Berisha: Sezon turistik i paprecedent. Nga 1 shtatori do prishet çdo ndërtim pa leje në bregdet

0
36

TemA, 16 Gusht 2012

Edhe pse ka rënë ndjeshëm trafiku ajror, Berisha tha se është shtuar trafiku rrugor. Berisha foli për 277 mijë turistë të huaj më shumë dhe deklaroi se këshilltari i një ministri fjeti në makinë në Sarandë pasi nuk gjeti dhomë sepse ishin të zëna

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e qeverisë duke mbajtur një minutë heshtje për Arbën Xhaferin.

Më pas kryeministri Sali Berisha foli për turizmin. Ai tha se ky ishte një sezon i paprecedent. Berisha tha se pati aq shumë fluks turistësh, sa këshilltari i një ministri mbeti pa dhomë në Sarandë dhe fjeti në makinë.

“Kryefjala e kësaj mbledhje është sezoni turistik. Unë në emër të qeverisë dua të falënderoj së pari ata shtetas të huaj e shqiptarë, të cilët pjesën më të ëmbël të vitit ia besuan Shqipërisë. Me vendimin e tyre fisnik, ata bënë që sezoni turistik i tanishëm të jetë sezoni më i paprecedent në historinë e këtij vendi. Me këtë vendim ata bënë që Shqipëria të marrë turistë të huaj rreth 277 mijë më shumë gjatë shtatë muajve të parë të këtij viti se një vit më parë. Ata bënë që të fuqizohet më tej si degë kryesore në ekonominë shqiptare, dega e turizmit.

Ata bënë që vetëm nga kjo degë të krijohen në vend 119 mijë vende pune, një shifër rekord. Të gjithë ata të cilët udhëtojnë nga Velipoja në Ksamil, konstatojnë morinë e jashtëzakonshme të vendeve të punës që funksionojnë në këtë sektor. Kurrë ndonjëherë nuk ka pasur një dyndje të tillë turistike. Këshilltari i njërit prej ministrave fjeti në makinë në Sarandë se nuk gjeti dhomë. Të tilla janë kërkesat, i tillë është fluksi,” tha Berisha.

Kryeministri tha se këtë vit janë investuar në turizëm 220 milion euro.

“Kontributi në luftën kundër varfërisë është rezultati më i shkëlqyer i turizmit,” tha Berisha.

Duke komentuar një të dhënë që tregon krizën e thellë në Shqipëri, rënien e fluturimeve, Berisha tha se ka rënë trafiku ajror, por është shtuar trafiku rrugor.

“Kriza ka prekur intensitetin e trafikut ajror, por është shtuar në mënyrë të ndjeshme trafiku rrugor. Ata që udhëtojnë në këto rrugë harrojnë se janë në Shqipëri. Autokolona të pafundme,” tha Berisha.

Kryeministri komentoi edhe deklaratat e PS që thonë se ky sezon turistik ishte i dështuar.

“Shfrytëzoj rastin t’i them zotit Rama se kasnecët e tij nuk i bëjnë nder PS dhe askujt. Tu biesh sirenave se ra numri i pushuesve në plazhin e Durrësit, ndërkohë që në Durrës njerëzit pushojnë në Hamallaj, në Gjirin e Lalzit. Turistët në Durrës janë shtuar me 40- 60 përqind,” tha Berisha.

Kryeministri paralajmëroi se do të shkatërrohen të gjitha ndërtimet pa leje në brezin ranor në bregdet duke nisur nga 1 shtatori.

“Të nderuar zotërinj të babëzitur deri në palcë, me rënien e fluksit, gjithë forca e ligjit do veprojë mbi ndërtimet tuaja. Do paguani edhe për prishjen e tyre,” tha Berisha.