Adrian Thano
Rexhep Qosja e quan Sali Berishën një autokrat blegtoral. Kjo autokraci blegtorale, gjetiu nuk pi ujë, por në Shqipëri hë për hë mjafton për të qëndruar në pushtet edhe pasi ke vrarë. Madje, nuk vuan shumë të gjesh këtyre anëve të Ballkanit edhe fjalëthurës që do ta quanin kundrejt pagesës përkatëse, blegtoralin e Qoses, politikan të rafinuar.
Në fakt, blegtorali i Qoses është një kafshë pune në politikë, prodhon aq shumë retorikë brenda një dite nëpër media sa homologë të tij gjetiu nuk prodhojnë as në gjashtë muaj. Duket qartë që ai jeton për të bërë politikë (qoftë kjo dhe blegtorale) dhe nuk bën politikë për të jetuar, siç bëjnë kolegët apo rivalët që ka anash, përballë, prapa apo tej kufijve.
Duke pasur të bëjmë, pra, me një njeri që bën politikë edhe kur blen djathë dhie, është naive të mendosh se ripërtypja e dendur që ai po i bën javët e fundit “argumentit zogist” është për nevojat e librave të historisë. Blegtorali i Qoses apo kafsha politike, (të kuptohemi, këtu e kemi fjalën për orët e gjumit), e ka mendjen sërish tek i vetmi ngacmues i serotoninës së tij: pushteti i pafund dhe i pakufizuar.
Por për çfarë i hyn në punë Ahmeti apo i ndjeri Leka? Nuk është fort e vështirë për t’u kuptuar. Me fragmentimin e së djathtës për shkak të lëvizjeve të pritshme të Bamir Topit, Berisha synon (ri)shndërrimin e ndjesive monarkiste në zona të veriut (ndjesi të shpërthyera njëherë në ‘97-n) – në arsye të reja për të votuar partinë e tij të tkurrur tashmë dhe me perspektivë për tkurrje të mëtejshme nga faktori Topi.
Ndaj i jep Lekës së shkretë pas vdekjes “sihariqin” se e paska fituar referendumin për monarki në 97-n, por atëherë qenka zbatuar parimi “ju votoni, unë numëroj” (!) (e thënë nga Berisha kjo fjali është një psiko-thriller më vete).
Gjithsesi, prodhon apo nuk prodhon vota zogizmi apo monarkia, kjo është një përgjigje që nuk e gjen dot lehtë. Dhe në të gjitha rastet, Berisha nuk ka çfarë të humbë dhe as e ka problem të kërcejë nga njëra ideologji te tjetra, nga njëra degë në tjetrën, nga njëri ekstrem sjellje në ekstremin tjetër, nëse bëhet fjalë për pushtetin. Edhe nëse kjo prodhon konflikt apo urrejtje shtesë, çfarë problemi ka? Berisha duket si ato “terminatorët” e fantashkencës që rigjenerohen nga përplasja dhe konflikti u jep jetë.
Edhe vetë grimasat, veprimet apo gjestet e tij, duket sikur marrin kuptim vetëm në kushte konflikti. Paqja e zgjatur me siguri do ta bënte të dukej i çuditshëm. Gjetiu do të kishte një kufi për gjithë këtë. Këtu ende jo. Këtu prej nesër do të dalin fjalëthurësit me pagesë që do flasin për “mbretin e madh” të shqiptarëve. Do flasin për Ahmetin e për Lekën, veçse nuk do ta kenë fjalën për ta. “Muerto el rey, viva el rey”, këtu do na përkthehet “Vdiq mbreti, rroftë… Berisha”.







