REAGIM/ Gazeta TemA dhe policia politike e Sali Berishës

0
79

TemA Online, 17 Gusht 2012

Redaksia e gazetës TemA

Gazetari dhe komentatori i njohur i gazetës TemA, Bledi Mane, është fyer dhe kërcënuar publikisht në qytetin tij në Përmet, nga Komisari i Policisë së qytetit, Mit’hat Havari. Siç ka raportuar vetë gazetari, por dhe dëshmitarë në vendngjarje, Havari ka sulmuar gazetarin, ndërkohë që në qytet zhvillohej një aktivitet kulturor, ideuar dhe drejtuar nga gazetari Bledi Mane. Gjuha dhe fjalori fyes ndaj gazetarit, dhe referencat tek shkrimet e tij kritike për qeverinë, përbëjnë një shqetësim serioz të politizimit ekstrem të policisë shqiptare kundër lirisë së fjalës dhe një standard primitiv për qeverinë shqiptare, e cila synon të bëjë vendin kandidat për anëtare në Bashkimin Evropian.

Komisari Mit’hat Havari, një figurë groteske e policisë shqiptare, i liruar dy herë nga detyra për tejkalim të ligjit, arrogancë dhe paaftësi, është rikthyer në moshën e pleqërisë në polici, për shkak të shërbimeve antiopozitare ndaj qeverisë. Për shkak të përdorimit të tij kundër liderit të opozitës Edi Rama, qeveria e riktheu atë në polici, duke e çuar Komisar në qytetin jugor të Përmetit, 230 km larg Tiranës.

Zoti Havari ndoshta mendon se rruga e karrierës së tij mund të bëhet më e lehtë nëse sulmon gazetarët kritik me qeverinë në Përmet apo kudo gjetkë, duke e parë këtë si një mënyrë për t’i hyrë në zemër kryeministrit Berisha dhe ministrit të tij, per ta rikthyer në Tirane. Ky është një mentalitet prej burracaku që ky Komisar policie, ka dëshmuar edhe në vitin 1998, në Shkodër, pasi tentoi të arrestonte deputetin Azem Hajdarit, në një betejë donkishoteske që desh përfundoi me viktima tek rrethimi i tij tek Ura e Milotit.

Dëshira e tij për t’i shërbyer shefave të vet, duke persekutuar opozitën, është një nga arsyet që ai është flakur nga radhët e policisë qysh në vitin 1998, dhe që degradoi më pas si gjobëvënës dhe kokë turku në prishje të ndërtimeve pa leje në Tiranë, në Policinë Ndërtimore.

Redaksia e gazetës Tema i bën thirrje pa ndonjë shpresë kryeministrit të Shqipërisë, të ndalë inkurajimin e banditëve të tillë të veshur me rroba polici. Asnjë gazetar i gazetës Tema dhe asnjë bashkëpunëtor i saj, nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e veta, për shkak të kësaj klime kërcënuese dhe frikësuese për gazetarët, por e gjithë kjo do të ketë një kosto për imazhin e Shqipërisë dhe standardin e demokracisë së saj.

Për redaksinë e gazetës Tema, Komisar Havari është një servil i shpërblyer me një kockë për lehjet kundër opozitës, por ne mund ta katandisim atë dhe më keq, nëse ai tenton të ngrejë zërin, dorën, biles dhe sytë nga gazetarët e gazetës.

Problemi jonë nuk është Havari, por shefat e tij, që inkurajojnë një klimë frike ndaj medies së lirë dhe tentojnë të ushtrojnë terror mbi të, larg syve të opinionit publik, në një qytet të qetë si Përmeti, ku i vetmi njeri agresiv dhe anormal është Komisari i Policisë.

Bledi Mane është një nga gazetarët më të talentuar të Shqipërisë dhe një zë i fuqishëm kritik, tepër popullor në vend. Çdo përpjekje për të prekur integritetin tij fizik apo profesional, do të marrë një përgjigje të pazakontë jo vetëm nga kolegët e tij, por dhe nga opinioni publik dhe institucionet ndërkombëtare që mbrojnë lirinë e fjalës në vend.

Me këtë rast i kërkojmë qeverisë shqiptare të mbajë qëndrim publik ndaj gjesteve agresive dhe kërcënuese të këtij komisari policie, që nuk përmbush asnjë standart të Policisë së Shtetit, dhe të dënojë publikisht gjestin e tij.

Redaksia dhe gazetari Bledi Mane do të mbajnë të informuar misionin diplomatik të Bashkimit Evropian në Tiranë, ambasadorin e OSBE-së dhe atë të SHBA-së për këtë klimë kërcënuese ndaj medies së lirë.

Edhe pse nuk presim që Berisha të tërheqë kërcënimet dhe ministri Noka të tërheqë policët delirantë dhe servilë që përdorin kundër medies kritike, ne jemi të vendosur të mbrojmë qëndrimet tona, jo vetëm duke u përplasur me karikatura të tilla të regjimit, por dhe duke inkurajuar qytetarët ti japin fund regjimit të këtyre sharlatanëve.