Ndërron jetë Arbën Xhaferi

0
68

TemA Online, 15 Gusht 2012

Kryetari i nderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Arbën Xhaferi ka ndërruar jetë sot pasdite si pasojë e hemorragjisë cerebrale. Mjeku Sllobodan Damjanoski ka konfirmuar lajmin. “I ndërmorëm të gjitha masat e nevojshme për shërim, por për fat të keq ndodhi më e keqja”, ka thënë Damjanoski.

Xhaferi javën e kaluar pësoi hemoragji cerebrale. Ai u gjet në gjendje kome nga një i afërm në banesën e tij në Tetovë.

Arbën Xhaferi së fundi po përballej edhe me sëmundjen e Parkinsonit.

Arbën Xhaferri është themelues i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni në vitin 1995. Ai ishte në profesion gazetar deri në vitet 1990 pranë RTV-së të Prishtinës. Faktori shqiptar në Maqedoni ka humbur një nga personalitetet e tij më të njohura dhe shqiptarët një vlerë në elitën politike.

—————-

Berisha: Humbëm një nga personalitetet më të shquara të dekadave të fundit

TemA, 15 Gusht 2012

Kryeministri Sali Berisha u ka dërguar një mesazh ngushëllimi familjes së të ndjerit, Arbën Xhaferri dhe Menduh Thaçit, drejtues i PDSH-së!

“Ndarja nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, udhëheqësit politik, të urtë dhe vizionar, themeluesit dhe Presidentit të Nderit të PDSH-së, avokatit të vendosur të shqiptarëve në Maqedoni, dhe çështjes shqiptare në tërësi, është lajm që sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek ju, por edhe tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët.

Me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit, vlerat dhe kontributi thelbësor i të cilit, në emancipimin kombëtar dhe shoqëror të kombit tonë, janë një trashëgimi tejet e çmuar, që meritojnë mirënjohje të thellë të të gjithë shqiptarëve, për sot dhe brezat që vijnë.

Duke ndarë me Ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbënin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh të gjithëve Ju, ngushëllimet më të sinqerta, lutem së bashku me Ju, që shpirti i madh i Arbën Xhaferrit të gjejë paqen e merituar dhe vepra e tij e ndritur, të frymëzojë shqiptarët, për të shndërruar në realitet, idealet e tij fisnike, njerëzore dhe kombëtare,” thuhet në mesazhin e Berishës.

—————-

Rama: Arbën Xhaferi hapi rrugë të pashkelura për shqiptarët

TemA Online, 15 Gusht 2012

Lideri i opozitës, Edi Rama, vlerësoi lart figurën e Arbën Xhaferit, pas lajmit për vdekjen e tij.

Në një mesazh të tij, Rama tha se “Arbën Xhaferri ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale!

Vdekja e tij, një humbje e madhe për botën shqiptare në disa përmasa që veç Arbën Xhaferi i mishëronte në një njeri të vetëm. U prehtë në paqe”.

Pak më parë Aleanca Kuqezi në një deklaratë të saj e quajti Xhaferin rilindësin shqiptar në Ballkan.