Pasojat e anarkisë

0
110

Nga Mero Baze

Pjesë nga libri “Viti ‘97”

Pas më shumë se një muaji nga formimi i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, u krijua një rutinë e re e jetës politike. Socialistët ishin rikthyer në Kuvend dhe qeveria po ia dilte të funksiononte me “komisarë” që mbikëqyrnin drejtimin politik të saj. Por autoriteti i saj kufizohej vetëm në zyrat e saj dhe në Presidencë. Në rrugë dhe sidomos në Jug të Shqipërisë, ishte stabilizuar anarkia. Vlora, qyteti simbol i protestave, ishte ndarë thuajse mes dy kampesh. Në një anë qëndronte Zani Çaushi, në një lagje të qytetit, ndërsa në anën tjetër, kundërshtarë të tij, kryesisht ata që njiheshin si “Grupi i Gaxhait” dhe “Grupi i Kakamit”, personazhe që herë bashkoheshin me njëri -tjetrin dhe herë ndaheshin. Për ta bërë edhe më tragjike situatën, këto grupe i atribuuan vetes edhe ngjyra politike. Zani ishte mbështetës i së majtës, kurse kundërshtarët e tij u vetëshpallën si mbështetës të së djathtës.

Nën këtë pasiguri, që po stabilizohej dita-ditës, në Jug po rritej autoriteti i bandave dhe të ashtuquajturat komitete shpëtimi ishin bërë shërbëtorë të tyre. Në atë kohë, në fillim të prillit, unë kisha hapur një agjenci lajmesh. Agjencia Enter ishte në atë kohë e vetmja agjenci private lajmesh që kishim një faqe në internet, në Londër, dhe që kishim rreth 100 mijë klikime në muaj. Kisha një staf të reduktuar me 5 vetë dhe raportonim kryesisht për gazetat shqiptare jashtë Shqipërisë. Arrinim të siguronim të ardhura minimale, që na mjaftonin për rrogat. Kishim siguruar të merrnim gjithë komunikatat e policisë dhe aty shikohej qartë radiografia e krimit në Shqipëri. Çdo javë, numri i të vdekurve shkonte në rreth 50 persona. Lajmet ishin nga më të tmerrshmet. Vrasje policësh, krime në familje, larje hesapesh të vjetra, grabitje dhe vrasja nga maskat, sulme mbi ndihmat… gjithçka!

Filluan të shfaqen disa lajme për incidente mes qytetarëve dhe forcave të misionit “Alba”. Në Elbasan u shënua një viktimë, pasi grekët hapën zjarr pa paralajmërim ndaj një grupi prej katër të rinjsh, që u tha se i provokuan. Kishte po ashtu dhe lajme për dhunë politike. Demokratët po ndiheshin të rrezikuar në Jug të vendit. Qytetet si Berati, Vlora, Tepelena, Saranda, Gjirokastra e Përmeti, u bënë të rrezikshme për veprimtarët e PD-së dhe ata migruan drejt Tiranës. Në krye të listës ishin Vlora dhe Berati, ku PD-ja thuajse u shkri fare.

Sikur të mos mjaftonin vrasjet dhe anarkia, pati dhe vrasje të tmerrshme nga aksidente. Më të dhimbshme ishin shpërthimi i një tuneli ushtrie në Kardhiq, ku u vranë rreth 13 persona, si dhe shpërthimi i një depoje në Qafë-Shtamë, ku u vranë 27 persona. 11 prej tyre i përkisnin një familjeje, ndërsa viktimat e tjera ishin të shpërndara në katër familje të tjera. Berati, ashtu si Vlora, po binte në pushtetin e bandave dhe jetesa po bëhej e pamundur. Nën thirrjet për të shkuar në zgjedhje në fund të qershorit, Franc Vranicki po përpiqej t’u bënte thirrje palëve të stabilizonin rendin. Por situata nuk ishte më siç kishte qenë një muaj më parë. Tanimë në qytetet e Jugut ligjin e bënin banditët, të cilët po e përdornin politikën; pra, politikanët nuk mund t’i përdornin më banditët.

Një i dërguar i kancelarit Vranicki, ambasadori Grubmajer, kishte nisur në Tiranë takimet për ligjin elektoral, i cili po mbante të bllokuara bisedimet për shkak të modifikimit që i duhej bërë ligjit ekzistues, që përjashtonte figurat kryesore politike të së majtës nga kandidimi. Humbja e kontrollit mbi territorin, sidomos në Jug të vendit, ishte një goditje e rëndë edhe për bizneset. Shumë biznesmenë ishin vetarmatosur për të ruajtur pronat e tyre, por ndërkohë ishin vënë në shënjestër të banditëve që vinin gjoba mbi ta. Një ngjarje e tillë e dhimbshme më shoqëroi gjatë dhe kishte të bënte me zhdukjen e një biznesmeni nga Tepelena, që kishte një biznes modest të shitjes së pjesëve mekanike të Benz-it në Kras të Tepelenës. Kishte mbaruar universitetin për inxhinieri në një vit me mua, por me të u njoha nga afër gjatë kryerjes së shërbimit të shkurtër ushtarak tremujor. E rrëmbyen një ditë dhe thanë që e mbajtën në stanet e Salarisë. Bënin sikur kërkonin pará, por me sa dukej kishin frikë nga përmasat që mori ngjarja. E shoqja e tij dhe i vëllai e kërkuan gjatë, një muaj, dy muaj, tre muaj… Më në fund, shpresat humbën dhe ai nuk u gjet. As sot nuk i është gjetur varri. Por të gjithë të thonë se kush e mori dhe kush e vrau. Biznesmenët po merreshin peng edhe në Vlorë, në Berat, në Korçë e Sarandë. Ishte një rrëshqitje me shpejtësi drejt katastrofës.

Jugu po varfërohej në mënyrë të skajshme nga ky rrënim. Berisha, që e ndiqte gjendjen gjithë makth, me afrimin e zgjedhjeve mori në telefon Vranickin dhe si shqetësim kryesor i ngriti kontrollin e bandave mbi Jugun e vendit dhe rëndimin e situatës financiare në Jug: “Atje po rritet inflacioni, po boshatisen tregjet dhe jeta po bëhet e pasigurt dhe e pamundur”.

Kishte kapur në të vërtetë një argument shumë njerëzor për ta varrosur përfundimisht ndikimin e atyre që quheshin komitete shpëtimi. Fakti që ata nuk kishin pushtet ta ndalnin anarkinë dhe bandat e armatosura, ishte një fitore e hidhur për Berishën. Në Jug po bëhej e pasigurt gjithçka: rrugët, pikat kufitare, qytetet… Fshatrat ishin oaze më të sigurta, për shkak të lidhjeve të forta familjare që kishin me njëri-tjetrin. Por, nëse dilje në rrugë, asgjë nuk ishte e sigurt. Pasi u shpërthyen edhe të disa depove municioni, qeveria bëri paralajmërime të rrepta, duke njoftuar se ka minuar çdo hyrje në depot e municioneve dhe kush i prek, do të hidhet në erë. Nga ana tjetër, po shtoheshin sulmet edhe ndaj zyrtarëve apo punonjësve të administratës. Në Elbasan i vendosën një bombë në shtëpi prefektit Tonin Alimëhilli, ndërsa kryetari i Bashkisë së Vlorës, Gëzim Zilja, nuk mundi dot as ta dorëzonte zyrën e tij në qytetin e rrëmujave.

Nën lajme të tilla të frikshme dhe shpesh të pabesueshme, vendi po shkonte drejt zgjedhjeve të sforcuara, që thjesht ishin një konvencion për t’i dhënë mandat një force të re politike, që mund të ngjallte shpresë. Nën presionin e shtuar të dhunës në qytetet e Jugut, Berisha filloi ta ngrinte zërin për rikthimin e stabilitetit në Jug, duke bërë përgjegjëse komitetet e shpëtimit, që në të vërtetë ishin kthyer në ushtarë të bandave të armatosura, pasi nuk kishin më asnjë autoritet. Ndërsa Berisha po akuzonte Partinë Socialiste për Jugun, në Thumanë, shumë afër Tiranës, u ndal dhe u sulmua me armë Alfred Serreqi, që sapo i ishte bashkuar partisë Lëvizja për Demokraci, e themeluar nga ish-drejtues të PD-së, që Berisha i përjashtoi një muaj më parë. Tre të rinj të moshës 20-25-vjeçare, e kishin urdhëruar Serreqin të zbriste nga makina dhe ia kishin rrëmbyer atë. Sulmi dukej se ishte një sinjal i qartë nga veprimtarë radikalë të PD-së afër Laçit, një qytet ku Serreqi kishte ndikim dhe mund të trazonte ujërat e PD-së para zgjedhjeve. Ndërkohë, Berisha vazhdonte ta mbante ndezur çështjen e komiteteve në Jug dhe identifikimin e tyre me bandat e armatosura. Dhe, Berisha ishte fokusuar gjatë te Gjolekë Malaj.

Malaj, një i afërt në fis me Gramoz Ruçin, figurën kyç të Partisë Socialiste, ishte i vetmi rast ku bashkohej autoriteti i Komitetit të Shpëtimit me njerëzit e armatosur. Në qytetet e tjera të Jugut, kjo nuk ndodhte. Në Gjirokastër, Sarandë, Vlorë, Berat, Përmet e gjetkë, kishte edhe komitete shpëtimi, edhe grupe të armatosura. I vetmi rast që Komiteti i Shpëtimit ishte i identifikuar me grupet e armatosura ishte Tepelena dhe Memaliaj. Por qëndrimet ndaj tyre ishin të ndryshme. Berisha po e bënte atë simbol të lidhjes së komiteteve me bandat, ndërsa media e majtë po e bënte simbol të njeriut human që shoqëronte ndihmat, që hapte shkollat dhe siguronte qetësinë. Por imazhi i komiteteve në Tepelenë u rëndua ndjeshëm nga një bandë e vërtetë kriminale. Më e pakta që e vinte në pozitë të vështirë komitetin, ishte se veprimet e kësaj bande ishin mizore dhe fillonin me vjedhje e plaçkitje dhe përfundonin me rrëmbime personash, përdhunime dhe shkatërrim pasurie të të tjerëve. Disa ngjarje të rënda që i kanë vënë vulën Tepelenës gjatë trazirave, lidhen kryesisht me këtë bandë. Kështu ndodhi me grabitjen e një autobusi të linjës Tiranë-Kakavijë, që u grabit në Fratar.

Një autobus tjetër u ndalua në Subash, në kufirin mes Tepelenës e Gjirokastrës, ku u plagos edhe një vajzë 13-vjeçare. Disa furgonë të linjave të ndryshme, kryesisht të Përmetit dhe Gjirokastrës, ndaloheshin dhe, pasi plaçkiteshin, bëheshin gjeste poshtëruese ndaj femrave që udhëtonin në këto mjete.

Konfliktet mes njerëzve të armatosur u bënë gjithnjë e më të komplikuara dhe filluan të reflektonin edhe ndasi krahinore apo fetare. Kështu, në mes të muajit maj, në Tepelenë u bllokuan të gjitha makinat me targa të Vlorës, për shkak të marrjes peng të biznesmenit Artur Gjosha nga banda e Zani Çaushit në Vlorë dhe që komiteti kishte ndenjur indiferent, pasi tregtari ishte “me bindje të djathta”.

Isha i paqartë për këtë ndarje dhe gati nuk e besoja, kur në një natë maji ra telefoni, rreth orës 23.00. Ishte Izet Haxhia, në atë kohë ende kontingjent i Gardës së Republikës, që identifikohej në opinionin publik si një nga shoqëruesit e Sali Berishës. Në të vërtetë, nuk ishte në rrethin e parë të tyre, qysh prej vitit 1995. Më kërkoi të dilja nga shtëpia, sepse kishte një bisedë urgjente. Pa ndonjë dyshim për rrezikshmërinë e bisedës, i thashë të vinte të më merrte në shtëpi, pasi makinën time ma kishin vjedhur në ditët e marsit, para pallatit. Ai mbërriti aty pas dhjetë minutash dhe pasi u futa në makinën e tij, më prezantoi me një tip të shëndoshë, me dialekt të rëndë vlonjat.

– Kemi shpëtuar Artur Gjoshin, – më tha. – E njeh apo jo? Është ai që kishte marrë peng Zani Çaushi.

Në fakt, diçka kisha dëgjuar, por nuk e njihja nga afër. M’u kujtua se bëhej fjalë për një biznesmen nga Tepelena, i marrë peng në Vlorë. Shkuam deri në bulevard, te bar Nikolino, dhe fillova t’i dëgjoj ku ishte problemi.

Izeti u kishte premtuar atyre se do t’i ndihmoja të dilnin në televizion dhe të denonconin Zanin. Pastaj, Presidenti do t’u jepte një makinë të blinduar dhe ata do të niseshin në Vlorë, për të vazhduar luftën. Nuk po përzihesha shumë në tregimet e tyre prej të fortësh, por dëshmitë e tyre të rrëqethnin. Rrahimi, ai që u prezantua si njeriu që kishte shpëtuar Arturin, tregonte për një njeri me nofkën Kuqo, që e kishin djegur te makina Golf. Pastaj për disa përleshje që mua më vërtiteshin si film në kokë, pastaj për vrasjen e një tipi që quhej Arben Latifi, pastaj për mënyrën se si u kishte shpëtuar Zani Çaushi… Më së shumti flitej për një përleshje tek Uji i Ftohtë dhe për djegien e makinës Golf, bashkë me kufomën e Kuqos, që duhej të kishte një emër, por që unë nuk e identifikoja dot. Nga biseda, me aq sa kuptova, dukej se ky Kuqoja, pra viktima, mund të kishte shkuar si ndërmjetës te banda e Zanit për të liruar tregtarin dhe e kishin prerë në besë. Pastaj u fol për një përleshje të zhvilluar në Çole të Vlorës, ku një autokolonë me makina të Tepelenës, Vlorës dhe një furgon i bardhë i Durrësit kishin sulmuar frontalisht lagjen Çole, por rojet e Zanit, që paskëshin kapur lartësi dominuese, kishin rezistuar fort. Pasi e pashë se isha i tepërt në ato biseda, pyeta Izetin se përse më donte.

– Ja, – tha, – t’i bësh një intervistë Turit, që të dalë në TVSh dhe të denoncojë Zanin.

Arturi dëgjonte i traumatizuar. Tentova të flisja me të qetësisht dhe më tregoi për torturat që kishte hequr nga banda e Zanit. Më tregoi aq sa mundi për tmerrin e pengmarrjes dhe momentin e arratisjes duke u hedhur nga dritarja e një kati të dytë, pasi njerëzit e tij ishin afruar aty.

– Mirë, intervistën e rregulloj unë, – i thashë. – Tregoji të gjitha këto. Do të flas nesër që në mëngjes me TVSh-në dhe ata do të bëjnë një intervistë.

– A të iki unë tani?

– Jo, prit! – tha Izeti. – Këta çunat duan një makinë të blinduar, është një te Banka Tregtare, nga ato që shpërndajnë lekë.

– Po si mund ta siguroj unë atë? – e pyeta.

– Fol me shefin, – tha. – Po të japë një sinjal ai, e marrin këta dhe nesër i ke të vrarë të gjithë banditët në Vlorë. Biseda po hynte në rrjedhë të rrezikshme dhe pak e nga pak e pashë veten peng të tyre. Ishte e rrezikshme të rrije me ta, e rrezikshme të ikje, e rrezikshme të mos veproje, e rrezikshme të bëje atë që thoshin ata. Ora po shkonte 01.00 e natës.

– Nuk të ndihmoj dot, Izet, – i thashë. – A mund të iki në shtëpi?

– Duhet t’ua zgjidhim këtë hall këtyre çunave, – ma ktheu. – Nuk mund të ikësh, se i kam prerë në besë pastaj.

– Nuk mund të bëj gjë, – i thashë. Më bëri shenjë dhe dolëm pak më tutje.

– Bëji një telefon Berishës dhe kërkoja këtë nga ana jote, – tha. – Mos i thuaj që jam unë me ta. Pastaj e rregulloj unë vetë. Isha thuajse peng i padeklaruar.

– Mirë, – i thashë, – po flas.

U largova pak më tutje. Ai u afrua pas meje. Fola me Berishën. I thashë se është liruar një peng, një miku im nga Tepelena, biznesmen, dhe se do të japë një intervistë nesër në TVSh. Kjo ishte sa për hyrje. Pastaj i tregova se njerëzit e tij duan të kthehen në Vlorë, të ndeshen me bandën që e ka pas marrë peng, se u kanë vrarë njerëz. Por atyre iu duhej një makinë e blinduar për këtë punë, se një e tillë është te Banka Tregtare dhe ata duan vetëm një leje jo zyrtare për ta marrë. Berisha po heshtte në anën tjetër.

– Kush është me ta? – pyeti gjithë shqetësim.

– Izeti, – i thashë me gjysmë zëri, që të mos e dëgjonte Izeti, që ishte disa metra më pas.

– Largohu menjëherë që aty! – më tha.

– E di, – i thashë, – por nuk e kam të lehtë tani, duhet të më dërgosh një makinë këtu para Dajtit.

– Mirë, se e zgjidh unë, – tha, – mbaje hapur telefonin.

Izeti dëgjoi gjithçka dhe u tha njerëzve të Gjoshit se po e zgjidhnim situatën. Unë po rrija si mbi gjemba. Ra telefoni. Ishte një oficer i Berishës.

– Po vij të të marr, – tha. – Dil para Dajtit. Atyre u thuaj që do të merrem unë me hallin e tyre.

U qetësova. I thashë Izetit se Berisha ka nisur për te ne një oficer të tij, që do të më çonte mua në shtëpi dhe pastaj do të zgjidhte hallin tyre. Pa një herë me dyshim, por nuk iu duk zgjidhje e keqe, pasi së paku u dëshmonte atyre se kishte lidhje të forta me Berishën. Pas disa minutash, makina e Gardës qëndroi para këmbëve të mia dhe unë u gjenda brenda saj gati si një njeri që më rrëmbeu dikush.

– Qetësohu, – më tha oficeri, – se e zgjidh unë me ata. Shko në shtëpi dhe fik telefonin, mos dil më natën vetëm, pa siguri.

– Nuk ndodhi gjë, – i thashë, – por isha pak keq, se nuk e dija çfarë kërkonin.

– Merrem unë me ta, mos ki merak, – tha sërish.

Nuk e mora vesh se çfarë ndodhi të nesërmen. Berisha nuk ma hapi më kurrë atë muhabet, por as Izeti. Çështja e mungesës së stabilitetit në Jug dhe akuzat e përditshme të Berishës për këtë, po i shtonin dyshimet se PD-ja mund të mos shkonte në zgjedhje. Kjo e rriti vëmendjen e ShBA-ve dhe Bashkimit Europian ndaj situatës, duke shtuar thirrjet për pajtim kombëtar. Nënsekretari amerikan i Shtetit, Perina, bëri një deklaratë të ashpër më 8 maj, duke paralajmëruar “cilëndo forcë” që do të përpiqej të sabotonte pajtimin kombëtar. Në Tiranë, kancelari Vranicki kishte nisur përpjekjet për një ligj elektoral dhe një nga kushtet themelore të PD-së ishte shkrirja e komiteteve të shpëtimit.

Nën këtë trysni, komitetet e Jugut, sidomos ai i Gjirokastrës dhe Vlorës, vendosën të mblidheshin në Vlorë, më 16 maj, me shpresën që të gjenin një mënyrë për t’u shkrirë, pasi autoriteti i tyre tashmë ishte rrënuar dhe atyre u kishte mbetur vetëm përgjegjësia. E vetmja degë e komiteteve që nuk pranoi shkrirjen, por vazhdonte të bënte thirrje më radikale, ishte ajo e Vlorës. Dhe, siç u pa më pas, shkaku ishte se krerët e tyre do të kandidonin për zgjedhjet e 29 qershorit. Në Vlorë bëhej kërdia nga betejat mes Zanit, Gaxhait, Kakamit dhe nuk ekzistonte më asnjë autoritet. Një përpjekje e Komitetit të Shpëtimit, më 13 maj, për të thirrur qytetarët në një miting kundër dhunës, dështoi dhe askush nuk iu bashkua atyre në shesh. Në Sarandë, Berat, Gjirokastër e Përmet, po ashtu. Lajmi më tronditës që pashë ato ditë ishte se tri gra të reja në Berat ishin vrarë nga një njeri i papërgjegjshëm, që qëlloi në ajër për të shpërndarë turmën që priste para zyrave të asistencës sociale. Dy nga gratë vdiqën në vend dhe ishin të moshës 28 dhe 31 vjeçe, kurse tjetra shkoi në gjendje të rëndë në spital. Më keq akoma, në mes të majit, në Vlorë, kishte njoftime se bandat po mobilizonin njerëz me dhunë për përplasjet e mundshme mes tyre. Lajmet për vrasje nga grabitjet po shtoheshin me shpejtësi në çdo qytet të Jugut, nga Korça në Ersekë, Përmet, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë dhe Vlorë.

Dhe mes lajmeve të dhimbshme nga Gjirokastra, mësova se një i afërmi im, oficer, që ishte plagosur rëndë në shpërthimin e tunelit të Kardhiqit, kishte vdekur. Ishte Vladimir Çumaku, një kushëriri im nga qyteti i Gjirokastrës, që kishte kaluar rreth 20 vjet me shërbim në Maliq dhe së fundmi ishte afruar në Gjirokastër. Kishte lënë pas dy fëmijë. Vdiq në një spital në Athinë, ku ishin edhe katër ushtarakë të tjerë të plagosur. E përjetova rëndë humbjen e tij. Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me vizita në shtëpinë e tyre çdo pranverë, kur kisha pushimet e prillit. Dhe Ladi ishte ai që mungonte gjithmonë te shtëpia ku unë shkoja, pasi ishte gjithmonë me shërbim. Ikja kishte shokuar prindërit e tij, të cilët u larguan më shpejt nga jeta prej dëshpërimit. Dhe unë, që kisha pritur kaq herë i vogël ta takoja ndonjëherë në shtëpinë e tij, tanimë që isha i rritur, nuk shkoja dot në vdekjen e tij në Gjirokastër. Rrugët ishin të rrezikshme dhe akoma më të rrezikshme bëheshin po të udhëtoje si gazetar.

Rajmondi, kolegu im i “Zërit të Amerikës” në Gjirokastër, kishte pasur një aventurë të pabesueshme në Qafën e Gjashtës, në Sarandë. Njerëzit që kishin rrëmbyer tanket aty, iu ofruan për taksi deri në Sarandë me tank, kundrejt 50 dollarëve. Kishte hipur mbi tank, sepse ishte mënyra e vetme për të shkuar deri në qytet, në të cilin banditët kishin marrë peng një gazetare greke të “Zërit të Amerikës”. Kur ma përshkruante në telefon tipin që e kishte patur “taksixhi” dhe lehtësinë me të cilin ngiste një tank, duke qenë punëtor i një gomisterie në Tepelenë, e kuptoje se sa pushtet kishte papërgjegjshmëria mbi jetën e atyre qytetarëve në atë zonë.

Një sulm ende i pashpjegueshëm për të qenë grabitje, ishte ai që u bë ndaj një fabrike ende të papërfunduar uji në Grykë të Këlcyrës, ku mbeti i vrarë roja i fabrikës. Fabrika e ujit në Këlcyrë, në Urën e Grykës, ishte investim i dy shtetasve grekë, me origjinë të vjetër nga fshatrat e Përmetit. I pata takuar dhe kisha shkruar për ta në vitin 1994, kur sapo e kishin ngritur fabrikën. Kishin marrë një kredi nga Komuniteti Europian, në kuadrin e programeve për investime në vende kufitare me Komunitetin Europian.

Mbaj mend që ishin shumë entuziastë për cilësinë e ujit dhe të ardhmen e investimit. Njëri prej tyre kishte qenë edhe futbollist i njohur në Greqi. Pas sulmit mbi fabrikë, ajo mbeti e mbyllur dhe investitorët grekë nuk u kthyen më aty. Investimi mbeti për vite i braktisur, thuajse pa u kujdesur askush. Dhe, fare papritur, në vitin 2007, dhjetë vjet më pas, në krah të saj mbiu një fabrikë tjetër uji, e ndërtuar thuajse fillimisht pa leje mbi toka me pronarë të vjetër. Më pas biznesmeni në ujdi me pushtetin lokal, pas një telefonate të Sali Berishës për kryetarin e Bashkisë së Këlcyrës, e zgjidhi problemin. Komuna ua ndau tokën me ligjin 7501, dhe biznesmeni ua blinte një ditë më pas.

Fabrika, ndryshe nga e vjetra, që ishte thuajse e fshehur mes shkëmbinjve buzë lumit, është shfaqur në buzë të rrugës dhe kishte shkatërruar gjithë pamjen turistike të Grykës. Investitori i saj i ri, i hoqi shpejt gjithë telashet nga rruga. Në një pritje nga ato të bamirësisë që bën Liri Berisha, kishte dalë foto me të dhe me foton e saj dhe të së bijës në xhamin e makinës, thyente me lehtësi çdo pengesë për të zaptuar tokën, burimin dhe më pas, për ta legalizuar gjithë investimin. Tashmë në Grykën e Këlcyrës është një fabrikë e vjetër, e braktisur, një gur përkujtimor për rojën e vrarë në vitin 1997 nga një anarki që mban dhe emrin e Sali Berishës, dhe një tjetër fabrikë e re, moderne, e ndërtuar në vitin 2007 nën lidhjet e përfolura me familjen Berisha, një simbolikë e hidhur kjo për të gjitha palët…