“Raporti im me politikën ka qenë i vulosur që në fëmijëri”

0
19

Nga Enver Robelli, 16 gusht 2012

INTERVISTËUdhëtimi i Arbër Xhaferit: jeta në Tetovë, studimet për filozofi në Beograd, vitet e gazetarisë kulturore në Prishtinë dhe sfidat politike sërish në vendlindje. Më poshtë, një intervistë e Arbën Xhaferit me gazetarin Enver Robelli, ndër të paktat (ndoshta e vetmja) ku ai flet për veten.

Në cilin vend dëshironi të jetoni në hapësirën e banuar me shqiptarë?

Në një qytet ku mund ta ruaj privatësinë dhe integritetin tim, i çliruar nga doket dhe zakonet që janë instaluar kushedi nga kush dhe pale për çfarë qëllimesh. Këtë mundësi e ofrojnë qytetet e mëdha ku, në mes të komunitetit, mund të jesh edhe i vetmuar, natyrisht, nëse e parapëlqen këtë. Në kontekstin tonë qytete të mëdha janë Prishtina dhe Tirana. Prishtinën, njerëzit, preferencat, mendësinë e tyre, e njoh mirë, ndërkaq Tiranën, ku u zhvilluan ngjarjet dramatike të historisë moderne të shqiptarëve, për shkaqe objektive, nuk e njoh sa kam dëshirë. Së këndejmi, në mes të këtyre dy qyteteve, do ta preferoja Tiranën, për shkak të afërsisë së detit, si dhe për shkak të nivelit të institucioneve kulturore.

Më mungon përvoja, njohja nga afër, e mentalitetit të banorëve të Tiranës, ajo atmosferë qytetare që nuk është dëmtuar me shpërngulje të detyruara në Turqi, siç ka ndodhur me qytetet në këtë anë të kufirit. Kam përshtypjen se në Tiranë jeta nuk zhvillohet në dimensione paralele, por është e ndërthurur, ndërvepruese, për dallim nga qytetet shqiptare jashtë kufijve të shtetit amë, ku shqiptarët jetojnë pranë popujve të tjerë me të cilët kanë relacione antagoniste ose, me thënë më saktë, kanë distancë etnike. Këtë e dëshmon fakti që martesat e përziera asnjëherë nuk kanë qenë mbi një për qind.

Në çfarë rrethi familjar jeni rritur? Me se merrej babai juaj?

Im atë ishte rrobaqepës. Ky zanat ishte i përshtatshëm që njerëzit të merreshin me politikë, natyrisht si amatorë. Atmosfera e qetë, statusi social i klientëve, krijonte në atë kohë, kontekstin e përshtatshëm për analiza, për biseda politike, sadopak, kompetente. Në atë kohë vetëm ata, të pasurit, që ishin në funksione të ndryshme, intelektualët apo zejtarët e vyeshëm, kishin mundësi të qepnin kostume të reja. Thuaja se të gjithë rrobaqepësit ishin politikanë amatorë. Fjalën ‘amator’ e dalloj nga fjala ‘diletant’ apo ‘joprofesionist’. Fjala ‘amator’ nënkupton pasionin e madh për t’u marrë me një veprimtari shoqërore, por jo si profesionist që jeton prej punës që bën, por thjesht si hobi apo përcaktim jetësor që të punojë për një ideal.

Në çdo qytet të shqiptarëve në atë kohë, prej viteve të 30-a të shekullit XX funksiononin organizata të fshehta politike. Njëra nga më të popullarizuarat ishte shoqata ‘Besa’, e cila kishte disa segmente: atë politik (çlirimi i atdheut), atë të sigurisë, atë të kulturës dhe atë ekonomik. Kjo formë e organizmit të strukturave ilegale i mbante të gjalla shpresat e popullit për çlirim. Im atë ka qenë njëri nga themeluesit e kësaj shoqate ilegale që në Luftën e Dytë Botërore dhe dha kontributin e pazëvendësueshëm në shtrirjen e shtetit shqiptar edhe në qytetet perëndimore të Maqedonisë.
Si prindi im kanë qenë edhe shumë të tjerë që e mbanin ndezur shpresën në kohët më të vështira. Për këtë veprimtari prindi im ka qenë dy herë në burg, 1945 dhe 1955. Herën e parë, për shkak se kishte qenë nëpunës i financave kur Tetova ishte Shqipëri dhe, herën tjetër, më 1955 për agjitim kundër shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi.

Në fëmijërinë time, në situatën kur ideologjia komuniste, përkatësisht ajo pansllaviste ishte e fuqishme dhe e shëndetshme, jeta në Tetovë dhe qytetet tjera shqiptare zhvillohej në dy paralele të ndara. Jetën publike e kishin në duart e tyre komunistët, përkatësisht maqedonasit, ndërkaq në jetën private gëlonin debate për kolapsin e Jugosllavisë. Çdo familje patriotike kishte medoemos një radio ku dëgjoheshin vetëm dy stacione: ai i BBC-së dhe ai i Zërit të Amerikës. Asokohe në Tetovë gjeje mjeshtër që rregullonin radioaparate që sa më qartë të dëgjoheshin lajmet që emetonin këto dy radiostacione. Prindi im madje shiti një copë toke për të blerë një radio që ishte i vetmi mjet i kontaktit me botën e jashtme.

Kur fillova të merrem me politikë, pas vitit 1994, kërkova dosjen e prindit tim. Aty lexova raportin e personit që kishte pasur detyrë ta survejojë atë. Sipas raportuesit, im atë qenka shqetësuar për vdekjen e Dag Hamarskoldit (Dag Hammarskjöld), sekretar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mes viteve 1953-1961 dhe fitues i çmimit Nobel për Paqe. E veçanta e kësaj storieje është përkushtimi i njerëzve të thjeshtë që jetonin në margjinat e shoqërisë, për të qenë të informuar mirë për atë se çka po ndodhte në botë. Ata, si prindi im, ishin njerëz që kurrë nuk humbën shpresat që Jugosllavia do të shpërbëhet pandalshëm.

Nga kjo kohë e errët, e pashpresë, kur çdo gjë ishte sllavizuar, kur ne ishim të pambrojtur si foshnja, më kanë mbetur në kujtesë atmosfera në shtëpi, aroma e asaj kohe. Kur im atë ishte i mërzitur, ose për ta thyer monotoninë këndonte këngë që nuk këndoheshin në publik, as atëherë, as sot. Fragmentet e tekstit dhe të melodisë i mbaj mend edhe sot: ‘…edhe hana do ta dijë, edhe dielli do të ketë pa, se përqark kësaj rrokullie, si Shqipnia vend nuk ka’, ose ‘…ti moj shqipe e Aleksandrit, zaptove botën, dole në Hindi’…

‘Katër vjet liri – katër shekuj shqiptari’, siç do të thoshin nacionalistët e këtyre anëve!

Nga këndvështrimi i tanishëm, si ju duket Tetova sot dhe Tetova e fëmijërisë suaj?

Shumë e materializuar, shume e egërsuar, shumë e ndarë. Ekonomia e tregut ka ndikuar që të shfaqen interesa të ndryshme që mbrohen me fanatizëm që përhap dhe i thellon armiqësitë mes njerëzve. Partitë politike ende ushqehen nga gurra, nga trashëgimia që e lanë këta idealistë. Më vjen shumë keq që mënyra e politikës së sotme i prishi miqësitë e vjetra, respektin që kishim për njëri-tjetrin.

Në fëmijërinë time Tetova ishte e ndarë në dy taborë: atë institucional dhe atë jashtinstitucional. Maqedonasve u takonin institucionet, ndërkaq shqiptarëve rrugët, lumenjtë, natyra. Ata na dënonin në mënyrë institucionale, ndërkaq shqiptarët ua kthenin me ‘street fighter’-a për të dëshmuar se pjesa jashtinstitucionale u takon atyre. Për këtë sfidë, autoritetet nuk kishin përgjigje. Një kohë sillnin elemente violente, me mendësi dinarike, të ngjashëm me shqiptarët, kryesisht nga Malit të Zi dhe Hercegovina, por kot. Pastaj sollën të ashtuquajturit maqedonas të Egjeut (i quanin ‘egejca’), por edhe ata shumë shpejt kuptuan se janë në një mision të pamundshëm.

Në Maqedoninë Perëndimore ndodhi një fenomen si me kalatë: ato të mbrojnë, por njëkohësisht edhe të ngujojnë. Nëse rrethimi vazhdon gjatë dhe në mënyrë efektive këto fortifikata shndërrohen në objekte ngujimi. Njësoj ndodh me institucionet, nëse ato izolohen nga prurjet e reja, nëse ndërtohen vetëm në interes të një populli, ato fillojnë të përthahen.

Në Tetovë, ashtu si në qytetet tjera shqiptare, jetohej kryesisht në mënyrë paralele. Kjo ndasi është ndër më ekstremet. Librat që shkruheshin në atë kohë nga autorë maqedonas kushtuar historisë së Tetovës, nuk përmbajnë asnjë rresht për prezencën, kulturën, traditën e shqiptarëve. Gjykuar sipas këtyre librave shqiptarët as që ekzistojnë. Nëse lexohen sot këta libra, nëse shikohen fotografitë, lexuesit do t’i vijë keq për ata që kishin filluar ta krijojnë lumturinë e tyre mbi kurriz të popullit që e trajtonin si joekzistent. Sa plane për një të ardhme pa brenga në kuadër aleancës së vëllezërve sllavë, sa të lehta ëndrrat për një zhgjëndërr, për një mëngjes të bukur ku shqiptarët në mënyrë magjike do të avulloheshin, do të fshiheshin nga defterët historikë.

Aktualisht ndodh e kundërta. Historianët shqiptarë shkruajnë libra, monografi, ku nuk ekzistojnë sllavët, ose trajtohen në mënyrë margjinale. Ky qëndrim nuk buron nga ksenofobia e ndërsjellë, por është pasojë e bashkëjetesës së munguar.

Para se të merreni me politikë opinioni publik ju ka njohur si kritik filmi. Supozoj se jeni entuziazmuar herët pas kinemasë. Si ndodhi kjo?

Që në gjimnaz tregoja interes për filmin. Siç dihet, kjo dukuri është tipike provinciale, ngaqë në qytezat e vogla, si institucion kulturor, funksiononin vetëm kinematë. Në atë kohë lexohej shumë revista në gjuhën serbo-kroate kushtuar filmit, ‘Filmski svet’ (‘Bota e filmit’), kështu që kishim informacion për çdo gjë që kishte të bënte me filmin, me aktorët, regjisorët, sidomos për pikanteritë e jetës së tyre private.

Si fëmijë s’kishim mundësi që të shkojmë rregullisht në kinema, kështu që 5-6 shokë mblidhnin kacidhet e fundit duke blerë një biletë, për rrëfimtarin më të mirë ndër nesh. Pastaj e prisnim atë që të dalë nga projeksioni dhe të tregojë për përmbajtjen e filmit. Ai, jo vetëm që na rrëfente për ngjarjet, por edhe interpretonte ecjen e kalit, lehjen e qenve apo zhurmën e lokomotivës, që e bënte kureshtjen tonë edhe më të nderë. Kështu kalonin ditët e tetëvjeçares në një qytet ku paralelisht jetonin dy komunitete, shqiptarët e mënjanuar dhe sllavët e protezhuar.

Kur fillova të studioja filozofinë në Beograd, lidhjet me filmin u bënë në një nivel tjetër, do të thosha më teorik. Kisha mundësi që në kinotekë të shikoj filmat e vjetër që në vete ngërthenin cilësi, ato që kishin krijuar njëfarë kthese në historinë e kinematografisë duke filluar prej Sergej Mihailoviqit (Mihajlović) Ajzeshtajnit (Eisenstein) e deri te Ingmar Bergmani, Luis Bunjueli (Luis Buñuel), Frederiko Felini (Frederico Fellini), Vitorio De Sika (Vittorio De Sica), Bernardo Bertolluçi (Bertolucci) etj.

Më interesonin jashtë mase regjisorët që ishin autorë të gjitha segmenteve të filmit si Felini, bie fjala, i cili njëkohësisht ishte regjisor, skenograf, kostumograf, grimier, etj. Në vitin e katërt të studimeve fillova edhe të shkruaj për interferencën e filozofisë në film. Këto elemente filozofike (kryesisht ekzistencialiste) i gjeja te filmat e Bergmanit, i cili, me një gjuhë të përsosur filmore paraqiste presionin e absurdit, humbjen e kuptimit të të jetuarit, fillimisht te femra, që e interpretonte shkëlqyeshëm aktorja, Livë Ullmani (Liv Ullmann), dhe pastaj te mashkulli, Maks Fon Sidoui (Max von Sydoë).

Duke kërkuar implikimet e filozofisë në film fillova të shkruaj komente për filmat realisht autorialë. Në atë kohë filmi europian ishte film i vërtetë dhe jo argëtim për një dollar. Sot, fatkeqësisht, autori i filmave është bërë producenti, i cili kinematografinë e ka shndërruar në biznes. Së këndejmi kinematografia e sotme botërore nuk ka autor, por regjisor që e di zanatin e xhirimit.

A ka ndonjë moment në biografinë tuaj, të cilin e shihni si vendimtar për politizimin tuaj?
Mendoj se, si çdo shqiptar, kam qenë i lindur i politizuar, por në trajtën e amatorit, të paktën ashtu si e kuptojnë francezët këtë nocion. Raporti im me politikën ka qenë i vulosur që në fëmijëri. Tetova dhe tetovarët gjithmonë kanë pasur një distancë higjienike ndaj politikës profesionale, përkatësisht, ndaj institucioneve shtetërore që ishin ngritur mbi premisat maqedonase. Motivin kryesor nuk mund ta përcaktoj, por mund t’i përshkruaj situatat e ndryshme në fëmijërinë time, bastisjet kohë pa kohë të shtëpisë nga ana e policisë maqedonase që pas burgosjes së dytë të prindit tim, në vitin 1955, përpiqeshin ta konfiskojnë burimin e ekzistencës familjare, një makinë e vjetër qepëse ‘Singer’.

Për dy vjet rresht, çdo javë, bëheshin bastisje me orë të tëra për të na traumatizuar. Mirëpo nuk arritën asgjë, përkundrazi, ndikuan që tërë mëhalla jonë të organizohet, si për paralajmërim të rrezikut ashtu edhe për ‘evakuim’ të burimit të jetesës. Kam shumë kujtime të hidhura nga kjo periudhë mirëpo mendoj se nuk ndikuan në shëndetin tim mental, as të anëtarëve të tjerë të familjes. Së këndejmi, mund të them se në viset shqiptare të okupuara nga Jugosllavia zhvillohej i njëjti proces, rezistenca kapilare ndaj një regjimi që fare kot paralajmëronte fitoren përfundimtare të koncepteve jugosllave dhe gjunjëzimin e pandalshëm të kauzës shqiptare.

Kurrë nuk jam marrë me politikë aktive legale. Në rini kam qenë i organizuar në grupe ilegale politike derisa nuk dështoi komunizmi. Me ngadhënjimin e demokracisë dhe pluralizmit u krijuan kushte për veprim legal kundër koncepteve jugosllave. Mirëpo pluralizmi dhe demokracia sollën telashe të reja që i rrënonin parimet morale. Kur fillova veprimtarinë legale politike në Maqedoni u përballa me etiketimet që synonin diskriminimin tim moral. Më shpallën si shef i dikurshëm i kabinetit të Rrahman Morinës, edhe pse atë asnjëherë nuk e kam takuar në asnjë vend. Të gjitha demantet nuk jepnin rezultat. Shpifjet vazhdonin…

Mjerisht demokracia në duart e njerëzve të pamoralshëm shndërrohet në instrument likuidues.