Përse shkove te shtëpia e viktimës zoti ministër?!

0
68

Nga Pjerin Ndreu, 14 Gusht 2012

Të pashë në TV tek shtëpia e viktimës Fatbardha, zoti Ndoka! Ç’deshe atje?! Tu tregoje se sa i “zoti” je që u zbulua ngjarja?! Se po të mos ishe ti, s’do ishte bërë asgjë?! Se ti je personi i duhur që do i garantosh shqiptarët se do arrish rezultate ndaj krimit?!

Po te familjet e tjera pse nuk shkove, tek ata që nuk janë zbuluar, janë vrarë nga armët e krimit dhe janë harruar?

Pse nuk ju kërkove falje familjarëve të Fatbardhës për mos sigurimin e rendit në një rrugë të populluar ku pa rënë akoma nata, fluksi i ngjarjeve të ngjashme ka qenë i lartë e policët s’e kanë vënë ujin në zjarr për të parandaluar ngjarje të tilla? Apo deshe të tregosh se kërcënimi jot banal për lëvizje policesh “zuri vend” dhe u zbulua ngjarja?!

Një kërcënim i tillë skandaloz nuk ishte dëgjuar prej kohësh, që prej kohës kur Saliu, babai juaj politik ishte sekretar partie. Por ti si ministër i katapultuar kushedi se për çfarë motivi e misioni në atë detyrë, për shkak të profilit të ulët dhe në zanatin e mjekut, aty ku je dhe diplomuar, nuk ke as mundësi të kuptosh se është mazhoranca jote që e ka katandisur policinë e shtetit në një institucion që s’di ku ka kokën e ku ka këmbët. Zbulimi i krimit nuk është kanal që hapet me orë pune o Mulo, dhe ti s’mund të vesh afate zbulimi se i bie që ia fut kot. Mirë që nuk di, se s’ke se si, por të paktën pyet dikë, p.sh atë që të shkroi atë letrën ditën e parë që e “lexove me sukses”. A e di pse krimi ka marrë tatëpjetën?

Qeveria ku je zotrote ministër nuk ka objektiva të qarta e strategji se si të reduktohet krimi. Lufta kundër krimit është e mbështetur në variantin kuturu, ku nuk dihet as fillimi e as mbarimi. Se që të kesh kriminalitet të ulët duhet të kesh ekonomi të fortë, të kesh investime sociale të niveleve të kënaqshme, duhet të kesh institucione të forta, të kesh bashkëpunim mes tyre, të kesh polici të fortë, prokurori, gjykatë e sistem burgjesh të niveleve të larta. Ti i bërë thirrje prokurorisë e gjykatës, po rregullo shtëpinë tënde njëherë nëse mundesh, pastaj dil e fol për komshiun, se i di Saliu si i “rregullon” dhe ata!

Duhet të kesh korrupsion të ulët e përgjegjshmëri të lartë para sigurisë së jetës dhe pronës së individit.

Duhet të kesh strategji të parandalimit të krimit në qeveri ku të implikohen të gjithë aktorët qeveritarë dhe jo qeveritarë me detyra të përcaktuara dhe me sistem të organizuar ku alternimi i masave të karakterit ekonomiko- social me ato penalo-riedukuese duhet të jenë themeli.

Ndoshta nuk i kupton mirë këto, por ngaqë je mjek, dua të kujtoj se termi i parandalimit të krimit është huazuar nga mjekësia… “Është më mirë të parandalosh se sa të shërosh”.

Njëlloj është dhe në kriminalitet… “është më mirë të parandalosh se sa të zbulosh” i dashur Muli. Pra, është më mirë t’i meshosh parandalimit se sa zbulimit. Atë detyrë ke apo jo? Dhe mos abuzo me zbulimin e një ngjarje për të dalë nga strofka e strucit, por mundohu të kuptosh se nuk jeni gjëkundi me perspektivën antikrim. Por kam frike se s’ke kohë më edhe po të duash. Se e gjitha sa thamë më lart është një katastrofë dhe s’i shëron dot. Sot u evidentua një tjetër vrasje, një tjetër shpërthim me eksploziv në një qendër turizmi.

Më thuaj një ditë kur nuk ka ndodhur një ngjarje e rëndë gjatë kohës tënde si ministër?

Ke shkuar të drejtosh një institucion që ka shume gjëra në dorë. Misioni jot dihet kush është, 2013-ta, zgjedhjet d.m.th. Prandaj flet pa lidhje se nuk di e s’do marrësh vesh çfarë bëhet aty. Por policia e shtetit është e sëmurë rëndë dhe s’ka shërim nga ata që e infektuan, nga ti dhe shokët e tu, që e katandisen si mos më keq. Po pse do thuash ti?

– Policia nga 6 drejtuesit kryesorë, 4 i ka jashtë arsimit e formimit policor.

-Drejtoria e përgjithshme në vitin 2005 kishte 350 punonjës, tani ka 700. S’keni lënë anëtar të PD pa bërë drejtor e pa i dhënë gradë të pamerituar dhe të paligjshme.

-Reformat e viteve 2005-2007 hoqën nga puna gjithë policët e karrierës, të trajnuar brenda dhe jashtë vendit nga misionet policore europiane e amerikane. Vendet e tyre i zunë mitingashët që iu shpërndaje banderola ti në mitingjet e PD

-Policët kane rrogën më të ulët në rajon, bile dhe pas Kosovës, Bosnjës e Maqedonisë. Ata nuk marrin dieta e as orë shtesë. Nuk kane karburant për makinat e shërbimit dhe uniforma është skandaloze, derivat i një korrupsioni që ti duhet ta kesh dëgjuar.

-Se politikanët e tu, administrata e qeverisë tënde, të afërmit e tyre, biznesmenët afër jush as nuk duan t’ia dinë për ligjin. Nëse polici e ndëshkon, ikën nga puna me shpejt se ai që kërcënove ti nëse nuk zbulon krimin. Se ligji bie rëndë mbi popullatën e pambrojtur, mbi shtresat sociale të mesme e të varfra. Shokët e tu nuk i kap radari i ligjit. As këtë nuk e shëron dot!

-Se ka tre vjet që gjithë veprat penale të krimeve kundër personit dhe pasurisë janë në rritje galopante. Kurrë më parë s’ka ndodhur kjo në këtë vend! Ti ndoshta nuk ke faj se këtë dhuratë e ke nga Lul Basha. Se në 2005 numëronim 8250 krime në vit, në 2011 numëruam 17680, më shume se dyfishi. Dhe kjo “arritje” spektakolare në 7 vjet të qeverisjes së Saliut. Lexo ndonjë statistikë kriminaliteti ndonjëherë para se të flasësh.

-Zëri i policëve të karrierës është inekzistent. Se ju ministrat e “famshëm” bëni sikur i dini të gjitha. Keni mbytur policinë me militantë, injorantë, e keni depersonalizuar dhe ç’strukturuar. Policët janë memecë se sejmenët që ju keni dërguar ju nga selia e PD nuk i lenë të ngrenë kokë, kështu që ju duhet të dëgjojnë përrallat që tregon ti sa here ndodh apo zbulohet ndonjë ngjarje!

Këto duhet tu premtosh shqiptareve që do i shërosh ti, që s’ke shëruar askënd në karrierën tënde “brilante” si doktor. Së fundi, po tek dy viktimat e aksidentit, dy vajzat që gjetën vdekjen dje në Elbasan, në mes të qytetit në trotuar nga një makinë që garonte si në Formula 1, para policëve syleshë, pse nuk shkon? Do na ngelesh në vizita vdekjesh zoti ministër se të tille çorbe ka gatuar Saliu, Sokoli, Luli, Bujari dhe natyrisht ti, megjithëse je akoma me i vobekti e më i padituri në këtë histori. Të kane lënë vetëm kockat pasi ia kanë ngrënë mishin të tjerët zoti ministër…