Kapela e Enverit

0
57

Armir Shkurti

Si tip humori a tallje në kohën tonë tregonin se Enveri hodhi kapelën në një fushë dhe aty ku ra kapela udhëheqësi këmbënguli se ka naftë. Po s’pati naftë, ka grup armiqësor – thuhej se shpalli diktatori. Jo larg flurudhës së kësaj kapele ndodhet vendimi për tjetërsimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ose, siç njihet ndryshe, Piramidës. Kryetari i partisë në pushtet, njëkohësisht njeriu që drejton dhe kontrollon pothuaj gjithë pushtetet e vendit flet në sallën e Kuvendit, para grupit të deputetëve të tij, se AI mendon se vendi më i mirë për të ndërtuar sallën e re të Parlamentit është këtu, ku “ka hedhur kapelën” AI.

Formalisht ky qe propozimi i tre deputetëve (që nuk janë as arkitektë, as urbanistë), ndërsa e gjithë procedura ka ardhur shumë çuditshëm. “Propozimi” i ka ngjitur Kryetares së Kuvendit, e cila na e shtron si një dhuratë e madhe që po u bëhet shqiptarëve në jubile të pavarësisë. Sa hap e mbyll sytë nga propozim bëhet ligj (se e voton Kuvendi) dhe vulën ia vendos Kryeministri që na rrëfen se jo vetëm i pëlqen shumë si vend, por prishja e piramidës do të shërbejë për të shlyer kujtimin e Enverit (!). Duket se jemi kthyer njëzet vjet para, te terapia e shokut, ku u shkatërruan të gjitha që ndërtoi socializmi. Për hir të së vërtetës, Piramida nuk di të përmbajë ndonjë vlerë malli për pasuesit e Enver Hoxhës.

Ajo shërbeu shumë pak kohë si muze, ndërkohë që godina ku punon sot Kryetarja e Kuvendit ka shërbyer për dekada si selia e diktatorit, simbol i diktaturës dhe komunizmit në Shqipëri. Meqë Kryeministri nuk e ka për gjë të lundrojë në ujërat e shpirtit dhe mendjes duke përcaktuar ç’shkakton mall e mallëngjim, po guxoj edhe unë të them se për 45 vjet me radhë ndërtesat përgjatë shëtitores “Dëshmorët e Kombit” u përdorën nga diktatura, pavarësisht se u ndërtuan nga monarkia, me projekt italian. Madje fashist, pasi shëtitorja bashkë me stadiumin “Qemal Stafa”, formojnë sëpatën e liktorit. Nuk iu çuan etërit e dëshmorëve Enverit e t’i qahen se ministritë u kujtonin fashistët që u vranë djemtë e prandaj të shembeshin.

Në Universitetin e Tiranës studiuan edhe bijtë e partizanëve të torturuar nga gestapo, pa brengën se në bodrumet e asaj ndërtese gestapo u torturoi baballarët. Nuk kërkuan ish-kooperativistët tanë të shembet ndërtesa e Këshillit të Ministrave nga e cila doli vendimi për tufëzimin ekstrem të tokës dhe gjësë së gjallë. Nuk bëri pallat në Versajë republika franceze, megjithëse ai vend të kujtonte dhe të kujton mbretërinë franceze. Në pallate qindravjeçare mbretërish, feudalësh, intrigantësh e luftëtarësh ndodhen sot selitë e institucioneve më të larta të shtetit italian, pa drojën se mos ngashërehen nostalgjikët.

Kthehemi te “kapela”. Nuk është problem ç’do të bëhet me Piramidën, por se SI po bëhet. Hajt ta bëjmë teatër, bibliotekë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me kulturën – tha para ca vitesh Berisha, duke pezmatuar të parët artistët. Aktorët e regjisorët u përgjigjën se ajo sallë nuk ka fare kushte për t’u bërë teatër. Po kë paskësh pyetur atëherë Kryeministri kur hodhi “kapelën” kur vetë të interesuarve as që u ka marrë dorën për këtë punë? Unë nuk e di, por di që për këtë punë u dhanë ca miliona euro, të cilat do të shkojnë për dhjamë qeni se “kapela” ka rënë tani për sallë Parlamenti. As në këtë rast Kryeministri nuk na tha se kë pyeti dhe kush i tha se është mirë Kuvendi aty.

Sa për sy e faqe mund të shprehej se “pasi morëm edhe mendimin e specialistëve…”, apo të paktën (siç kujtojmë nga shoku Enver) “kështu ka vendosur partia”. Por prepotenca e sotme i ka kaluar edhe këto caqe hipokrizie dhe na shfaqet me brutalitetin “mua më duket vendi më i përshtatshëm”. Po shtoj këtu edhe një deklaratë të para ca ditëve të zonjës Topalli në “Opinionin” e Fevziut e cila shprehimisht tha “shteti është pronar”. Këtu humbet kuptimi i gjithë asaj që pretendojmë se po ndërtojmë në dy dekadat e fundit, pra demokracisë. Meqë ende mbetet një pjesë e asaj që besuam se fituam me rënien e Enverit, liria e fjalës, po rrekem ta përdor, për aq sa do ta kem.

Nëse do ta hidhja unë kapelën, për ndërtesën e Parlamentit të ri shqiptar, këtë do ta bëja në Bathore për shembull, me qëllimin e lartë që të paktën në njëqind vjetorin e pavarësisë në këtë kënd të kryeqytetit të kishim të parën ndërtesë me letra në rregull nga themelet në kulm. Në mos aty, ka plot cepa e kënde të tjera kryeqyteti ku do të mirëpritej një institucion i tillë. Boll të mbështjella rreth bulevardit i kemi institucionet shtetërore. Në më pak se një kilometër ndodhet Presidenca, Këshilli i Ministrave, kryesia e Kuvendit, Gjykata e Lartë, katër ministri, bashkia, banka e shtetit… Një garnizon ushtarak ku jeshilojnë uniformat e Gardës që nga Presidenca, Pallati i Kongreseve (ku ndodhet KQZ) deri poshtë te Ministria e Mbrojtjes.

Tani do na shtohen edhe ata të Kuvendit të ri…. Kjo po që të kujton Enverin! Ai vuante nga mania për të përqendruar gjithçka. Ai ndërtoi një Shqipëri koncentrike, Tiranë koncentrike dhe pushtet të përqendruar, pushtet që nuk resht së ma kujtuari periodikisht ky që kemi në këtë tranzicion. Në këtë prepotencë ku ka arritur pushteti i sotëm nuk do të qe keq që piramida e tanishme të shembet patjetër, ama në themelet e saj të ndërtohet një shumë më e madhe, shumë më e lartë, në majë të së cilës të jetë zyra e udhëheqësit e në katet e mëposhtme të përmblidhen gjithë institucionet e tjera, që nga Këshilli i Ministrave, ministritë, si dhe Kuvendi, meqë na duhet për njëqindvjetor!