Nga: ALBA MALLTEZI
Lajmi i rreth 7 orëve drekë mes ish-kreut socialist Fatos Nano dhe zv/kryeministrit të Lëvizjes për Integrim Ilir Meta, më shumë se një kronikë e kohëve moderne, të kujton drekat dhe zakonet e romakëve antikë. Hanin dy vakte në ditë, mëngjesin dhe drekën, e cila niste andej nga ora 2-3 e përfundonte në të ngrysur. Romakët e pasur kishin disa salla ngrënieje ku ftonin të afërm e miq në maratonën e ditës. Pjatat qenë të shumëllojshme dhe shkonin nga 6 deri në 10 të tilla për person.
Ekzagjerimet në kohën e romakëve kanë njohur kulme të paimagjinushme, aq sa perandorë të ndryshëm detyroheshin të bënin ligje për të frenuar babëzinë. E në këto dreka, që pasuroheshin me receta të rralla nga vende të pushtuara, nuk mungonte i ashtuquajturi Vomitorium, jo ai i teatrove antikë, por tamam ky i drekave. Për të shijuar çdo gjë, por në pamundësinë fizike për të nxënë çdo gjë, romakët herë pas here villnin ushqimin për të rifilluar. Prandaj drekat zgjasnin gjatë.
Gjurmë të romakëve antikë sa vijnë e zbulohen në arkeologjinë e pasur të nëntokës shqiptare. Ekspeditat e muajve të fundit na kanë gëzuar me buste e gjymtyrë të mrekullueshme. Na mungonte kjo e mbitokës: traditat e antikëve romakë ende në tavolinat e disave.
Si mund të kalojnë 7 orë duke pirë dhe ngrënë bashkë dy burra? Njëri zv/kryeministër, kryefamiljar, pra njeri i impenjuar dhe tjetri ish-kryeministër, politikan, sigurisht kryefamiljar, që ka bërë historinë e tranzicionit shqiptar? Asnjë teori nuk mund ta mbajë në këmbë këtë ngjarje, veç teorisë së ekzagjerimit deri në vjellje.