Dy poezi nga Vaso Papaj

0
56

Pershendetje nga Durresi, Vaso Papaj

Rozafa

Qesh kërthi i vogël,
kur për ty më folën
dhe ca pika loti
nga gjoksi më dolën.

Ndaj kur u përpoqën
të më prishnin jetën,
nga muret e tua
njoha të vërtetën.

Donin të ma bënin
ditën të vështirë,
si muret e tua
që binin pagdhirë.

Ti m’u gjende pranë
dhe më dhe motivin.
Duhej sakrificë,
që në këmb’ të rrinin.

Natën llaç e tulla,
me mundime ngrija.
Ditën rrafsh të gjitha,
m’i bënte stuhia.

Historia jote
më thoshte përhera,
në themele qumështi,
ujitej pranvera.

Ujitej e mira,
pikë–pikë çdo ditë.
Ndonëse ligësia,
te ne u bë mit.

Por unë si modele
kisha ty, moj nuse,
që dhe në themele
rritje vogëlushe…

Prandaj dhe në vite
s’pata motiv tjetër:
Flijimin ma ngjite
ti mikesh’ e vjetër…

Jam lakuriq

E hodha pelerinën
qendisur me thërmiza pushteti.
E hodha te kazani i plehrave
dhe urova,
mos ta ketë gjetur askush.
S’ më kish ngrohur kurrë.
I ndarë nga njerëzit me mur,
vetja më dukej në qivur.
S’e di, nëse shpëtova shpirtin!…
S’e di, nëse fitova qetësinë!…
Miq!
Tani jam lakuriq.
Thërmizat e pushtetit
kanë zënë vendin e yjeve
në qiellin-pelerinë të kësaj nate acar.
Mijëra,… miliona… (pakëmbë e pakrye)
Kupa e qiellit rëndon si një e vrarë.
Terr…
Terr që frymën ma merr…