Çështje nderi !

0
47

Nga Enton Palushi

Një nga arsyet pse njerëzit votuan pro Partisë Demokratike në zgjedhjet e korrikut 2005 ishte dhe imazhi që kishte krijuar kryetari demokrat si njeri i ndershëm. Përballë veseve të kryetarit socialist, figura e Berishës ishte më e besueshme. Tani, pasi ka qëndruar pesë vite në krye të qeverisë, mund të konstatohet lehtë se koncepti i tij për ndershmërinë është i reduktuar vetëm tek çështjet seksuale.

Edhe pse disa ministra e zyrtarë të lartë të tij janë akuzuar për korrupsion e vrasje dhe ndaj tyre janë ngritur edhe padi, i vetmi që e ka pësuar nga kryeministri është Ylli Pango, që nuk i rezistoi instiktit seksual. Kryeministri Berisha deklaroi se e shkarkoi Pangon vetëm katër minuta pasi u transmetua videoja e tij.

Pjesa kryesore e retorikës së Berishës ndaj Ramës është gjithashtu e përqendruar në këtë drejtim. Akuzat që i ka bërë lidhen me tendencat e tij seksuale e me marrëdhëniet që ka me gratë.

Në Kuvend, në një nga momentet më të rënda të historisë së tij, kur një deputet socialist i kujtoi ambiciet politike të vajzës, Berisha u përgjigj duke i thënë se motra e nëna e tij ishin të përdala.

Gjatë kohës që deputetët socialistë ishin në grevë urie, sulmi i Berishës u përqendrua tek gratë që kishin hyrë në grevë. Femrat demokrate akuzonin homologet socialiste se po keqpërdoreshin nga një mashkull dhe kishin hyrë në grevë duke lënë pa kryer detyrën kryesore, atë të nënës. Ndërsa nën zë e mbi zë, frustrimet seksuale të Berishës paraqiteshin në formën e fantazive mbi atë se ku laheshin apo ku urinonin femrat e ngujuara para zyrës së tij.

Shumëkush nuk do e kishte imagjinuar se do shihte kryeministrin demokrat t’i sulej një deputeti me të shara e të përdorte fjalën “bushtër”.

Para disa kohësh mediat italiane botuan 10 urdhëresat e mafias, e cila po ashtu, edhe pse porosit vrasje e krime nga më të ndryshmet, konceptin për ndershmërinë e ka të reduktuar tek nderi i grave.

“Nuk mund të jetë pjesë e familjes ai që nuk e respekton gruan dhe që i hedh sytë gruas së shokut,” thuhet në një nga urdhëresat e mafias. Ajo i mbivendoset urdhëresës origjinale të dekalogut: “Mos vidh!”