Nga Arben Manaj, 9 Gusht 2012
Deklarimi i pasurisë së mamuthëve të politikës shqiptare tashmë e ka humbur sensin e kuriozitetit dhe është shndërruar në versionin veror të Portokallisë.
Gallatë apo hajgare në varësi se në cilën anë të kufirit shtetëror shqiptar, do të ishte fjala e parë që të vjen në mënd, ndërkohë në stomak të shkakton gërditje e nevojë akute për të nxjerrë zorrët.
Mirë që vjedhin dhe pasurohen për dhjetë breza, por këta edhe tallen tërë cinizëm!
Them vjedhin, pasi çdo njeri me logjikë normale dhe jo naivë, e kupton se këta të gjithë nuk janë aq të vobektë sa deklarohen zyrtarisht. Përse e them këtë?
Deduksonin e nxjerr jo nga fakte konkrete normalisht, pasi nuk kam të tilla dhe s’ka sesi t’i kem. Kjo është punë e të tjerëve “që s’janë për atë punë”!
Por, do e elaboroj mendimin nisur nga perceptimi dhe nga mekanizimi i praktikës që dihet tashmë nga të gjithë në Shqipëri, por jo vetëm.
Të mendosh se Kryeministri i Shqipërisë ka vetëm 1 milion e ca lekë të akumuluara është paradoksale!!!
Ka shume naivë ose pseudo-naivë në Shqipëri që predikojnë se Berisha është njeriu më i ndershëm!!!
Po nëse bën miliona euro dhe fiton tendera Fahriu, apo eminenca të tjera gri të Kryeministrit apo edhe shoferi, ministrat dhe njerëz të afërt me të, është e paimagjinueshme që ai të mos përlyhet ose të mos marrë përqindjen e tij.
Edhe nëse për një moment pranojmë argumentin se ai vetë është i pastër dhe lejon të tjerët pranë tij të korruptohen nga lidhjet me pushtetin e tij, sërish është i nakatosur dhe mëkatar për lulëzimin ose neglizhimin e korrupsionit nën hundën e tij. Edhe Lenini do korruptohej në këtë sistem të instaluar të funksionimit të shtetit.
Për analogji të thënies se Fatos Nanos se socialistët nuk ishin budallenj të mos përfitonin gjatë ndarjes së pronës dhe shanseve të pushtetit, edhe demokratikasit nuk janë më pak “budallenj” të mos përfitojnë nga pushteti nën parimin “nëse nuk e shfrytëzon, ç’të duhet pushteti!!!”.
Për naivët, dhe vetëm për ata, do të jap vetëm një element që ndoshta vërteton se shpenzimet e politikanëve janë më të mëdha sesa dietat ose rrogat zyrtare të Berishës, Ramës, Metës and co.
Shikoni vetëm kostumet firmato, kollaret, këmishat, shamitë elegante nëpër xhaketa apo aksesorë të tjerë mode të këtyre të vobektëve.
Minimalisht një kostum normal në Perëndim ose këtu në Londër, kushton nga 300 euro deri në disa mijëra. Këta zotërinjtë i ndërrojnë thuajse çdo ditë kostumet me të cilat dalin çdo mëngjes e mbrëmje përpara shqiptarëve.
Sikur ndonjë televizion do të nxirrte nga arkivi i kronikave televizive të çdo dite, veshjet e ndryshme të tyre gjatë 5-10 vjetëve të fundit dhe në gjysmën e ekranit të vihej shifra minimale e blerjes së tyre dhe automatikisht të bëhej mbledhja e shumës, sa herë ndërronte kostumin secili nga elefantët e politikës, do të shikoni se shuma do të jetë stratosferike dhe demaskuese.
Kjo shumë do të tejkalonte padyshim çdo të ardhur zyrtare të tyre edhe do të rezultonte se ata që nga dita e ardhjes në politikë do të kishin agjëruar dhe jo një muaj, por gjatë tërë mandateve të tyre qeveritare, apo parlamentare.
Pres që dikush ta bëjë këtë dhe personalisht nuk do te habitesha dhe isha kurioz për shifrat pasi i marr me mënd. Nëse thonë se janë dhurata, edhe këto duhen deklaruar për këtë kategori personash publik.
Unë jetoj prej 20 vjetësh në Perëndim dhe kam pasur një rrogë nga BBC-ja mëse komode, shumë mbi mesataren e anglezëve dhe të ardhura nga aktivitete të tjera biznesi të deklaruara, dhe nuk kam aq shumë kostume sa këta zotërinj të një prej vendeve më të varfra në Evropë dhe me rroga që zyrtarisht nuk i afrohen edhe sot rrogës time, ende më e lartë sesa çdo e tillë në shtetin e sotëm shqiptar.
Nuk po flas për shtëpitë, për pushimet jashtë shtetit, makinat luksoze e xhipat, vilat etj, etj që ata kanë. Kjo vlen edhe për z.Rama apo z.Meta, Basha e të tjerët.
Janë me disa qindra pallatet e ndërtuara në Tiranë dhe nëse marrim të mirëqenë vetëm, jo përqindjet e përfolura, por “qerasjet” apo edhe “pije një kafe nga unë” për lejet e ndërtimit, i bie që minimalisht të mos jetë i pastrehë z.Rama apo me vilë berluskoniane z.Meta, që edhe këmishat deri përpara se të hynte në qeveri i kishte me inicialet e tij “I.M”.
Nëse asgjë nga këto që them nuk qëndrojnë, le të nxjerrin faturat e terë garderobës firmato, në rastin më të pakët për të na bindur për të kundërtën, pasi pamjet filmike janë në arkivat e thuajse çdo televizioni në Shqipëri.
Fatkeqësisht ka një institucion që në Shqipëri merret me verifikimin e pasurisë së pushtetarëve, një institucion i pavlerë që për ironi të ironisë, emërohet nga ata që janë objekt i punës së tyre.
Edhe inefektivitetin ose kotësinë e shkuarjes së tyre çdo mëngjes nëpër zyra luksoze të arreduara me shijen më të fundit, e që do bënin të dukeshin të varfër çdo zyrë të zyrtarëve të lartë britanik, e kuptoj.
Por atë që nuk e kuptoj dot në tërë këtë mesele, është guximi i pashembullt për tu tallur, që politikanët kanë me këtë popull.
Ose me saktë, mungesën e tentativës për të qenë paksa më të hollë ose më fin kur deklarojnë pasuritë dhe të ardhurat e tyre.
Ky fakt dhe vetëm ky, epitomikisht dëshmon në mënyrë voluminoze, sa përbuzjen që kanë për intelektin e shqiptareve, aq edhe garancinë se asnjë gjemb nuk u hyn në këmbë.
Në subkoshiencën e tyre kur plotësojnë formularët e deklarimit të pasurisë, mbizotëron mendimi se lajmi dhe çudia e deklarimeve të tyre fiktive do të zgjas vetëm 3 ditë.
“Pasuria është hall, shkruante këto ditë në Facebook një miku im jo-hallexhi, por ai kishte vendosur të shtonte hallet!!!”
Hallexhinj të politikës dhe pushtetit, VIDHNI se u ka ardhur dita, me një popull që kërcen kur e urdhëroni ju të kërcejë dhe ulet kur sërish e urdhëroni ju!
Por të paktën deklarimin e pasurive bëjeni me pak më shumë finesë dhe klas, në debutimin e Olimpiadës së Gënjeshtrës, please!!!!