AK themelon degën në Delvinë. Spahiu: Regjimi i Berishës, kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare

0
25

TemA, 10 Gusht 2012

Qytetarët e pranishëm në takim kanë protestuar në lidhje me shkarkimin e kreut të SHISH

Aleanca KuqeZi ka themelur degën e saj në qytetin e Delvinës.

Kryetari i AK, Kreshnik Spahiu, i pranishëm në këtë aktivitet, foli edhe për çështjen e shkarkimit të kreut të SHISH. Qytetarët u shprehën me tone protestuese në lidhje me këtë çështje.

“Regjimi i Sali Berishës është kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare sepse ai tashmë ka marrë nën kontroll të gjithë institucionet, të cilat ka ditur t’i transformojë në institucionet të dhunës, shantazhit dhe zhdukjes së qytetarëve”, tha Spahiu.

Më tej Spahiu deklaroi se “me vendimin e fundit institucionet e rëndësisë së veçantë tashmë do të jenë të penetrueshme lehtësisht nga qarqet anti-shqiptare që fatkeqësisht janë shumë të afërt me kryeministrin e Shqipërisë dhe jo të shqiptarëve”. “Sali Berisha po përgatitet të mbajë më dhunë e shantazh pushtetin dhe ngjarja e fundit është shëmbëlltyra e Sali Berishës të vërtetë, ai do të përdorë çdo organ dhe strukturë për të qëndruar në pushtet ndaj vetëm bashkimi i shqiptarëve rreth Aleancës KuqeZi është rruga e shpëtimit nga kthetrat e njeriut që po tregon se për 22 vjet nuk ka ndryshuar, është i njëjti, vetëm më i sofistikuar dhe shumë herë më i rrezikshëm së në vitin 1996. Është koha për përballje historike që kuqezinjtë të nxjerrin në pension njeriun më konfliktual të historisë së Shqipërisë”, deklaroi Spahiu.

Lideri i kuqezinjve i bëri apel faktorit ndërkombëtar që të reagojë sa më parë ndaj vendimeve arbitrare të Sali Berishës. Spahiu tha se Berisha po përgatit vitin e “ferrit” për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Aleanca KuqeZi zhvilloi një seri takimesh pas atij të Delvinës. Ksamili, Borshi dhe Himara ishin ndalesat e radhës së Aleancës KuqeZi e cila po strukturon degët e saj në çdo fshat dhe qytet të Shqipërisë.