Përse “drejtësia” nuk trimërohet dot prej Presidentit !

0
46

Nga Mero Baze

Për herë të parë kemi një dëshmi publike të njeriut më të rëndësishëm, që ka drejtuar hetimet në Prokurorinë e Përgjithshme, mbi mënyrën se si pushteti ka ndaluar hetimin e ministrave nga prokuroria e përgjithshme. Zamir Shtylla, i cili ka qenë zëvendësprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, dhe që drejtonte hetimet për tragjedinë e Gërdecit, ka dëshmuar publikisht se largimi i tij nuk ka qenë as dorëheqje dhe dorëzim i tij para presioneve, por dorëzim i institucionit të prokurorisë para presionit politik të Sali Berishës.

Dëshmia, edhe pse e vonuar, pason një betejë të tërë publike të kryeministrit Berisha kundër njeriut më të rëndësishëm, që kishte në dorë dosjen e djalit dhe vajzës së tij. Zamir Shtylla dëshmoi se sulmet ndaj tij nisën kur filloi të hetojë çështjen Fazlliç, i cili është maska e bizneseve të vajzës së kryeministrit dhe u thelluan kur i duhej të thërriste për të dëshmuar në prokurori Aldo Bumçin, për faksin ku i raportohet Shkëlzen Berishës për projektin e Gërdecit.

Kjo është një dëshmi e rëndë, ndoshta më e rënda që një zyrtar i lartë u prokurorisë shqiptare ka bërë për mënyrën se si pushteti politik ka bllokuar hetimet rreth skandaleve të tij në drejtësinë shqiptare. Gjithçka që është thënë nga Perëndimi për kulturën e mosndëshkueshmërisë që ekziston në Shqipëri, ilustrohet qartë nga kjo dëshmi.

Pas kësaj ne nuk presim që kryeministri Berisha të reflektojë, pasi ai është autor i këtij bilanci tragjik të ndërhyrjes së pushtetit në drejtësi. Por, ne presim që Presidenti i Republikës me aq fuqi që ka, dhe nuk ka pak, të reagojë konkretisht ndaj kësaj dëshmie.

Dëgjova dje presidentin që i bëri thirrje prokurorisë që të reagojë dhe të hetojë politikanët, të cilët po shkojnë shumë larg në akuza ndaj njëri- tjetrit. Kjo është një retorikë e kotë. Kjo është sikur dikujt t’i nxjerrësh sytë dhe t’i thuash lexo, apo dikujt t’i presësh krahët dhe t’i thuash puno. Prokuroria e Përgjithshme nuk ka nevojë t’i tregohet çfarë duhet të bëjë. Ajo ka nevojë të pushojë kultura e ndëshkimit për atë që bën.

Për çdo prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme ekziston tani një model publik se çfarë të gjen nëse vendos të hetosh skandale që kanë lidhje me djalin apo vajzën e Sali Berishës. Shkarkohesh dhe deklarohesh i dorëhequr! Presidenti Bamir Topi nuk ka nevojë të inkurajojë prokurorët të hetojnë politikanët, por duhet tu japë atyre sigurinë se do të jetë në anën e tyre nëse kur ata të prekin djalin apo vajzën e kryeministrit, ministrat që i ka si djem dhe vajza për punë të pista apo gjithkënd tjetër që ka pushtet politik, prokurorët të mos jenë të rrezikuar dhe të mos e marrin vesh nga gazeta RD që kanë dhënë dorëheqje.

Presidenti Topi, dhe sidomos kryeprokurorja Ina Rama, nuk bënë asnjë gjest për t’i dalë në krah kryehetuesit të skandaleve të pushtetit dhe ky ka qenë mesazhi më fatal që i është dhënë drejtësisë shqiptare. Nga njeriu Numër Një i hetimit në Shqipëri, ai është tani një avokat në rrugë, dhe përballet çdo ditë me njerëzit që ka hetuar dhe dënuar në emër të drejtësisë për të mirën e këtij shteti.

Pas kësaj ne do të kemi hetime, por kurrë ndëshkime për zyrtarët, do të kemi thirrje në prokurori, por kurrë pranga në duar për sekserët e qeverisë dhe kryeministrit, do të kemi relativizim të luftës kundër korrupsionit, por kurrë goditje në zemër të pushtetit. Prokuroria jonë nuk ka nevojë të hapë hetime për çdo artikull të gazetës Tema apo ndonjë media tjetër që merren me investigime. Autoriteti i tyre u rrëzua pasi iu gjunjëzuan politikës. Për të dëshmuar se do të ringrihen, ato duhet të bëjnë të anasjellën, të ribëjnë gjeste force kundër pushtetit dhe njerëzve të tij, dhe jo kundër viktimave të luftës reciproke kundër korrupsionit.

Autoriteti i tyre mund të ringrihet në atë mënyrë që u rrëzua dhe duke rithirrur para drejtësisë ata persona për të cilat drejtësia uli përfundimisht kokën në këtë vend. Këtu s’kanë më lidhje as emrat, as epitetet për kryeprokuroren. Këtu ka nevojë për një vullnet për të demonstruar muskujt kundër gjunjëzimit të drejtësisë nga pushteti politik. Presidenti Bamir Topi s’ka nevojë të mbajë asnjë fjalim, vetëm të jetë me gjithë mjetet ligjore dhe institucionale në anën e atyre që hetojnë pushtetin. Kryeprokurorja Ina Rama nuk ka nevojë të na tregojë fare sa shumë punë ka Prokuroria.

Le të mos bëjë asnjë punë, por të mos lëshojë kurrë ata prokurorë që hetojnë krimin e lidhur me politikën. Nëse krijohet kjo klimë, nëse rikthehen hetimet për Lulëzim Bashën, Fatmir Mediun, Aldo Bumçin, Damir Fazlliçin, dhe gjithë sekserët e familjes në pushtet, autoriteti i drejtësisë ringrihet vetë. Çdo gjë tjetër është retorikë dhe vetëm sa fsheh të vërtetën e hidhur se drejtësia po zhytet përditë e më shumë mes shalëve të gjata të pushtetit.