Majko: Shqipëria drejtohet tani nga një njeri i vetëm

0
34

TemA, 11 Gusht 2012

Rreth 400 të rinj të FRESSH nga e gjithë Shqipëria kanë zgjedhur kampin veror në Jalë për të pushuar në këto ditë vere. Por këto ditë ata nuk po i shfrytëzojnë vetëm për pushime, por edhe për të diskutuar, për të ndërtuar një axhendë rreth aktiviteteve që ky forum do të kryejë në këtë vit politik. E në fakt të rinjtë eurosocialistë nuk kanë qenë vetëm. Atyre u janë bashkuar në ditë të veçanta dhe përfaqësues të lartë të PS, deputetë, të cilët kanë ndarë me të rinjtë vizionin e Partisë Socialiste, u kanë dhënë këshilla, por gjithashtu edhe u janë përgjigjur mjaft pyetjeve që të rinjtë kanë pasur.

I pari që ka ndarë një ditë me të rinjtë e FRESSH-it ka qenë deputeti Pandeli Majko. Në një pozicion më të veçantë, si ish kryetar i FRESSH, Majko ndjen një lloj afrimiteti më të madh me të rinjtë dhe është më i përfshirë në ecurinë e FRESSH. Pikërisht për këto arsye ka qenë shumë i madh edhe interesi i të rinjve në bashkëbisedimin e zhvilluar me deputetin Majko. Disa prej të rinjve eurosocialistë e kanë pyetur për situatën politike në vend, për problemet e ndryshme që ka vendi sot dhe për vendimet e fundit që janë marrë në sferën politike. Kështu imuniteti, referendum për heqjen e imunitetit dhe referendumi për plehrat, dekreti i Presidentit për ndryshimin e kreut të SHISH-it, kanë qenë disa nga temat kryesore ku është fokusuar ky bashkëbisedim.

Në përgjigje të pyetjeve për çështjen e heqjes e imunitetit, deputeti Majko u shpreh se fakti më shqetësues që lidhet drejtpërdrejtë me imunitetin, është që krerët e institucioneve kryesore të vendit emërohen nga një parti. “Ajo që duhet të na shqetësojë më shumë është, ore po ç’ janë këta qeveritarë që nuk kanë frikë. Sepse realisht sot çjerrja më e madhe për këtë çështje është nga qeveritarët që thonë s’kemi frikë, hajde na hetoni! Problem është shumë i thjeshtë, sepse sot jetojmë në një vend ku gjykatësit, prokurorin, sot edhe kryetarin e SHISH-it, edhe presidentin para disa javësh e emëron një parti.”

Deputeti Majko u shpreh se gjithë emërimet e fundit në institucionet kryesore të vendit nuk vijnë si pasojë e një gabimi, por sepse vendi tashmë është nën urdhrat e këtij njeriu. Ky njeri është ai i cili emëroi dhe kreun e SHISH, ky njeri është po ai që kërkon të vendosë se kur dhe pse mund të bëhen referendumet, pa marrë parasysh firmën popullore. “SHISH ishte institucioni i fundit, drejtuesi i të cilit nuk ishte ndryshuar nga viti 2005. Me dekretimin të Presidentit të Republikës të ish zëvendësit të Gazidedes, para vitit ’97, ne kemi një histori shtetërore që nga maja deri në fund është kthyer në një institucion monokratik, nën urdhrat e një njeriu.

Ne themi që kemi një Republikë parlamentare, që kemi një President, që kemi parlament, që kemi Gjykatë Kushtetuese, që kemi Gjykatë të Lartë, që kemi institucione të pavarura, por në terma konkret për fat të keq, ne duhet ti themi vetes që ky vend është nën urdhrat e një njeriu. Nën urdhrat e një njeriu i cili në fakt nuk është duke bërë një gabim. Sepse gabimi vjen nga padija në disa raste, gabimi që vjen nga interesa politike të caktuara, por për rastin e kryeministrit aktual është një histori e përsëritur. Një histori e përsëritur nuk mund të jetë një gabim. Drejtimi nga një individ po ndodh në shoqërinë shqiptare.

Ne kemi një tërësi shoqatash të shoqërisë civile dhe njerëz me influencë në të që kërkojnë me firmën popullore një referendum për çështjen e plehrave në njërin krah dhe KQZ i thotë jo, pavarësisht edhe pse komuniteti ndërkombëtar pati një lloj ndërhyrje, nëse mund të flitet kështu. Në krahun tjetër vetëm pas një debati me urgjencë në datën 6 gusht për imunitetin, sapo e tha kryeministri që do të kemi një referendum, menjëherë filluan përgatitjet proceduriale a thua se ajo çfarë u diskutua për referendumin e plehrave nuk ekziston.”