Klosi e Gjoni: Berisha mund të bëjë gjëra të tmerrshme me Visho Likën. Shehu: Lika, zyrtar dinjitoz

0
60

TemA Online, 18 Gusht 2012

Vendimi i Presidentit shqiptar Bujar Nishani për të shkarkuar kreun e shërbimeve informativë e për të emëruar zëvendës/ministrin e Novacionit, Visho Ajazi Lika në funksion, po kritikohet si një zaptim i institucionit të shërbimit të fshehtë.

Sipas mediave shqiptare, Bahri Shaqiri mësoi për shkarkimin e tij të 9 gushtit si kreu i Shërbimit të Informacionit Shtetëror (SHISH) shqiptar nga lajmet e radios ndërsa ishte me pushime.

Kryeministri Sali Berisha e propozoi Likën për funksionin e Nishani e miratoi pa një debat publik.

Në të kaluarën, Berisha kishte akuzuar Shaqirin për bashkëpunim me socialistët, duke e identifikuar atë si një nga organizatorët e përpjekjes për rrëzimin e qeverisë vitin e kaluar. Në fillim të 2011-tës, katër protestues u vranë nga garda e republikës në një demonstrim të dhunshëm përpara zyrës së kryeministrit.

Lika mbajti funksionin e drejtorit të shërbimit informativ të jashtëm mes 1994-trës e 1997-tës, kur Partia Socialiste akuzoi Berishën për dhunë, spiunim e mashtrim zgjedhor.

Ilir Gjoni, zëvendës/kryetar i komitetit parlamentar të sigurisë kombëtare e anëtar socialist i parlamentit, tha se ishte i shqetësuar se Berisha mund të keqpërdorte përsëri SHISH-in për manipulim votash.

“Një vit përpara zgjedhjeve parlamentare të 2013, Berisha ka nevojë për një dordolec si ai [Lika]. Gjithçka që po ndodh sot ka ndodhur tashmë mes 1992-shit e 1997-tës. Me këtë shkarkim të turpshme të kreut të SHISH-it, Berisha e Nishani po dërgojnë një mesazh ogurzi për vendin,” tha Gjoni për SETimes .

Ish-kreu i SHISH-it Fatos Klosi ndan të njëjtat shqetësime. “Berisha u përpoq të kontrollojë SHISH-in shtatë vjet më parë, por e arriti këtë vetëm tani … Berisha dëshiron që të ketë njeriun e tij në SHISH e së bashku, mendoj, do të bëjnë gjëra të tmerrshme. Duhet të jemi të shqetësuar”.

Qeveria shqiptare megjithatë, e afirmoi kreun e ri të SHISH-it. “Ky emërim u bë në përputhje të plotë me kushtetutën e ligjet e vendit,” tha Majlinda Bregu, zëdhënëse e qeverisë e ministre e integrimit.

Lika, që më parë punoi si një diplomat, mori lavdërime nga Tritan Shehu, ish-ministër i punëve të jashtme.

“E njoh si një zyrtar që punon me saktësi e kryen detyrën e tij me dinjitet e profesionalizëm. Si një zyrtar ai respekton procedurat ligjore,” tha Shehu për SETimes .