Majko: PD ka marrë përsipër tani të shpjegojë edhe çfarë themi dhe mendojmë ne

0
39

TemA Online, 13 Gusht 2012

Deputeti socialist, Pandeli Majko, ka reaguar pas deklaratës së Partisë Demokratike, e cila interpretonte një fjalim të deputetit socialist në Sarandë.

Sipas Majkos, tashmë PD ka marrë përsipër që të shpjegojë se çfarë thotë dhe çfarë mendon opozita.

“Tre ditë pas takimit që pata në Jalë me anëtarët e FRESSH-it, Partia Demokratike ka dalë me deklaratë zyrtare. Ajo shpjegon se çfarë u kam thënë miqve të mi eurosocialistë dhe pse PS nuk do të pranojë heqjen e imuniteteve…(!?)

Ka kohë që linja zyrtare e qeverisë merr përsipër të shpjegojë se çfarë thonë dhe “mendojnë” përfaqësuesit e opozitës. Ky humor gushti nuk i shërben askujt dhe për asgjë, veç pushuesve kuriozë për “hungërimat nga kopshti zoologjik” i politikës në Shqipëri!

Debati për imunitetin nuk është debati që do të verifikojë “ndershmërinë” e politikës. “Ndarja” që i ka bërë kësaj historie linja zyrtare e PD është se – Kush ka “frikë” nga heqja e imuniteteve është i pandershëm!?… Dhe kush është “trim”, është i ndershëm!

Qëndrimi “PRO” ndryshimeve kushtetuese “për imunitetet” asnjëherë nuk është vënë në dyshim nga Partia Socialiste apo dikush brenda saj. Të tjerat janë fjalë, për “eja bëjmë sikur zihemi” për ndershmërinë e politikës.

Kjo histori po kthehet në atë për çfarë u nis. Ajo është kthyer në një fushatë zhurme dhe tërheqje të vëmendjes nga problemet reale me të cilat ballafaqohet shoqëria shqiptare”, shprehet Majko.