Mustafaj tregon një histori me Berishën dhe shton se po i del “zot” kombit nëpërmjet Facebook-ut

1
39

TemA Online, 17 Gusht 2013

Ish-drejtuesi i lartë i PD-së, njëkohësisht publicist, Besnik Mustafaj, ka bërë një shkrim në të përditshme “Panorama” në lidhje me ngjarjen e Himarës, ku kritikon kryeministrin Berisha për poshtërimin që iu bë shtetit. Dhe e nis me një histori në zyrën e Berishës.

Më kujtohet e do të më kujtohet gjithmonë një çast gjatë luftës në Kosovë. Ushtria serbe, në ndjekje të luftëtarëve të UÇK-së, gjuante herë pas here me artileri brenda kufirit tonë. Në përgjigje të një proteste në OKB nga ana e qeverisë shqiptare, Milosheviçi kishte thënë gjithë përbuzje se ai do të mund ta pushtonte Tiranën vetëm me efektivin e shoqatës së gjuetarëve të Beogradit. Por ai nuk e kishte një qëllim të tillë. Isha vetëm me Berishën në zyrën e tij. Ai bënte ç’bënte dhe ma lexonte me zë të lartë këtë fjalë të Milosheviçit. Pastaj shtonte, si të fliste me vete: “Sigurisht, sigurisht, me një Kryeministër si Majko, ai (Milosheviçi) na vjen në Tiranë edhe vetëm me gjuetarët e lepujve”. Pastaj shtonte, duke m’u drejtuar mua: “Majko ka ngrënë çorbën që solli Nano nga Korfuzi”. Ishte fjala për takimin aq të përfolur Nano-Milosheviç në Korfuz. Unë kisha përshtypjen se Berisha e vuante në shpirt poshtërimin që Milosheviçi kishte hedhur me ato fjalë mbi shtetin tonë dhe më dhimbsej sinqerisht Shqipëria pse Berisha nuk kishte gjë në dorë në ato rrethana dramatike për kombin”, shkruan Mustafaj.

Më tutje ai shprehet se nuk e di përse Berisha është katandisur në këtë gjendje, sa ka vendosur që t’i dalë “zot” kombit nëpërmjet Facebook-ut.

Nuk e di çfarë çorbe hëngri me vonë Berisha vetë, për t’u katandisur te ky që e shohim sot “t’i dalë për zot kombit” nëpërmjet Facebook-ut. Nuk ia vlen t’ia përmend edhe unë me këtë rast se çfarë kishte ai ende në dorë kur faqezinjtë e “Agimit të Artë” u turrën në Himarë. Ia kanë përmendur mjaftueshëm dhjetëra mijë nga “fansat” e tij virtualë kur e lexuan mesazhin që ai u kishte nisur. Do thënë, sidoqoftë, se, në zanafillë, mesazhi i tij nxjerr qartë në pah pafuqinë e tij, arsyen e së cilës ai e di më mirë se askush tjetër. Nuk është një pafuqi kompetencash. Ne, si qytetarë të këtij vendi, mund të shohim vetëm se si pafuqia e tij bëhet vetvetiu pafuqi e gjithë shtetit pikërisht për shkak të pushtetit që ai vazhdon të mbajë në sajë të Kushtetutës së Republikës sonë”, shprehet Mustafaj.

Në fund, ai ka një sugjerim për Berishën:

Shkurt fjala, tani e në vazhdim Berisha ka nevojë për dikë që ta ndihmojë të heshtë. Asgjë më shumë, heshtje, sado e vështirë të duket kjo gjë në rastin e tij. Ky është shërbimi më i çmuar që mund t’i bëjnë dashamirët atij dhe ai vetes së vet. Mundësisht 18 orë heshtje dhe kohën tjetër gjumë. Sa më pak ta dinë shqiptarët çfarë lëvrin tashmë në mendjen e tij, aq më pak do të bjerret respekti i mbetur për të”./b.l

1 COMMENT

  1. “SI KOFINI PAS TE VJELAVE”,dhe me jep pershtypjen e nje furtune ne nje gote me uje ne nje lokal te Tiranes,apo si nje lufte brenda qytetit ndermjet tropojanesh.

Comments are closed.