Skënderbeu i tretë

0
78

Nga Enton Palushi

Para pak kohësh, gazeta gjermane “Tagesspiegel” botoi një shkrim mbi librin e historianit zvicerian, Oliver Jens Schmitt, për Skënderbeun. Një tjetër e përditshme shumë e njohur gjermane, “Frankfurter Allgemeiner Zeitung”, botoi një shkrim, po për këtë libër, në muajin mars të këtij viti.

Në të dy rastet, libri e puna e Oliver Jens Schmitt marrin vlerësime të shumta. Në shkrime përmendet edhe pritja negative që iu bë librit në Shqipëri. Gazetat gjermane theksojnë se Schmitt ka bërë një punë të madhe kërkimore dhe ka tronditur themelet e një miti të ngritur në Shqipëri.

Megjithatë, shkruan “Tagesspiegel”, asnjë shqiptar nuk duhet të turpërohet me Skënderbeun e ri të Schmitt, pasi edhe ai e njeh Skënderbeun si njeriu që hodhi themelet e shtetit shqiptar.

Por, ajo që bie në sy në këto përshkrime për librin, është përdorimi i figurës së Skënderbeut për pushtet vetjak.

“Frankfurter Allgemeiner Zeitung” shkruan se sa më shumë izolohej Shqipëria, aq më shumë e ngrinte Enver Hoxha mitin e Skënderbeut.

Në një vend të zhytur në varfëri e ku të drejtat e njeriut dhunoheshin hapur, diktatori Hoxha përpiqej të identifikohej me Skënderbeun, për të ushqyer njerëzit me mitin e njeriut që rezistonte i vetëm.

Në gazetat gjermane nuk thuhet se ky mit po përdoret për pushtet vetjak edhe tani pas rënies së komunizmit. Por ato theksojnë se njeriu që po kundërshton më së shumti librin e Schmitt është kryeministri Sali Berisha. Nuk është e vështirë të kuptosh përpjekjet e Berishës për t’u identifikuar me Skënderbeun.

Edhe Berisha, i paaftë për të bindur njerëzit me reforma ekonomike apo në fushën e të drejtave të njeriut, ngre në kulm mitin e Skënderbeut. Kryeministri nuk e ka problem të identifikohet hapur me të. E bën këtë kur thotë se do të luftojë opozitën si Skënderbeu turqit apo dhe kur takon Papën fiks 543 vjet pas takimit të Skënderbeut me Atin e Shenjtë.

Por më e keqja, e bën kur thotë se heqja e vizave është ëndrra më e madhe e shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut. Berisha thotë se kjo është arritja më e madhe që nga shpallja e pavarësisë. Është për tu habitur se si e fshin me një të rënë të lapsit kalimin nga komunizmi në demokraci. A nuk duhet të jetë vota e lirë arritja më e madhe për shqiptarët?

I pazoti për të ngritur institucionin e votës së lirë dhe i dështuar në përpjekjet për të ndarë shoqërinë në komunistë e luftëtarë të komunizmit, tanimë po përpiqet të ndajë shoqërinë në europianë e kundërshtarë të europianizimit.

Ai mendon se është “Skënderbeu i tretë” për shqiptarët.

Sipas Schmitt, Skënderbeu ishte një figurë tragjike në kapërcyellin e nisjes së një epoke të re.

“Skënderbeu i tretë” është një figurë tragjike për ne shqiptarët në kapërcyellin e një epoke të re.