re, për të “gjetur një zgjidhje të hajrit”.

A thua se ndryshon situata te tatimet…E njëjta gjë. Taksidarët kanë dalë në terren, duke prerë fleta gjobash pa adresë, duke u sjellë si arrogantë pa kërkuar dokumentacion, e duke i futur bizneset në procedura apelimesh e gjyqesh, procedura, që do të vazhdojnë edhe në shtator.

Këto dhe shumë të tjera, janë grabitjet e fundit që po ndodhin. Por që ne nuk kemi asnjë mundësi t’i investigojmë. Çdo derë institucioni të përplaset në fytyrë kur kërkon më shumë se deklarata zyrtare, e burokratët, ata që kërkojnë të gjejnë miqtë e të nesërmes, përpiqen të ngrohin xhepat me shpresën se me këto para do të blejnë nesër pozicionin që gëzojnë aktualisht.

SHQUP-i, ishte vetëm preteksti i madh i një oqeani të gjerë abuzimesh të vogla që raportohen ditë pas dite, në çdo sektor dhe në çdo shërbim të jetës në vend. SHQUP është “Shqiponja” e fundit që do të marrë në dorëzim Partia Demokratike. Dhe që, sipas gjithë gjasave, nuk do ta gëzojë dot pas deklaratave që ka bërë ministrja e re dhe sharmante e Mbrojtjes.

Nëse Berisha do ta kishte seriozisht grabitjen e SHQUP, do ta kishte kryer me kohë këtë veprim. Duhet të kishte menduar prej kohësh të instalohej aty, në mënyrë që askush mos ta nxirrte dot jashtë. Psh, para pesë vitesh. Sikur disa fushata zgjedhore të PD, të ishin bërë nga selia e SHQUP, nuk do të mundej dot asnjë institucion të nxirrte një urdhër ndryshe për të anuluar të parin. Tani, është shumë vonë. Eshtë një grabitje e vonuar. Një grabitje sa për sy e faqe për të tërhequr vëmendjen nga grabitjet e vogla poshtë e përpjetë që shqetësojnë qytetarët.

Nuk duhet të shqetësohemi për të. Por më shumë për transparencën e munguar. Hapja e letrave dhe nxjerrja në shesh e abuzimeve të mëdha të zyrtarëve të vegjël, ata të cilët rëndojnë te qytetarët e zakonshëm, do të duhet të jetë prioritet i qeverisë së re. Gjithçka po kryhet para syve tanë. Thjesht duhet të tregohemi të vëmendshëm, për të parë se si do të reagojë administrata e re që pritet të marrë detyrat në 9 shtator.

Shkrimi u botua sot në Gazetën Shqiptarja.com (print) 31.08.2013

1 COMMENT

  1. E nderuar Znj. Basha,
    Ne publikimin tuaj jeni teresisht e gabuar ne lidhje me Autoritetin e Konkurrences, fakt i cili iu deformon standartin qe une kam menduar se keni si gazetare. Me konkretisht e kam fjalen per emrat e ndermarrjeve qe gjobiten nga Autoriteti i Kokurrences, ne ASNJE RAST nuk jane mbajtur te fshete apo te papublikuara. Per te vertetuar kete pretendim mjafton nje klikim ne http://www.caa.gov.al, ne rubriken vendime dhe do te keni te gjtha vendimet me te gjithe informacionin e plote dhe analizat, pra edhe firmat me emra dhe masen e gjobes.
    Kjo rubrikë quhet “Fjala e Lire’ por per hir te se vertes, aq me teper jo te sakte nga ana juaj, do te kerkoja pergenjeshtrimin e pohimit jo te vertet mbi Autoritetin e Konkurrences, kuptohet nese ju bindeni per kete fakt te pretenduar nga AK.
    me respekt
    prof. Lindita Lati

Comments are closed.