E ka ndarë mendjen

0
58

Nga Dritan Hila, 19 Gusht 2012

Nuk është idiot, kur thotë që Edi Rama dhe Kreshnik Spahiu kanë intreresa personale në hapësirën detare që po rinegociohet nga qeveria e tij. Në fakt vetëm një idiot mund ta thotë, apo një i vonuar mendor mund ta besojë këtë deklarim. Por Sali Berisha është i djallëzuar dhe i lig, por jo i çmëndur. Ka qëllim që të spostojë vëmëndjen e publikut nga një çështje madhore si ajo e kufijve detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë, në një konflikt ordiner me udhëheqësit e Partisë Socialiste dhe Aleancës Kuq e Zi. Dhe në këtë mënyrë arrin të banalizojë një çështje jetike për fatet e kombit.

Sulmon kundërshtarët e sotëm dhe ndërkohë ju heq baltën plehrave që historia i varrosi. E gjithë fushata e tij për rehabilitimin e figurave të diskretituara me tradhëti ndaj vëndit, ka si qëllim të zbehë figurat e ndritura. Kërkon ti barazojë vlerat e atyre që dhanë për vëndin me ata që e përdorën si plaçkë tregu, dhe në mes tyre, të zerë vënd edhe ai. Shikojeni se çfarë bën në njëqind vjetorin e pavarësisë. Asnjë monument, asnjë përkujtimore, asgjë që të kujtohet kjo datë, nuk po ngre. Nuk është harresë. Është me qëllim që këtij vëndi, kështu siç e njohim, mos ti mbahet mënd ditëlindja e rëndësishme.

Shemb e shet monumentet që kujtojnë pavarësinë apo rrugën që çuan në të, pastaj nxjerr Baçet e tij plaka, të thonë që sa u prish, nuk kishte rëndësi. Sepse në mëndjen e tij e ka ndarë mëndjen që nuk do ta lerë ashtu siç e mori. Do ta shesë ose këmbejë. I fryn mbi rrogoz dhe nën rrogoz ndarjes Jug – Veri, për të kompaktësuar gjithë ata që i shkojnë pas, siç banditët i venë kapobandës. I ka bërë pas vetes dhe u jep të kuptojnë se sido që të shkojnë fatet e atdheut të madh që i thonë Shqipëri, fshati i tyre, a limeri, ku do hanë paratë e vjedhura, do jetë gjithmonë i sigurtë me atë në krye kapobandë.

Vdes jugun e vëndit me mungesë rrugësh dhe investimesh, për t’ia nxjerrë nga zemra njerëzve këtë Shqipëri siç e njohim sot. E bën që të marrë hak për zbythjen që i bënë më ’97, dhe për ta ngushtuar mbretërinë e tij në ato pesë fshatra ku ia dëgjojnë imzanë dhe do grumbullojë horrat që janë gati të vdesin për të. Nuk i plas fare për Esat Pashën dhe Ahmet Zogun. E bën thjesht që pisllëku i tij të duket më i vogël. Sepse kushdo që ka sunduar këtë qoshe të Ballkanit, sado i zi që ka qënë, ka bërë diçka të mirë, ndërsa këtij nuk do ti mbahet mënd asgjë. E ka ndarë mëndjen të bëjë proçkën si askush më parë.

Do t’i dhurojë sipërfaqen detare Greqisë, pikërisht zonën nga do kalojë gazësjellësi “South stream”; ku nga pikëpamja gjeostrategjike Shqipëria kontrollon Otranton, dhe mendohet të ketë rezerva të mëdha hidrokarburesh. E bën për të siguruar karrigen e tij të qelbur; që rraca e tij të mbretërojë qoftë edhe në një shami tokë. E bën se është frikacak dhe i pështirë në ballafaqimet e tij me botën, grekët në krye. Të vetmin që vret, poshtëron e shet janë shqiptarët. Me të tjerët rri si qen i rrahur. Është aq trim, sa edhe një shtet me brekë nëpër këmbë si Greqia, e bën ti dridhen gjunjët.

Ringjallja e lobeve greke së fundmi, dhe fushata e tij për përçarjen e vëndit, është e frikshme për fatet e tërësisë teritoriale të vëndit. Kur Berishën e zunë me presh në dorë duke falur sipërfaqen e vëndit, nxorri gjithë zgjyrat e tij që e kishin negociuar paktin, që ta mbronin. Kur nuk ja dolën, i shau denoncuesit e krimit si “sharlatanë”. E kush? Ai që është ekzempari i gënjeshtrës, mashtrimit dhe amatorizmit në çdo gjë që thotë e bën! Pas kësaj hapi fjalë poshtë e lart se gjithë sa bëri Gjykata Kushtetuese, ishte një rreng i tij, për të marrë miratimin e grekëve për futjen në NATO. Tani po ja shtrëngojnë rrypat të lëpijë atë që pështyu.

Berisha është i trëmbur për vdekje. Qeverisja kriminale dhe papërgjegjshme e vëndit, e ka bërë të pashpresë për një fitore të ndershme në zgjedhje. Frika për pasardhësit e tij biologjikë është më ankthuese se kurrë. Janë shumë të pa aftë dhe të përlyer që të harrohen bëmat. I duhet fitorja me çdo çmim, por nuk mund ta marrë në rrugë të ndershme. Ndaj duhet të manipulojë. Është gati të paguajë çdo çmim, përfshirë ndarjen e vëndit. Indiferenca e Athinës dhe ndihma e qarqeve Vorio – Epirote do i duhet që të mbrohet nga sulmet e botës. Të paktën mos ndikojnë që ta përmbysin edhe njëherë, siç në mëndjen e tij është fiksuar. Dhe për këtë është gati të japë gjithçka.

Mendon se ky vënd paskësh qënë krijuar me gjak nga të tjerët, që xhinsi i tij ta vidhte, rripte për së gjalli dhe në fund atë që do mbesi ta shesë. Kush i del kundër në këtë synim ogurzi, e shan me fjalorin e tij të përdalë prej shërbëtori plak të shumë zotërinjve. Bën të pamundurën që kundërshtarët t’i përdhosë e t’i bëjë të ngjajnë si vetja. Nxjerr në sulm gjithë zagarët që ka në shërbim, të ndyjnë gjithçka të mirë ka ky vënd. I cyt të përbaltin e kafshojnë ata shqiptarë që mbrojnë vëndin e tyre. Kur nuk ja dalin, hidhet vetë në sulm. Dhe shpreson t’ia dalë në qëllimin e tij të zi. Se beson që ylli i tij i lig, do ta mbrojë edhe këtë herë. Por deri këtu, jo! E ka të kotë që mban shpresë.