Vizat, shqiptarët dhe Maroni

0
45

Nga Mitat Shuli, Milano

Eh, si është kjo punë! Në lajmet e datës 18 nëntor në televizor shohim ministrin Maroni në vizitë në Shqipëri që iu premton shqiptarëve ndihmën e italianëve për liberalizimin e vizave e integrimin e Shqipërisë në BE. Mua, që jetoj në Itali, të them të drejtën, sa herë që shoh Marronin, më ngrihet leshtë përpjetë (mi girano i marroni), por ta shoh në vendin tim duke u tallur shpërfillshëm e duke ditur që vajti vetëm për të shkarkuar të burgosurit shqiptarë, me qëllim lirimin e burgjeve italiane të mbushura plot e përplot, është torturë e vërtetë.

Ironia e fatit do që në të njëjtën ditë në Itali, një grup deputetësh të majtë e të djathtë prezantuan së bashku një projektligj për t’iu dhënë emigrantëve, që kanë të paktën pesë vjet qëndrim të rregullt, të drejtën për të votuar në zgjedhjet lokale … dhe e dini përgjigjen e Bossit, lider i partisë së Maronit?

– Votë emigrantëve? – pyeti gazetarët Bossi. – T’i përzëmë të gjithë në vendin e tyre, atje le të votojnë.

Nuk jam i sigurt nëse me kuptuat. E thënë më qartë, ata (Berlusconi, Frattini, Bossi, Maroni), që iu premtojnë shqiptarëve që do të hapin portat për shqiptarët e ngelur në Shqipërinë berishiane (Albanistan) andej detit, duan të përzënë 500 mijë shqiptarët që ndodhen këtej detit, që jo vetëm punojnë, kanë blerë shtëpi, dërgojnë fëmijët në shkollë, por shpesh kanë humbur lidhjet me vendin amë, që i trajtojnë për turp, sa herë që shkelin në vendin e tyre.

E djathta italiane shikohet me mosbesim, për të mos thënë me frikë, nga Evropa moderne, Anglia, Franca, Gjermania etj. Një qëndrim i tillë si ai i Bossit është në kundërshtim me linjën evropiane, ai ka brenda populizëm e racizëm, sepse të vendosësh të përzësh njerëz që kanë titull për të ndenjur këtu, vetëm sepse kanë lindur diku tjetër, sot do të ishte e pamundur, sepse shyqyr nuk jemi në vitet ‘30-‘40, për të mos folur për fëmijët që kanë lindur këtu, dhe është e pamundur të mendosh t’i përzësh.

Italia shpesh ka qenë në qendër të polemikave për politikën ndaj pakicave e ndaj emigrantëve. Në televizionet e Berluskonit në çdo prag zgjedhjesh nuk dëgjon tjetër veç për klandestinë që mbërrijnë përditë, shqiptarë e rumunë që vjedhin, përdhunojnë e bëjnë trafik droge.

Si përherë shqiptarët nuk kanë zgjedhur më të mirën.

Sinqerisht dua të pyes shqiptarët e pafaj: A mendoni se Italia berluskoniane është modeli që Shqipëria duhet të ndjekë?

Mendoni që kjo e djathtë falimentare, në prag të varrit, sepse është e vjetër, e korruptuar, plot konflikte interesi e kontakte me mafien, është aleati me i mirë për ne?

Mendoni që Berluskoni, Frattini, Bossi e Maroni duhet të bëhen padrinët tanë?

Unë mendoj që mund të zgjedhim e duhet të zgjedhim më mirë.