TemA Online, 17 Gusht 2012
Ky është titulli interesant që mban një artikull i posaçëm mbi Shqipërinë, botuar në median polake “Wyborcza Varsavia”, nga gazetari Witold Szabłowski.
“Ndër të gjitha shtetet që duan të bashkohen me BE, ‘vendi i shqiponjave’, duket më i motivuari. Por tani për tani, shanset për të përfituar statusin e kandidatit janë minimale dhe ka ende shumë për të bërë”, citohet në fillim të tij.
Dhe duke vijuar më tej në formën e një reportazhi, artikullshkruesi polak, shton se “shqiptarët po luftojnë për t’u njohur nga BE-ja si një vend kandidat zyrtar”, ndërsa një nga kushtet e vendosura nga Brukseli për ta arritur këtë, duket se është siguria e kufijve, e konsideruar kjo si thembra e Akilit për gjithë rajonin.
“Mundësia e fillimit të negociatave për anëtarësim të plotë me Brukselin është tashmë në qendër të skenës politike shqiptare. Dhe në nëntor, BE duhet të vendosë nëse vendi është i gatshëm për statusin e kandidatit zyrtar”, citohet më tej.
Duke përmendur të flasin edhe përfaqësues të medias shqiptare, artikulli i gazetarit polak, parashtron se ata nuk presin të ndodhë ndonjë gjë e re në nëntor.
Nga ana tjetër, media polake i kushton një vend të veçantë edhe çështjes së respektimit të të drejtave të homoseksualëve në Shqipëri.
Referuar konkretisht, paradës së tyre që u zhvillua para pak muajsh në Tiranë, ai citon të flasë edhe një person, pjesëmarrës të saj, i cili i pyetur lidhur me anëtarësimin e vendit tonë në BE, tregohet mjaft optimist.
“Do më pëlqente shumë që vendi im të anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Kjo do na ndihmonte për të ndërtuar rrugët, për t’u mbështetur financiarisht, dhe që të rinjtë tanë të mund të studiojnë jashtë vendit. Por në qoftë se çmimi ynë është ai i hapjes së dyerve për të degjeneruarit, atëherë unë mendoj se ne duhet ta mendojmë më thellë,” pohon i intervistuari lidhur me një fakt të tillë.
Gjithashtu, paraqiten edhe nivelet aktuale të mbështetjes për integrimin në BE të popullatës shqiptare.
“Në fakt, entuziazmi i shqiptarëve për të hyrë në Bashkimin Evropian është i pashoq. Kur në Turqi, mbështetja publike për anëtarësimin nuk i kalon 50 për qind. Apo në Serbi, ku ky tregues ka rënë me shpejtësi. Edhe Kroacia, e cila është më afër anëtarësimit, paraqitet më euroskeptike se Shqipëria. Mbështetja për anëtarësim ka mbetur në nivelet prej 97-98 për qind. Por çfarë është e mirë në gjithë këtë entuziazëm në qoftë se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përparim me negociatat?” parashtron artikullshkruesi.
Duke nënvizuar gjithashtu edhe deklaratën e një diplomati të BE-së se me anëtarësimin drejt Brukselit, nuk mund të ndodhë e njëjta gjë si me atë në NATO, ku kjo e fundit ishte njohur me rëndësinë e pozitës strategjike të Shqipërisë dhe e ka bërë “një sy qorr”.
Por polakët, mendojnë se nuk mund të ndodhë në të njëjtën mënyrë.
Sipas tyre, Shqipëria është shumë larg nga standardet e Bashkimit Evropian, dhe sidomos tani pas krizës greke, kur Evropa si e tillë është duke u bërë gjithnjë e më e kërkuar. “Sigurisht, BE do të kryejë ndonjë gjest të ri në favor të Tiranës (si ajo që shqiptarët tashmë mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza), por derisa qeveria nuk do të angazhohet seriozisht, negociatat nuk do të fillojnë”, përmbyllet artikulli i lartpërmendur i medias polake, “Wyborcza Varsavia”, mbi situatën aktuale të para-anëtarësimit të Shqipërisë në strukturat e Bashkimit Evropian. /NOA/







