Bashkëqeverisja Fino-Berisha

0
48

Nga Mero Baze

Pjesë nga libri “Viti ‘97”

Nëse ka një zgjedhje tërësisht të goditur për dikë që duhej të ishte në krye të qeverisë më 9 mars, ky ka qenë Bashkim Finoja. Atë ditë që u projektua emri i tij, ndoshta askush nuk i kishte parasysh të gjithë cilësitë e duhura të tij për të qenë partner i Sali Berishës në ditët e tij më të këqija dhe të arrinte të mos bënte ndonjë dëm të madh. Pragmatist, njerëzor, me profil jo shumë të lartë, i gatshëm për kompromise të vogla, realist për zhvillimet politike, jo shumë konformist me partinë e tij, babaxhan në dukje, por jo aq i pastërvitur në shqisat politike, Bashkim Finoja dukej se ishte amortizatori më i mirë i përplasjes që mund të prishte qeverinë e tij dhe të Sali Berishës.

Keqkuptimi i madh i debatit politik për bashkëqeverisjen Fino-Berisha është se në debatin publik duket pak e besueshme ajo që shpesh Bashkim Finoja thotë për Sali Berishën: që e ka shpëtuar në ditë të vështira. Shumë veta mendojnë se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga komitetet e Jugut apo nga njerëzit e armatosur.

E vërteta e pabesueshme tani është se Bashkim Finoja e ka shpëtuar Sali Berishën nga vendosmëria e ShBA-ve për ta larguar nga politika. Një javë pas formimit të kabinetit, ShBA-të dukeshin të vendosura ta largonin Berishën, por avokati i madh i këtij të fundit u bë Bashkim Finoja, pa vetëdijen e duhur se çfarë po bënte. Po ashtu Berisha u ndje i izoluar keqazi, nga vizita e Romano Prodit në Vlorë, i cili injoroi tërësisht Berishën dhe u përpoq të qetësonte qytetin e protestave.

Falë anarkisë në Vlorë, truprojë personale e tij u bë Zani Çaushi. Rai Tre transmetoi një reportazh të gjatë ku Zani fliste për të ardhmen e Vlorës dhe vizitën e Prodit. Përkthente Dashamir Tahiri, një biznesmen që kishte lidhje të forta me njerëzit e armatosur. Ishte më i prerë dhe më i qartë kundër Berishës se sa Zani Çaushi. Më kujtohet shpesh kjo skenë, kur shikoj tani që ky biznesmen është deputet i kolaicionit të Sali Berishës, dalë nga zgjedhjet e 29 Qershorit 2009.

Kabineti i Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, ishte më qesharaku në historinë e Shqipërisë, për sa i përkiste mënyrës se si funksiononte. Qeveria ishte një grup teknicienësh dhe krah tyre, në çdo mbledhje, rrinin “komisarët” e partive, ata që merrnin vendimin politik dhe parimor për atë çfarë diskutohej në mbledhje. Por kjo nuk e pengonte aspak kryeministrin e ri, me disa vjehrra në shtëpi, që t’ia dilte mbanë… Nervozizmi që ngjallte në shoqëri mungesa e eficiencës së qeverisë dhe vazhdimi i destabilizimit, nuk përjetohej dhe aq keq nga vetë Bashkim Finoja. Shumë bastione të PD-së filluan të ndienin butë-butë humbjen e pushtetit dhe nervozizmi i tyre ndaj kryeministrit që nuk të linte rast ta merrje inat, po rritej.

Më 5 prill, në përpjekje për të shkuar në Shkodër, Bashkim Finoja u ndalua nga një grup militantësh të PD-së, si për t’i treguar se nuk ishte kryeministri i gjithë shqiptarëve. Rreth 50 vetë, në afërsi të Bushatit, i zunë rrugën kryeministrit. Reaksioni ishte i menjëhershëm. Edhe pse partitë u duk sikur e dënuan të gjitha njëzëri, demokratët dyshonin se shkuarja në Shkodër ishte një pretekst që Bashkim Finoja të shkonte më pas dhe të takonte zyrtarisht komitetet në Jug.

Zyrtarisht, agresorët e kryeministrit dukej se e kishin gjetur një motiv politik. Ata thoshin se rreth 120 persona nga Veriu mbaheshin peng në Sarandë, Vlorë dhe Tepelenë nga komitetet e shpëtimit dhe se qeveria nuk kishte bërë asgjë për t’i liruar ata. Në të vërtetë, dukej se luhej me gjysmë të vërtetat. Në Jug ishin keqtrajtuar qytetarë, disa herë deri dhe në masakrim, thjesht se ishin veriorë. Një qytetar të tillë e intervistova vetë, disa muaj më vonë. Bëhej fjalë për një qytetar nga Kukësi, që vinte nga Greqia dhe kishte përfunduar në duart e Komitetit të Shpëtimit në Sarandë, i cili dëshmoi për tortura çnjerëzore, deri në heqje thonjsh. Po ashtu, një oficer i Gardës së Republikës, që shoqëronte Sali Berishën, u mor peng në Tepelenë. Ndërsa në Vlorë, u mbajt disa ditë dhe u lëshua, me ndërhyrjen e një sekti murgeshash, kufoma e ish inspektorit të SkIK-ut, Lekë Çokut, i vrarë aty gjatë natës së 28 shkurtit. Mund të kishte edhe qytetarë të tjerë që kishin humbur në anarkinë e atyre viseve, por nuk kishte asgjë të organizuar. Pra, nuk kishte ndonjë strategji, ndonjë listë apo ndonjë veprim në bllok kundër veriorëve, edhe pse “kryeveriorin” Sali Berisha e kishin objektiv të tyre. Ndaj, në këtë kontekst, justifikimi i tyre ishte më shumë një përpjekje e PD-së për të përdorur kartën e ndarjes Jug-Veri në ato ditë, se sa si arsyetim për njerëzit që kishin zënë rrugën dhe që, jam i sigurt, nuk kishin qenë ndonjëherë në Jug.

Ndërkaq, pati një reagim të fortë ndërkombëtar, ku u shqua intervista e ashpër e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Nikolas Bërns, i cili e konsideroi incidentin një përpjekje të qëllimshme për të minuar Qeverinë e Pajtimit Kombëtar. Dyshimi më i madh që kishin amerikanët, por dhe perëndimorët e tjerë në atë kohë, ishte se mos Berisha e konsideronte të kryer emergjencën dhe donte të rrëzonte qeverinë. Për këtë arsye, qëndrimi i tyre ishte kategorik pro kryeministrit Bashkim Fino dhe e fajësonin thuajse direkt Berishën për atë që ndodhte. Ministria e Brendshme nisi njëfarë hetimi, që nuk e përfundoi kurrë. Pati edhe një debat në mbledhjen e qeverisë, dy ditë më pas, por pa rezultat. E vetmja masë ishte shkarkimi i shefit të Komisariatit të Shkodrës dhe zëvendësimi i tij me një tjetër; një ngjarje që u kundërshtua me armë në Shkodër. Një ditë pas ndryshimeve, Komisariati i Shkodrës u sulmua. Një polic mbeti i vrarë, një tjetër u plagos, ndërsa një makinë policie u shkatërrua.

Ndërkohë që këto debate mbushnin ekranet e Shqipërisë dhe Perëndimit, qytetarët shqiptarë, sidomos pensionistët dhe administrata, po kalonin muajin e parë pa rroga, për shkak të shkatërrimit të bankave në Jug dhe djegies së zyrave. Ministri i Financave, Arben Malaj, filloi të shfaqej në ekran për t’i qetësuar njerëzit. Situata ishte ende larg stabilizimit.

Në përpjekje për ta larguar vëmendjen nga “leksioni” ndaj kryeministrit, Sali Berisha përdori mbledhjen e zakonshme të qeverisë, më 7 prill, si dhe rekomandimet e Këshillit të Europës për të diskutuar mbi ligjin e ri elektoral dhe mundësinë e bërjes së vendit me kushtetutë. Kërkesa ishte si një rrufe në qiell të pastër. Në vendin ku rendi kushtetues ishte përmbysur dhe presidentit i kishte ikur kontrolli mbi institucionet, çelja e një debati për Kushtetutën dukej si luks i tepërt. Bisedova disa herë gjatë asaj dite me Berishën rreth kësaj deklarate,

por dukej i vendosur në atë që thoshte.

– E di që është kohë e keqe, – tha, – por kurrë nuk kemi për të qenë në një qeveri dhe nuk ka më mirë se sa tani për ta bërë Kushtetutën.

Herë-herë nuk më dukej arsyetim i keq, por në të vërtetë zotëronte ideja se ndoshta i duhej për të treguar një dimension shtetari, në atë keqkatandisje që kishte imazhi i tij si President ato ditë, një imazh që kish nisur të rrënohej qysh më 1994, pikërisht nga humbja e referendumit për Kushtetutën e vendit.

Rexhep Mejdani dhe Pandeli Majko e hodhën poshtë propozimin për Kushtetutë. Majkoja ishte më racional në arsyetimet e veta. Së pari, ai theksoi se Partia Socialiste mbështet Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, e cila nuk ka objektiv Kushtetutën. Së dyti, nga pikëpamja etike, Kushtetuta nuk mund të miratohej me tanke në rrugë.

Berisha nuk e vazhdoi më tej debatin, por nuk harronte ta mbronte këtë tezë, sa herë ia përmendnin. Madje kjo temë u përfshi edhe në rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD-së, që u mbajt më 12 prill. Këshilli Kombëtar, që vazhdoi për dy ditë, njohu përgjegjësinë e qeverisë së PD-së për situatën e krijuar dhe pranoi se shteti nuk ishte i përgatitur për një situatë të tillë. Për ta bërë më ilustruese përgjegjësinë e përciptë që kishte PD-ja për rënien e shtetit, rezoluta theksonte se “faji i zjarrvënësit nuk mund të barazohet me përgjegjësit e zjarrfikësit”. Dukej qartë se në fokus nuk ishte përgjegjësia, por pafuqia për të përballuar një rebelim të armatosur.

Dhe, ndërsa vala e anarkisë po binte në rrugë, vala e kundërshtisë ndaj Berishës po rritej brenda PD-së. Një grup ish-zyrtarësh të saj, kryesisht ish-ministra, në një promemorie të tyre, kërkuan përgjegjësi nga Sali Berisha për ftohjen e marrëdhënieve me qeverinë e ShBA-ve dhe zhytjen e vendit në anarki.

Në përgjigje të tyre, Sali Berisha mbajti më 12 prill, para Këshillit Kombëtar, një fjalim ku i mëshonte fort idesë së Shqipërisë europiane dhe përparësisë që duhej t’u jepej aty e tutje marrëdhënieve me Europën, në raport me ato me ShBA-të. Ngjante pak me një lojë kalamajsh, që nuk nervozonte askënd, përveçse bezdiste diplomatët me logjikën e vjetër të luftës së ftohtë. Në të vërtetë, ShBA-të dhe Europa nuk kishin asgjë për të ndarë në këtë vend e, për më tepër, në atë kohë. Të dyja palët bashkoheshin te nevoja për të stabilizuar vendin, për të ndërtuar institucione dhe natyrisht, për të ruajtur orientimin perëndimor të tij. Përpjekja e Berishës për të hyrë në mes, ishte thjesht një detaj që u dëshmonte atyre nervozizmin me të cilin ai vazhdonte ta shikonte origjinën e krizës në raportet me ShBA-të. Vetë Berisha ishte i qartë për këtë dhe as që priste ndonjë reagim. Ai po e konsumonte këtë tezë për përdorim të brendshëm, që të nguliste në mendjen e mbështetësve të tij se dështimi i qeverisjes erdhi nga një skemë komploti dhe kryesisht nga përtej oqeanit.

Historia e raporteve të tij me drejtuesit e lobit grek në ShBA, përkeqësimi i kredencialeve me qeverinë amerikane për shkak të zgjedhjeve dhe kombinimin që ai në të vërtetë u bëri këtyre dy zhvillimeve, krijuan në sytë e mbështetësve të tij një fasadë të besueshme për një faktor të jashtëm amerikan kundër tij.

Në këtë aspekt, për të ishte shqetësuese që disa ish-ministra dhe zyrtarë të lartë të PD-së po përpiqeshin ta mbanin të gozhduar pikërisht aty, duke e detyruar të shprehej për shkakun e prishjes së raporteve me ShBA-të.

Një ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, ministri më i besuar i tij, Safet Zhulali, i cili ndërkohë ishte arratisur në Itali me një peshkarexhë, shpërndau për median një deklaratë për shtyp, në të cilën fajësonte Berishën dhe politikën e PD-së për mënyrën se si tentuan ta përballonin atë që quhej rebelim i armatosur. Zhulali tha se ishte i gatshëm të ballafaqohej në vend me drejtësinë për përgjegjësitë e tij, por ritheksoi se politika e PD-së dhe futja e saj në konflikt me aleatët perëndimorë, e sidomos me ShBA-të, ishte fatale për autoritetin e qeverisjes.

Dhe, si për t’u dhënë përgjigje zyrtare gjithë këtyre zërave, Këshilli Kombëtar, po ashtu, miratoi një rezolutë ndaj ish-zyrtarëve të PD-së, ku i akuzonte ata për një “raport të pandershëm” me këtë parti, si dhe përgjegjësitë e tyre për keqqeverisjen e vendit. Tre ish-zëvendëskryeministrat, Bashkim Kopliku, Dashamir Shehi dhe Dylber Vrioni, nuk fituan më si anëtarë të Këshillit Kombëtar, ndërsa Safet Zhulali u përjashtua si dezertor.

Mes problemeve të brendshme në PD, të cilat po përpiqej t’i mbyllte me dorë të hekurt, Berisha po ashtu po përpiqej të mbante ndezur tensione të vogla me kryeministrin Fino dhe të mbante sidomos nën presion të ngarkuarin special të OSBE-së, Franc Vranicki. Ndërsa për Bashkim Finon dukej se bllokimi në Shkodër ishte leksioni i parë, për Franc Vranickin sulmi i parë nisi para se ai të mbërrinte zyrtarisht në Shqipëri, për të filluar misionin normal, në mes të prillit. Më 11 prill, ai paraqiti raportin përfundimtar në Këshillin e Përgjithshëm të OSBE-së në Vjenë, lidhur me detyrat që do të kishte forca shumëkombëshe që do të nisej atë ditë drejt Shqipërisë. Vranicki foli për rivendosje të rendit publik dhe zgjedhjet e qershorit. Por zëdhënësja e tij, Melisa Fleming, e turbulloi qetësinë e Berishës, kur foli pa ndonjë emocion rreth takimeve që Vranicki pati me përfaqësues të komiteteve të shpëtimit në muajin Mars, në Vlorë, si dhe neutralitetin që kishte OSBE-ja, nëse edhe qeveria shqiptare takohej me këta njerëz. Sipas saj, zoti Vranicki “do të vazhdojë të përpiqet që të kuptojë sa më mirë konfliktin dhe krizën në Shqipëri dhe që ta bëjë këtë, ai do të ketë nevojë të takohet me forcat e angazhuara”. E gjithë kjo filloi ta trazonte qetësinë e Berishës. Ende pa filluar mbledhjen e Këshillit Kombëtar, më 12 prill, përmes një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme, reagoi ndaj mundësisë së takimeve të zotit Vranicki me krerët e komiteteve. “Qeveria ia ka bërë të qartë zotit Vranicki se drejtuesit e komiteteve janë ekstremistë të majtë dhe shumica kanë qenë drejtues të firmave piramidale”, thuhej në reagimin e ashpër, por pa forcë të Ministrisë së Jashtme.

Ky presion paraprak mbi Vranickin, ende pa shkelur në Tiranë, dukej se bëhej më shumë për t’i treguar se nuk do ta kishte të lehtë të jepte urdhra, pa dëgjuar edhe këshilla. Deklarata e krahut të Berishës në qeveri e ngriti disi tensionin. Filluan reagimet edhe nga pala tjetër, që e kishte gati kërkesën për dorëheqjen e Berishës. Më në fund, Bashkim Finoja kishte folur për një gazetë ditore dhe kishte deklaruar se dorëheqja e Berishës është edhe dorëheqje e tij. Ishte një bashkim i pavullnetshëm fati mes dy partnerëve në atë koalicion të sforcuar, një shpjegim i thjeshtë dhe i sinqertë i kryeministrit Bashkim Fino, se sa pa ide ishte tashmë kërkesa për dorëheqjen e Sali Berishës. Madje, thellë-thellë, shumë socialistë mendonin se, pasi kishte kaluar vala e parë e goditjes së shtetit dhe Berisha kishte rezistuar i vetëm politikisht, me mbërritjen e misionit “Alba”, ndoshta ai ishte penduar për qeverinë e koalicionit dhe mund të ishte ai që i nxiste gjithë këto zëra. Por, pavarësisht kësaj, shihej qartë se dyshja Berisha-Fino po funksiononte edhe në aspektin personal. Flisnin me njëri-tjetrin në telefon, nuk ishin të acaruar dhe e ruanin njëri-tjetrin në publik.

Pikërisht në një nga ato net prilli, Bashkim Fino trokiti në zyrën e Sali Berishës për të zgjidhur një çështje që kishte qenë ngërçi i raporteve të Berishës me opozitën. Duhej të gjenin një kandidaturë për shef të ShIK-ut, në vend të Bashkim Gazidedes, që ndërkohë kishte ikur nga detyra dhe po bëhej gati të linte Shqipërinë. Pas tij, ishte ngarkuar në krye të ShIK-ut një ish-cartës i tij, që në të vërtetë po merrte në dorë një institucion të shpartalluar. Pasi Berisha kishte refuzuar Arben Rakipin dhe dukej se nuk kishte sy të pranonte as njerëz të tjerë, një natë, Bashkim Finoja e mori në telefon dhe i tha se e kishte gjetur kandidaturën. Kështu, të paktën, ma shpjegoi Berisha, i xhindosur, të nesërmen. E kishte marrë në telefon dhe i kishte thënë: “E gjeta! Ke për të parë, ka për të të pëlqyer”. Pas pak minutash, Bashkim Finoja kishte hyrë në zyrën e Sali Berishës me “asin” nën mëngë. “Eduard Ypin”, i kishte thënë. “Pse të mos e bëjmë këtë kryetar të ShIK-ut? Ti e ke ministrin tënd dhe ne jemi dakord”.

– Unë u shokova, – po më shpjegonte Berisha. – Si ishte e mundur që, ministrin tim, të vinte e të ma propozonte kundërshtari për postin më delikat?! Domethënë, nuk ishte imi!

Pra, kishte nisur pazari i të tijve me palën tjetër. Kjo dukej se e kishte tmerruar dhe nuk pushonte së vjelli vrer ndaj Eduard Ypit. Unë vazhdoja të mos e njihja mirë këtë njeri. Më kujtohej skena e 26 majit në PD, shoqëria e tij me Fahri Balliun dhe ndërhyrja për t’ia sponsorizuar librin për Berishën me lekët e fondacionit “Xhaferri” dhe prania e tij e re në qeverinë Fino, si ministër i PD-së. Asgjë më shumë. Vëllain e tij, Edisonin, e njihja prej vitesh, ndoshta në fund të viteve tetëdhjetë, kur Tirana gëlonte nga tipa të tillë, që e lidhnin “kryeqytetin” me “studentët’ dhe që kërkonin të çudisnin njëri-tjetrin. Kisha dëgjuar po ashtu, kur isha në Burrel, disa momente të gjykimit të Eduard Ypit, që shumë njerëz i tregonin me dhimbje dhe respekt për të. Disa gjeste jo solidare të vëllait të vet gjatë hetimit dhe gjykimit, dhe ndoshta diçka më e rëndë që mund të kish ngjarë mes tyre, i mbante ata larg njëri-tjetrit. Edisoni nuk fliste kurrë për të dhe dukej se kishte një peng.

– Ka qenë spiun ky, e di ti? – më pyeti papritur Berisha.

– Kush, Eduardi? – i thashë.

– Po, ka qenë spiun dhe duket që qenka i tyre, – vazhdoi Berisha.

– Po pse e vure prapë ministër, kur e ke ditur? – e pyeta ndërkaq.

– Kam menduar se është ndarë nga e shkuara, por nuk qenka fat. Njeri i dobët shumë!

Në të vërtetë, i gjithë tërbimi i Berishës nuk kishte të bënte as me ato që fliste rreth së shkuarës së Ypit, as me faktin se ai mund të ishte njeri i socialistëve, por me faktin që kryeministri socialist ishte kthyer pak nga pak në qendër pushteti, ku po trokisnin dhe njerëzit e tij. Kjo e kishte xhindosur Berishën dhe gjithë këtë xhindosje e mori përsipër ta vuante Eduard Ypi. Berisha jo vetëm që nuk ia pranoi propozimin Bashkim Finos, por ndërpreu menjëherë çdo kontakt me Eduard Ypin, duke e shpallur atë të padëshirueshëm, pa shumë shpjegime. Vetë Bashkim Finoja ishte çuditur nga refuzimi i Berishës, por ja që nuk kishte se çfarë t’i bënte. Ndërkohë, Spartak Ngjela më përshkroi hutimin e Bashkim Finos nga sjellja e Berishës.

– Nuk e kuptonte pse për Arben Rakipin reagoi butë dhe ndaj Ypit aq egër, – më tha Ngjela. – Hë, ende nuk e kupton dot lojën Finoja! E di se Berisha po përpiqet të gjejë kryetarin e ShIK-ut. Por ai e ka kryetarin. Ai po përpiqet të mos ia marrin këta.

Disa vite më vonë, kur Eduard Ypi donte të kthehej me ngulm në PD, sidomos në fillim të viteve 2000, unë ngulmova disa herë pranë Berishës që ta afronte, por ai më kujtonte mesin e prillit të vitit 1997 dhe tërhiqesha.

Eduard Ypi ma kërkonte me ngulm arsyen e “jo”-së. Ma kërkonte si kureshtje, si makth, si dëshpërim dhe, mbi të gjitha, si habi që nuk pranohej ende shërbimi që ai donte të bënte.

– Të më fusë mua Berisha aty, – më tha një ditë, – pa ia tregoj unë këtij Kuqos…

Ishte fjala për Pollon, i cili sapo kishte ikur nga PD-ja. Kishte angazhuar sërish edhe Fahri Balliun, që të kuptonte prej meje se kush ishte shkaku. Ia thashë Balliut. Ky u kënaq shumë dhe i dha njëqind për qind të drejtë Berishës.

Në të vërtetë, unë ia tregova njëherë Berishës, shumë më vonë, por ai kishte sistemin e tij të të vlerësuarit për të kaluarën. Ai kishte tezën që nuk ka thjesht ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit, por bashkëpunëtorë që vazhdojnë t’i shërbejnë Sigurimit dhe të tjerë që nuk i shërbejnë më. Betejën ai e kishte shpallur me ata që i “shërbenin ende”, sipas tij, dhe që ishin ata që zakonisht tradhtonin pushtetin e tij dhe i bashkoheshin opozitës.

– Është me provë kjo, – më thoshte për të disatën herë, kur i kërkoja që të mos i përfshinte më në skemat e tij ata që kishin bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit.

– Është me provë: kush qëndron, nuk ka qenë; kush nuk qëndron tani, ka qenë.

Nën këto komplikime që ia sillte e shkuara dhe rrënimi i pushtetit të tij, Berisha filloi të mbijetonte me partnerë të rinj, duke u dhënë prova që do t’ua tregonte të gjithëve vendin. Me Finon dukej se kishte arritur një farë suksesi, derisa ai, ndoshta dhe nga sinqeriteti i tepruar në atë kohë, publikisht e lidhi fatin e tij me fatin e Berishës. Ndërkohë, misioni “Alba” që po zbarkonte, kishte konsumuar para nisjes më shumë histori lufte nga ç’kishte në të vërtetë në Shqipëri dhe me të mbërritur në tokën shqiptare, prodhuan më shumë barsoleta se aksione të mirëfillta humanitare për stabilizimin e rendit.