Nga Alfred Lela, 16 gusht 2012
Më ka hutuar në fillim me emrat e Tij. Kjo ndoshta sepse prezantimi me Të u përcoll nga e folmja ende e mbyllur e kohës kur Shqipëria u hap dhe Ai erdhi me emër e figurë përmes kanonit zyrtar si Arbër Xhaferri. Nuk e di pse dhe kur, ndoshta pas luftës në Maqedoni, që u bë politikë dite me firmosjen e Marrëveshjes së Ohrit, në të cilin Ai pat rol kryesor, por emri i Tij u zhvendos drejt Arbën ose Arben.
E doja Arbër-ishten tek emri dhe personaliteti i Tij, por në përdorim e sipër u pajtova me Arbën, ndoshta sepse kuptova se ishte gegnishtja e Arbër.
Ky është një shkrim në vetë të parë, dhe më vjen keq për këtë e kërkoj ndjesë, por është i tillë sepse vdekja është diçka intime. Dhe, mes meje e Arbën Xheferrit ka hyrë vdekja: e terrtë, e plotfuqishme, ndarëse si një kamë përmes mishit e gjithë historisë. Ky çast intim ku Ai ikën, arbërisht, nëpër vdekjen e Tij, plotësohet me mua që nëpër rreshtat e këtij profili dua të gjej të përbotshmen, të përshqiptarshmen, të përshpirtshmen e Arbnit.
Nuk mund t’ia filloj me një curriculum vitae. Megjithatë, e dini çfarë: Arbën Xhaferrit, më shumë se kujtdo, do i kishte shkuar përkora latine e këtyre dy fjalëve. I tillë qe Ai: i rrallë dhe i papërsëritshëm si një gjuhë e vdekur, si latinishtja e Mark Antonit, Senekës e Virgjilit.
Kjo rrallësi, ky latinicitet, e bën edhe më të pazëvendësueshme humbjen e Tij. Nëpër këtë rrallësi Ai erdhi e u bë pol. Ç’tjetër njeri i botës shqiptare mund të mëtojë për vete atë që Arbën Xhaferri ishte: një institucion politik, një citadel që priste të gjitha shigjetat e u bënte strehë të gjitha shpresave; një far që lëshonte të gjithë dritën rreth së cilës pështilleshin fluturat e mendimit shqiptar në Maqedoni e përtej.
Shpesh, kur na paraqitet nevoja e një standardi, kur duam të evokojmë kohë burrash të mëdhenj e shqiptarësh që u bënë etër themelues të kombit, përmendim Rilindësit. Gjithherë ata ia brendavendosim përfytyrimit të një shekulli të shkuar (nuk e di pse numri 1878 i shkon për së mbari figurës së një Rilindësi.)
Na duhet, ta rishkruajmë historinë, qasjen tonë personale, sepse mes nesh, me mjekrën por pa pretendimin; me dritën por pa breroren; me mendimin por pa kolanën; kemi pasur një bashkëkohës si Rilindës. E kemi pasur, nuk e kemi më, por do ta kemi: në atë vend ku Rilindësit futen pa pyetur për renditjet zyrtare, përmendoret, historicizmin, por me historinë e tyre të intimitetit me mendimin.
E kam takuar Arbën Xhaferrin, pranverën e kahershme të vitit 2000, në selinë e PDSH në Tetovë. Ç’e sjell një gazetar rishtar në Tetovë? më pyeti aq butë sikur pyetjet të ishin thika që nxirrnin gjak. Ju dhe Elita 5, i thashë. I hodhi sytë nga dritarja përtej së cilës pështillej në mesditë qytet-shteti i tij, dhe si në pëshpërimë tha se i pëlqente Elita 5. Bota shqiptare e tillë ka qenë përherë, shtoi. Nuk kemi funksionuar si galaksi, por yje të shndritshëm sigurisht që kemi pasur.
Sigurisht që po, Arbën. Ti, padyshim, je një prej yjeve.