Makthi prej SHISH

0
28

Nga Mero Baze, 10 Gusht 2012

Kryetari i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror ka rikthyer debatin politik në vend tek fakti se Berisha ka emëruar në këtë post bashkëpunëtorin më të ngushtë të Bashkim Gazidedes dhe kjo risjellë frikën mbi kthimin e këtij shërbimi në një instrument të rrezikshëm politik siç ka qenë para vitit 1997. Por në të vërtetë ajo që do Berisha nuk është SHIK-u i para 1997-ës, por një kryetar SHISH që t’i heqë makthin që atë shërbim e ka në dorë dikush tjetër.

Raporti i tij me Shërbimin Informativ pas vitit 2005 ka qenë një dramë e fortë për të, pasi ai e ka parë atë si një institucion armik që ka kontrolluar pushtetin e tij. Ishte kjo arsyeja jo vetëm që ai donte vazhdimisht ta fuste nën kontroll, por dhe arsyeja që ngriti institucione të tjera paralele me të, siç është e drejta për të përgjuar e Agim Shehut, Arben Imamit, SHKB, etj.

Në disa momente të vështira të pushtetit të tij, siç ishte Gërdeci apo 21 Janari, Berisha ka përjetuar paranoja të forta se SHISH ka regjistruar gjëra që mund t’i hedhin në erë karrierën e tij. Ai jetoi gjatë me paranojën se SHISH i ofroi medies tabulatet e telefonit të djalit të tij me Delijorgjin dhe informoi median për përfshirjen e djalit të tij në Gërdec. Ai po ashtu ishte i bindur se SHISH alarmoi ndërkombëtarët për veprimtarinë e Damir Fazlliçit dhe përfshirjen e vajzës së tij në pastrimin e pareve që ai bënte me shitjet fallco të kompanive në Shqipëri. Më 21 Janar ai vuante idenë se SHISH kish përgjuar radiot dhe urdhrat e dhëna për hapje zjarri… sa herë që kish një krizë apo manipulim zgjedhjesh Berisha kishte një makth që lidhej me SHISH.

Ndryshe nga hera e parë e pushtetit të tij, Berisha këtë radhë nuk e donte SHISH për të vepruar, por për të mos vepruar kundër tij. Ndaj qysh në fillim ai ka qenë i qartë për një gjë, që në krye të SHISH do të vendoste Visho Ajazin. Ky ishte njeriu kyç që i jepte atij qetësinë e duhur për të mos ia përdorur shërbimin të tjerët. Ky është dhe motivimi kryesor që ai ka për ta emëruar këtë njeri në atë post me çdo kusht.

Në shtator të vitit 2005, kur Berisha kishte vetëm tre ditë që ishte bërë kryeministër dhe iu desh të udhëtonte për në SHBA në sesionin e OKB, të vetmin takim jozyrtar që kishte fiksuar ishte me Visho Ajazin.

Emigranti shqiptar në Kanada, që kish shkuar aty qysh në fund të vitit 1997, kishte mbërritur në New York për një takim informal me Berishën, ndërsa ky i fundit kryente vizitën e tij të parë si kryeministër i rikthyer në pushtet. Unë e shoqëroja Berishën si gazetar dhe Visho Ajazi na priste pranë një universiteti në Bronx, pas takimit që Berisha pati aty me komunitetin shqiptar. Premtimi i Berishës ishte rikthimi i tij në Shqipëri në krye të SHISH. Por pikërisht ndërsa ai ishte në SHBA dhe po përpiqej të bënte një reformë ligjore që ta përfshinte SHISH në listën e institucioneve me emërim direkt nga kryeministri, erdhi reagimi i parë i fortë i SHBA dhe Berisha u tërhoq.

Problemi që kishte Berisha ishte se prej vitit 2005 e deri tani
gjithmonë kemi pasur një dualitet kryeministër- president dhe kjo ka shpëtuar demokracinë shqiptare. Me emërimin e Nishanit në presidence, Berisha u ribë president de facto duke qenë dhe kryeministër dhe e zgjidhi këtë çështje jo me ndryshim ligji, por me ndryshim kandidature.

Të gjitha tentativat për ndryshimin e ligjit Berisha i kishte vetëm në funksion të qëllimit të ndryshimit të kryetarit të SHISH, ndaj dhe i konsideronte me të drejtë keqkuptime hamendjet e aleatëve të NATO-s kundër tij. Dëshira e tij ka qenë e thjeshtë. Donte njeriun e tij në krye të SHISH të flinte gjumë rehat. Dhe ka pasur gjithmonë vetëm një emër, këtë që emëroi.

Duke qenë njeri i tij konfidencial, dhe duke qenë po ashtu një profesionist edhe i fushës së teknologjisë së informacionit, Ajazi është për Berishën kandidatura ideale që i plotëson atij jo vetëm kriterin për të qenë i qetë, por dhe për të shuar kuriozitetin dhe për të vënë nën kontroll kundërshtarët, median, diplomatët dhe gjithkënd tjetër në rrugë jolegale.

Ajazi ka qenë vërtet një mik dhe ndihmës i Gazidedes, por në shumë aspekte është më i aftë se ai për këtë detyrë, pasi është më i ditur për teknologjinë e informacionit, më pak paranojak dhe gjakftohtë, dhe pa ndonjë ambicie tjetër veç faktit që t’i shërbejë Berishës. Me këtë kandidaturë Berisha ka plotësuar atë që ka dashur për SHISH, pra që tua heqë kundërshtarëve nga duart dhe të pastrojë çfarë mund të ketë grumbulluar paraardhësi kundër tij. Për këtë arsye atë nuk e ndali asgjë për ta çuar Ajazin në krye të SHISH, as e shkuara e tij, as karshillëku ndaj amerikanëve dhe as tejngopja me pushtet duke rrëmbyer çdo institucion. SHISH ka qenë makthi i tij shtatëvjeçar, me ato çfarë kish bërë kundër tij kur ishte në opozitë, por sidomos me ato që kish regjistruar kur ishte në pushtet.

Tashmë me Ajazin Berisha mund të informohet lirshëm si e ka përdorur pushteti dikur Genc Pollon kundër tij, si është vendosur arrestimi i tij, mund të shikojë kasetën e vet në polici të Tiranës duke u marrë në pyetje, mund të mësojë kush e ka spiunuar nga partia, mund të mësoj ç’ka regjistruar SHISH për Argitën, Shkëlzenin, Lirinë dhe atë vetë, dhe mbi të gjitha të qetësohet se ato do të zhduken të tëra. Vetëm pas këtij procesi mund të bisedohet me të për arsyet përse iu desh kaq shpejt dhe me kaq motivim kreu i SHISH. Dhe vetëm pas kësaj do të na duhet të shikojmë se përse i duhet tjetër SHISH dhe a ka ndërmend ta rikthejë kohën e Gazidedes apo thjesht ta përdorë si gjurmëfshirës të krimeve të tij.