Italia në flakë kundër plehrave, Berisha: I sjellim këtu, kush kundërshton është mafioz

0
43


Nga Tema

Reaksioni që shkaktoi vendimi i marrë një javë më parë nga qeveria “Berisha” për të importuar plehrat me qëllim riciklimi ka sjellë dhe reagimin e Kryeministrit Berisha, i cili e mbrojti si një vendim të drejtë. Megjithëse në vitin 2004, atëherë në opozitë, Berisha e kundërshtoi fort projektin e qeverisë “Nano” për të njëjtën gjë, dje ai e ka cilësuar vendimin e qeverisë së tij si të drejtë dhe në përputhje me normat evropiane. Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se nga 166 produkte të propozuara në Shqipëri do të vijnë vetëm 55, të tilla, por edhe këto pas një vendimi të vecantë të qeverisë.

Kryeministri thekson se mbeturinat nuk janë për djegie, por për riciklim. “Importi i mbetjeve është një proces i miratuar vetëm në parim. Nga 166 produkte u përzgjodhën vetëm 55 prej tyre. Importi i këtyre 55 produkteve do të bëhet vetëm me vendim të vecantë të qeverisë, do të bëhet mbi bazën e studimit të kërkesave”,- deklaroi kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë thekson se për këtë projekt shoqatat mjedisore kanë reaguar pozitivisht dhe kërkon nga ato një pjesëmarrje serioze në mbikëqyrjen e këtij procesi. “Kundërshtuesit e projektit janë antiglobalistë dhe armiq të mjedisit. Antiglobalistët ushqehen nga mafia”, – u shpreh Berisha.

Italia në flakë për plehrat

Ndërkohë, në Itali kryelajmi i ditës ka qenë përplasja mes policisë dhe banorëve në Terzinjos në Napoli, kundër plehrave. Mediat flasin për një luftë civile në këtë zonë. Banorët kanë sulmuar me bomba molotov makinat që shoqëronin kamionët me plehra, që do groposeshin në këtë zonë. Mediat thonë se 20 policë janë plagosur, ndërsa një makinë e një polici ka marrë flakë. E gjithë dita është shoqëruar nga tensione në këtë zonë. Vetë kryeministri Berluskoni ka mbledhur urgjentisht qeverinë. Ministri i Ambientit thotë se këto protesta janë të nxitura nga kriminelët.

Debat në Kuvend Mediu-Bare

Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu mbrojti dje para deputetëve vendimin e Këshillit të Ministrave për të të lejuar riciklimin në Shqipëri të mbetjeve të importuara nga vendet e BE-së. Në replikë ndaj deputetit të PS-së Besnik Baraj, i cili shprehu shqetësim për mungesën e transparencës nga ana e qeverisë, Mediu sqaroi se ligji do të përcaktojë kriteret e importimit të mbetjeve nga vendet e BE , por nuk do lejojë importin. Ministri thotë se do të jetë vetëm qeveria e cila do të vendosë nëse këto mbetje do importohen për t’u ricikluar.“Mbetjet që do të importohen në Shqipëri nuk janë të rrezikshme, por të përfshira në listën e gjelbër. Sikur ta bënim nul këtë vendim qeverie do të thotë që të mbajmë në fuqi ato vendime të mëparshme që përcaktojnë një gamë shumë më të gjerë të importimit të mbetjeve.

Garancia që jep vendimi i tanishëm është se nuk mund të importohet asnjë mbetje në vend në rast se nuk do të ketë një vendim të Këshillit të Ministrave,” nënvizoi Mediu. Ai shprehu shqetësimin për groposjen e mbetjeve nga ana e bashkive dhe komunave dhe mos riciklimit të tyre nga kompanitë që veprojnë në Shqipëri. Ministri i Mjedisit bëri “fajtor” bashkitë dhe komunat të cilat “kanë refuzuar që të japin këto mbetje për riciklim në kompanitë. “Nëse këto mbetje do vazhdojnë të groposen pa i ricikluar do krijojmë probleme të mëdha dhe do kemi detyrimin ti hapim gropat dhe ti riciklojmë mbetjet”.- tha Mediu duke shtuar se kishte gjobitur disa komuna dhe bashki.

Por deputeti socialist Bare e akuzoi qeverinë dhe ministrin Mediu për mungesë transparence dhe tha se “ne denoncojmë mungesën totale të transparencës për menaxhimin e mbetjeve që bie ndesh me Konventën e Arhusit, e adoptuar në legjislacionin shqiptar dhe që përcakton konsultimin me publikun”. “Psikologjikisht, importimi i plehrave nga vendet e zhvilluara tek një vendi si yni, që është i mbushur me mbeturina, ka efektet e veta negative”, tha më tej Baraj. Sipas tij “shkrimtari i madh argjentinas, Ernesto Saviano, pohon se në vendet e Lindjes mafia ka kohë që ka investuar në fushën e menaxhimit të plehrave, në industrinë e çimentos, turizmit, lojërave të fatit etj”. “Janë këto arsyet që qytetarët shqiptarë kërkojnë llogari për interesat e vërteta që fshihen prapa vendimeve të kësaj natyre”, theksoi socialisti Baraj.