Nga Mero Baze, 18 Gusht 2012
Debati rreth emërimit të një besniku të Berishës, në krye të Shërbimit Informativ, sjell herë pas herë në kujtesë SHIK-un e para vitit 1997 dhe përfshirjen e tij në politikë. Ngjashmërinë me atë kohë e sjell biografia e kryetarit të ri të SHISH, fakti që Berisha është sërish në pushtet dhe mënyra se si Berisha i përdor personalisht institucionet në Shqipëri. Të gjitha këto janë arsye parimore që të japin të drejtë të besosh se kemi një kthim të fortë mbrapa.
Por, nëse e shikon me gjakftohtësi problemin, kontrolli i SHISH prej Berishës në këto momente, më shumë se sa për opozitën, sjell probleme për faktorin ndërkombëtar dhe për vet shumicën në pushtet. Nga mënyra se si ka evoluar opozita dhe liria politike në Shqipëri, SHISH, ka fare pak mundësi të frikësojë opozitën apo të bëj atë që ka bërë para vitit 1997, kur u përzie në debatin e brendshëm në Partinë Socialiste.
Në atë kohë ai përdori elementë të rëndësishëm të Partisë Socialiste, të cilëve u vuri në dispozicion gjithë shtetin për të eliminuar Fatos Nanon nga kreu i partisë. Sot, një skemë e tillë është shumë larg realitetit. Edhe pse brenda Partisë Socialiste ka plot njerëz që bashkëpunojnë me Berishën kundër Ramës, ata nuk janë zëra të besueshëm dhe nuk përbëjnë problem për luftën politike brenda Partisë Socialiste. Më i flakti prej tyre, Arben Malaj, maksimumi që kërkon, është dialog me Bujar Nishanin, dhe atë, më shumë se kanë gratë shoqe, se sa që ja kërkon Berisha.
Në këtë aspekt, SHISH është problem së pari për faktorin ndërkombëtar, që kishte ndërtuar punën në privatësi të fortë me ish drejtuesit e SHISH. Në këtë pikë, problemi i parë i lind SHBA-së, e cila duhet të tregojë kujdes të mos humbasë terrenin që ka fituar në SHISH pas vitit 1997, sidomos në sektorin e luftës kundër terrorizimit.
Edhe pse është e sigurt që Ajazi do të bëj kryeservilin ndaj tyre, pa u cenuar asgjë, është problem sa ata do t’i besojnë Ajazit informacionin e tyre dhe sa do ta vështirësojë kjo gjë efiçencën e punës së tyre në Shqipëri. Të njëjtin problem në zinxhir do të kenë dhe vende të tjera anëtare të NATO-s, të cilat do të kenë nevojë për kohë që të fitojnë besimin e kreut të ri të SHISH, për shumë çështje delikate të informacionit të klasifikuar mes tyre.
Por, problemin më serioz me SHISH ka për ta pasur shumica. Sali Berisha ka vendosur një njeri besnik të tij në krye të SHISH, për të rritur autoritetin dhe për të forcuar kontrollin mbi ministrat dhe aleatët e vet në qeveri. Ideja që Berisha është tani një “Big Brother” i madh që shikon këdo brenda Familjes, ka rritur ndejshëm frikën në PD dhe sidomos tek ministra apo aleatë të cilët tentojnë të bëjnë planet e tyre edhe pa Berishën në pushtet.
Shumë ministra të përfolur për korrupsion dhe sidomos ata që menaxhojnë miliarda të buxhetit, tashmë kanë një paranojë më shumë se AI shikon gjithçka. Partnerët e Ilir Metës në koalicion, të cilët kanë qene për tre vjet objekt i gjuetisë antikorrupsion, do të duhet të rruhen dhe më shumë tani që një njeri i besuar i Berishës është duke i përgjuar zyrtarisht.
Visho Ajazi është atje për të bërë më të sigurt pushtetin e Berishës, dhe për këtë, kontrolli i çdo qelize të pushtetit është jetik.
Përfytyroni që qeveria i ka borxh biznesit 800 milionë euro. Përfytyroni një ministër, fjala vjen Sokoll Olldashin, që u ka borxh 200 milionë prej këtyre ndërtuesve të rrugës. Secili prej tyre vetëm nga shpresa se mund t’i marrë lekët, është gati të të falë 20 apo 30 për qind, si falnin kreditorët e dikurshëm tek Sudja apo Gjallica, nëse dikush ua jepte lekët e tyre që kishin investuar aty. Përfytyroni në dorën e Genc Rulit miliona euro për kompesim të fermerëve, dhe t’i japë ato pa mbajtur 10 apo 20 për qind. Përfytyroni Haxhinaston që firmos koncesione apo privatizime, sa për qind mund t’u kërkojë kandidatëve. Të gjitha këto para në dispozicion të pushtetit, tashmë kanë një sy më shumë qe i përgjon jo për interes të shtetit, por për interes të pushtetit të Sali Berishës.
Kushdo që e ka dëgjuar Genc Pollon se si lavdëron Visho Ajazin dhe si i jep të drejtë qeverisë të përdor SHISH, e kupton sa në siklet është se mos SHISH hap dosjet e vjetra, kur ai bashkëpunonte me qeveritë socialiste kundër Berishës, me financim nga pushteti.
Kushdo që e shikon si hesht Ilir Meta, e kupton se është duke kërkuar një pakt të ri me Berishën, për ta vrarë frikën nga ky emërim. Kushdo që shikon se sa joentuaziast duken pushtetarët e PD-së që në krye të SHISH, ka shkuar dikush që ata s’kanë akses, e kupton se ky emërim ka prodhuar më shumë probleme për pushtetin, se sa për opozitën.
Ajo për të cilën opozita ka të drejtë të protestojë në këtë rast, është se ky emërim konsolidon pushtetin personal ët Berishës, dhe kjo është në dëm të gjithë shoqërisë dhe standardeve demokratike të saj. Por, Berisha e rrëmbeu SHISH, jo aq për të frikësuar opozitën, se sa për të qetësuar veten dhe për të forcuar pushtetin rrotull tij.







