Shekulli, 19.08.2012
Ledian Selimaj është nëpunësi më i ri i kompanisë daneze ndërkombëtare të naftës dhe gazit Maersk Oil në Kopenhagen, Danimakë. Siç mund ta kuptoni nga emri, Lediani është shqiptar. Djaloshi i “Ismail Qemalit” Jeton në Danimarkë që kur fitoi 4 vjet më parë të drejtën (me bursë të plotë) për të studiuar në Universitetin e Inxhinierisë të Kopenhagenit. Asokohe sapo kishte mbaruar me mesatare 9.9 gjimnazin “Ismail Qemali” në Tiranë dhe ishte i katërti në listën e fituesve për Inxhineri Ndërtimi në rang kombëtar. Por donte të vijonte jashtë Shqipërisë. Aplikoi në disa universitete nëpër botë dhe u pranua me bursë të plotë në IHK në Kopenhagen.
Në Siemens pas diplomimit Kur e pyet sot për përvojën daneze universitare thotë: “Mënyra e mësimit është “mëso duke bërë”. Bënim shumë projekte praktike, klasat ishin të vogla dhe profesorët ishin kurdoherë të gatshëm të të ndihmonin”. Edhe në universitetin danez, Lediani shkëlqeu. Ai u zgjodh nga shkolla që të thellonte dijet në një program studentor shkëmbimi në Boston, SHBA, në Universitetin Politeknik të Uorçesterit. Në 2012, menjëherë pas diplomimit Lediani përfshihet në një projekt nga kompania Siemens.
“U nevojitej ekspertizë në fushën e programimit. Krijuam disa sisteme të dhënash që thjeshtëzonin aksesin nga inxhinierët e interesuar. Projekti u krye duke bashkëpunuar më një numër të madh ekspertësh. Në 1 Mars 2012, revista e brendshme mujore “Siemens Wind Power” botoi një artikull për këtë projekt” – na tregon Lediani Të nxënët nuk mbaron kurrë Por megjithë punësimin në moshë fare të re ai nuk e quan të mbaruar ciklin e tij të studimeve.
Këtë vit, Lediani aplikoi për master në modelim matematikor programacion në DTU (Universitetin Teknik të Danimarkës) dhe arriti të fitonte sërish një bursë studimi të plotë. Duhet vënë në dukje se shumë pak studentë nga vende jashtë BE-së mund ta marrin këtë bursë. Por rezultatet akademike dhe referencat e ndihmuan inxhinierin e ri shqiptar. Pranimi në sektorin e naftës në kompaninë Maersk Oil ka edhe një rekord më vete: ai është nëpunësi më i ri në moshë i punësuar në gjigantin danez ndërkombetar të naftës dhe gazit.
Çdo ditë me biçikletë në punë E mendoni Ledianin si një inxhinier të zhytur ditë-natë mes kompjuterit dhe librave me formula? Gabim! Një nga pasionet e të riut shqiptar është çiklizmi. “Danezët janë një popull i çmendur pas biçikletës dhe kjo përkoi me hobin tim” – thotë Lediani. Ai shkon në punë me biçikletë dhe po me biçikletë lëviz brenda Kopenhagenit. Një mesazh bashkëmoshatarëve që mund të lexojnë historinë e tij? “Ngrejini sytë dhe shikoni të përqëndruar botën jashtë vetes. Mbi të gjitha kuptojeni atë”.







