Nga Tema
Mbi 100 mijë protestues ‘pushtojnë’ sheshin “Skënderbej” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ngrihen çadrat para Kryeministrisë. Edi Rama qëndron në çadër deri sot në mëngjes bashkë me qytetarë e deputetë socialistë, por edhe aleatë të PS. Protesta do të vazhdojë 50 orë. Socialistët deklarojnë se do të vazhdojnë protestën me muaj deri në arritjen e qëllimit, hapjen e kutive ose rrëzimin e qeverisë Berisha-Meta
Elektorati shqiptar i është përgjigjur dje masivisht thirrjes së opozitës për të kërkuar në shesh hapjen e kutive të votimit. Një numër i madh protestuesish kanë mbushur dje hapësirën nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin para Kryeministrisë, ku dhe ishte vendosur tribuna, ku krerët e opozitës i bënë thirrje qeverisë Berisha të hapë kutitë e votimeve të 28 qershorit ose do të rrëzohet me forcë nga pushteti. Krerët kryesorë të PS dhe partive të tjera aleate të saj dëshmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar deri në fund betejën me qeverinë Meta-Berisha, deri në rrëzimin e saj ose hapjen e kutive të votimit, kërkesë e opozitës, e nisur menjëherë pas zgjedhjeve të 28 qershorit.
Kryetari i PS, Edi Rama, tha në protestën e djeshme se, në rast se Berisha nuk do të plotësojë kërkesat e opozitës, atëherë kjo e fundit do të përdorë forcën për të rrëzuar qeverinë Berisha. “Shkurt dhe troç, në qoftë se kutitë do të mbahen të mbyllura, ne do të përdorim forcën për largimin e qeverisë deri në zgjedhje të parakohshme. Do të përdorim një të drejtë që nuk na e ndalon dot askush”, – tha Rama.
Përveç Ramës, edhe krerë të tjerë të koalicionit kanë folën me tone të ashpra kërcënuese ndaj qeverisë Berisha, duke dëshmuar vendosmërinë për plotësimin e kërkesave të tyre ose rrëzimin e qeverisë Berisha. Ndërsa kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, tha dje se kjo është protestë e bërë në emër të lirisë së mohuar.
“Kjo është protesta më e madhe e bërë në emër të lirisë, kjo na ka nxjerrë në shesh për t’u kthyer shqiptarëve rrugën e humbur dhe lirinë e mohuar. Sot ju denonconi krimin e Berishës me këtë pjesëmarrje masive. E keqja është më e rrezikshme së vdekja. Ne jemi të bashkuar për t’i thënë ndal të keqes më të madhe që është Sali Berisha. Kam një ëndërr që shqiptarët të jenë të lirë dhe të jetojnë të lirë në vendin e tyre. Shqipëria të jetë një shtet evropian i lirë, atëherë ja ku jemi, ju dhe gjithë Shqipëria le të rrëzojmë sot tiraninë në Shqipëri, duke e detyruar sot tiranin të hapë kutitë e votimit”.
Çadrat e opozitës, para Kryeministrisë
Protesta ka nisur me një incident, pasi dikush ka tentuar të provokojë protestuesit. Më pas turma ka rrjedhur drejt bulevardit.
Pas fjalimeve të krerëve të opozitës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka nisur menjëherë ngritja e çadrave, në të cilat do të qëndrojnë përgjatë natës dhe ditët në vazhdim qytetarë dhe deputetë socialistë, bashkë me kryetarin e PS, Edi Rama, por dhe krerë të tjerë të opozitës. Protesta e opozitës parashikohet të zgjasë 50 orë, që nga dje pasdite dhe gjithçka do të jetë e përqendruar ne sheshin para Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit.
Deputetët socialistë janë angazhuar me organizimin e protestës, protestë kjo e një modeli të ri të papraktikuar më parë në Shqipëri. Pas fjalës së Ramës, i cili përmbylli edhe fazën e parë të nisjes së protestës maratonë të PS, deputetët socialistë nisën menjëherë ngritjen e çadrave, ku do të qëndrojnë qytetarë e deputetë të PS. Deputetë dhe qytetarët do të zëvendësojnë njëri-tjetrin për gjatë tri ditëve të ardhshme për të mbajtur ritmin e protestës, me qëllim plotësimin e kërkesave të opozitës për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
“Protesta do të zgjasë 50 orë rresht, ku deputetë dhe mbështetës do të jenë me ne për t’i treguar Berishës që kërkojmë, jo thjesht hapjen e kutive, por zbulimin e krimit të tij”, – tha dje për mediet deputeti socialist Taulant Balla, i cili është angazhuar me organizimin e ngritjes dhe funksionimit të çadrave, në të cilat do të qëndrojnë këto tri ditë socialistët protestues. Balla tha se kryetari i PS, Edi Rama, do të qëndrojë në çadër deri sot në orën 8:00, ndërsa të dielën në orën 18:00 do të jetë pika kulminante e protestës. “Të dielën do të jetë pika kulminante e kësaj proteste. Në kutitë nuk fshihen vetëm votat, por edhe krimet e Berishës dhe Familjes së tij. Ai refuzon kërkesën, se në ato kuti fshihet e vërteta e maskarallëqeve që Berisha ka bërë në 4 vite”, – u shpreh Balla. Deputetët e PS deklaruan dje në sheshin para Kryeministrisë se, në rast se Berisha nuk do të pranojë hapjen e kutive, protesta e socialistëve do të vazhdojë me muaj deri në arritjen e qëllimit, hapjen e kutive ose rrëzimin e qeverisë Berisha-Meta.
Berisha shfaqet në dritare
Kryeministri duket se e ka bërë traditë që protestat e opozitës t’i ndjekë dhe nga zyra e tij. Kështu ka vepruar ai me protestën e mbrëmshme, kur është shfaqur në dritare duke i përshëndetur protestuesit me dorë.
Këtë gjest kryeministri e ka bërë dhe gjatë një tjetër proteste të opozitës.
Gjatë kësaj kohe Berisha ka përsëritur vazhdimisht se nuk ka ndërmend të pranojë kërkesat e opozitës dhe se vendimi i BE për pranimin e aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, është një vulë për procesin zgjedhor.
SHBA: Mbështesim lirinë e tubimit, palët të mos krijojnë probleme
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë përmes një deklarate u ka bërë thirrje palëve për qetësi. Ajo ka deklaruar se mbështet të drejtën për tubime dhe lirinë e shprehjes.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe tubimit për të gjithë njerëzit. Një shprehje e tillë duhet të jetë paqësore dhe të mos cenojë të drejtat e të tjerëve. I bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, si ata që marrin pjesë në protesta, edhe ata që kanë përgjegjësi të ruajnë rendin, të ushtrojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre me qetësi dhe respekt”, – thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.