Miliona për të shpërblyer besnikërinë

0
74

Nga Mero Baze, 16 Gusht 2012

Vila nr. 4 është një shtëpi e vogël në krah të Pallatit të Brigadave, brenda rrethimit të tij. E ka pas përdorur ish- Presidenti Moisiu si banesë të vetën. Është një shtëpi modeste dykatëshe, të cilën nëse e nxjerr në shitje, askush nuk jep më shumë se 100 mijë euro. Kryeministri Berisha, në kulmin e krizës ekonomike dhe varfërisë ekstreme në vend, ka prekur fondin rezervë të qeverisë duke i dhënë gjysmë milion dollarë për rikonstruksionin e saj, pasi aty ka vendosur të banojë presidenti i ri, Bujar Nishani.

Nuk dua të ndalem këtu tek abuzimi financiar se ai është i frikshëm. Nëse ajo vilë rrafshohet dhe rindërtohet nuk i kalon 200 mijë dollarë bashkë me mobilimin. Ajo që më duket më e rëndë në psikologjinë e të vepruarit të kryeministrit kohët e fundit me paret publike është një mungesë e frikshme respekti për paret e qytetarëve dhe një përpjekje për të shpërblyer me luks kukullat që vendos në pushtet për tu ndjerë të respektuar në detyrën e tyre.

Shifra prej gjysmë milion dollarë për rregullimin e një shtëpie modeste dykatëshe nuk është shifër financiare, por një gjest shumë simbolik për të treguar se selia reale e Presidentit nuk do të jetë ajo në bulevard ku firmoset, por atje ku presidenti do të jetojë, do të ushqehet, do të shkojë në banjë dhe do të shëtisë në kopshtin e Pallatit të Brigadave. Është një gjest fyes për të na treguar se nevojat reale të presidentit të ri janë një shtëpi e re luksoze, biles me luks të shfrenuar, qetësia e kopshtit të Pallatit të Brigadave ku dhe shërbimet sociale e kanë më të lehtë të menaxhojnë një njeri të sëmurë, ku nuk ka nevojë për ashensorë, meqë ai nuk lëviz dot dhe mbi të gjitha ku nuk ka nevojë të merret me punën e presidentit, me të cilat tashmë ka kush merret.

Shifra gjysmë milionë dollarë ngjan më shumë si një çmim që i vendoset një kukulle që jep emrin me qera për president dhe vetë realizon ëndrrën e tij për një mjedis luksoz, në një shtëpi e cila vlen e gjitha disa herë më pak se sa mobiliet që Berisha kërkon t’i blejë me lekët tona.

Ndërsa ish- Presidentit Moisiu dhe Topi u priste buxhetin, u shkurtonte rojet dhe fondet e institucionit, vetëm pse ata nuk ishin luajalë me të, presidentit, që i ka dhënë emrin me qera për firmë, i bën dhurata milionerësh në shkëmbim të dëgjueshmërisë së tij.

Dhe të gjitha këto bëhen në një kohë kur Shqipëria ka nevojë së paku për më shumë respekt për shpenzimet për luks të qeverisë, kur ka nevojë për më shumë modesti në pagat dhe shpërblimet e pushtetarëve, kur ka nevojë për shumë respekt për paret publike dhe më pak gjeste korruptive në investimet publike.

Pikërisht në këtë kohë ne dëgjojmë se Bujar Nishanit do t’i bëhen dhuratë gjysmë milionë dollarë për vilën ku do jetojë, që Lulëzim Bashës do t’i shtohet rroga, që vila e Vlorës ku pushon kryeministri ka vetëm mobiliet gjysmë milionë dollarë, se zyrat e Bodes kushtojnë 100 milionë lek të vjetra, e të tjera lajme trishtuese si këto. Duket se e vetmja gjë për të cilën Berisha nuk e mban dorën është të paguajë për ata që i ofrojnë mundësinë të dorëzojnë çelësat e pushtetit që kanë në shkëmbim të një luksi financiar. Bujar Nishani brenda muajit ka bërë gjithë gjëmat që një president mund t’i bënte këtij vendi për dy dekada.

Ka zëvendësuar me shpejtësi kryetarin e SHISH dhe drejtuesin e KLD duke vënë nën kontroll të menjëhershëm të Berishës pushtetin gjyqësor dhe Shërbimin Informativ. Brenda ditës largoi e gradoi nja 7 gjeneralë nga detyra, duke mos pasur respekt as për zanatin e tij fillestar të oficerit. Është gati të firmosë çdo gjë që i çojnë, biles dhe pa qenë aty fare. Sali Berisha ka zgjedhur njeriun, që ideal të tij ka t’i lëvdohet gruas që ka shtëpi të re, të presë aty ndonjë mik, oficer a kamerier të dikurshëm, të ftojë dhe Arben Malajn meqë këtij i ka mbetur merak që s’po e takojnë socialistët presidentin dhe t’i lërë punët e presidentit në dorë të Berishës.

Gjysmë milion dollarë për një shtëpi që me gjithë gurë e tulla vlen pesë herë më pak, është një çmim për të cilin presidenti ynë ka ëndërruar gjithë jetën. Por përtej shijeve të Nishanit, përtej panevojës së Bashës për rrogë apo mërzitjes së Bodes për shpenzimet në zyra, Berisha e bën këtë gjest se do të tregojë se çfarë shpërblimi ka ai për ata që ia bëjnë të lehtë mbretërimin. Ai do të tregojë se kush shërben, shpërblehet dhe kush reziston, ndëshkohet. Çmimi pastaj ka të bëjë me personat. Për Nishanin nuk janë pak gjysmë milion dollarë.