Presidentit Bush do i ngrihet një statujë në Shqipëri

0
59

Nga “Reuters

Qyteti i vogël shqiptar i Fushë-Krujës planifikon të ngrejë një statujë të ish-presidentit amerikan, George W. Bush, për të kujtuar vizitën e qershorit 2007, kur ai u prit si hero në një vërshim dashurie për Amerikën.

Kryetari i Bashkisë, Ismet Mavriqi, thotë se shtatë skulptorë shqiptarë janë në garë për statujën e Bushit, të cilën ai planifikon të zbulojë në Sheshin Bush, në qendër të qytetit, më 10 qershor 2010, përvjetorin e tretë të vizitës së z. Bush.

“Unë e kam fjalën e fundit, do të preferoja shumë një statujë tre metra, mundësisht në bronz, që paraqet momentin e ecjes së tij energjike”, – i tha Mavriqi “Reuters”-it në telefon.

Bashkia ka përfunduar tashmë projektimin e rikonceptimit të sheshit ku do të vendoset statuja, shton ai.

Një kafene në Fushë-Krujë dhe një rrugë në kryeqytetin Tiranë kanë tashmë emrin e z. Bush.

Kur ai vizitoi Fushë-Krujën, u zhyt në mesin e turmës së shqiptarëve, që po e prisnin, dhe shijoi një pritje si rock-star – një kontrast shumë i fortë me protestat e zhurmshme që e kishin shoqëruar ngado në udhëtimin nëpër Evropë.

Pastiçeria dhe një kafene ku z. Bush ndaloi për të folur me pronarët, si dhe një berber, një çoban dhe një rrobaqepës, bizneset e të cilëve u ngritën nga mikro-kredi të një fondi amerikan, janë bërë pika vizitash për shqiptarët, shqiptarët etnikë nga Kosova dhe për të huajt.

Shqiptarët kanë një dashuri të veçantë për Shtetet e Bashkuara, të cilave u japin kredit, jo vetëm për përfundimin e izolimit nga Lufta e Ftohtë, por dhe për sulmet e NATO-s për të shpëtuar shqiptarët e Kosovës nga pastrimi etnik që po bënte Serbia.

Kosova, e cila deklaroi pavarësinë nga Serbia vitin e kaluar, ka ngritur një statujë gjigante të ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, për ta falënderuar për rolin e tij në luftën ajrore të NATO-s në vitin 1999.

Bush, në të parën vizitë presidenciale në Shqipërinë postkomuniste, mbështeti pavarësinë e Kosovës dhe u bëri thirrje shqiptarëve të Kosovës të jenë të durueshëm. Shtetet e Bashkuara ishin një nga vendet e para që njohën pavarësinë e Kosovës.