Kapexhiu bën sintezën karikaturale të stafetës në krye të SHISH-it

0
28

ResPublica.al, 11 gusht 2012

Gazetarja Aleksandra Bogdani e së përditshmes Mapo jep një version tjetër të shkarkimit të Bahri Shaqirit, një version të ndryshëm nga ai që jepte Lorenc Vangjeli në revistën Java. Kreu i SHISH-it ka qenë duke grahur makinën diku afër Durrësit, kur i ka ardhur një telefonatë nga Presidenca e zëri në telefon e ka bërë më dije se duhej të kthehej në Tiranë. Është kthyer, është informuar mbi atë që ish vendosur, ka shkuar në zyrë, ka thirrur do bashkëpuntorë, i ka informuar dhe ata mbi dekretin e Presidentit, ka pritur Visho Ajazin, i ka dorëzuar “çelësat” e zyrës, dhe pas kësaj u është kthyer punëve të veta tanimë private.

Mapo shpjegon dhe se si kanë rrjedhur gjërat për të mbërritur deri tek dekreti i shkarkimit. Çdo gjë është kryer shpejt e shpejt, fare papritur. Kryeministri ka propozuar, dhe është nisur për Dhërmi, Presidenti ish nisur për Pogradec, por është vonuar një copë herë sa për të hedhur firmën në një dekret fjalëpak, dhe kjo ka qenë e gjitha. Fabulën, më mirë se çdo raportim gazetaresk, e sintetizon karikatura e Kapexhiut që ish publikuar në faqen e parë të Mapos, dhe kish zënë më shumë se ½ e kësaj faqeje.

E.G.