Arben Rrozhani, 20.11.2009
Partia Socialiste dhe partitë e tjera të opozitës do të rikthehen sërish sot me protestë në sheshin “Skënderbej”, që përveçse pikë orientimi për kryeqytetin shqiptar, është bërë edhe vendi i protestës elektorale të partive shqiptare në këto 18 vite zgjedhjesh shumëpartiake.
Aty është rrëzuar komunizmi dhe simbolet e tij, aty është kremtuar fitorja peblishitare e PD-së në 22 mars 1992, aty është mbledhur PD-ja opozitë për të nisur nga aty sulmet me armë kundër institucioneve përgjatë tetë viteve në opozitë, aty herën e fundit si PD-ja dhe LSI-ja bënë edhe mitingjet përmbyllëse të fushatës, duke u premtuar simpatizantëve se do të rimblidheshin pas fitores peblishitare të zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009.
Për PS-në, kthimi i protestës në atë shesh ndodh afërsisht 13 vite pas protestës së 28 majit 1996, kur opozita e majtë e asaj kohe, e kryesuar nga PS-ja denonconte vjedhjen e paprecedent të votave gjatë procesit të degjeneruar elektoral të 26 majit, kur PD-ja arriti rezultate mbi 90 për qind të votave, pas tërheqjes së komisionerëve të majtë.
Sikur të mos mjaftonte dhuna elektorale e ditës së votimeve dhe “numërimeve” të votave në kutitë e votimit të mbushura nga militantët e PD-së, dy ditë më pas, policia, SHIK-u dhe zyrtarët e PD-së do të përgjaknin protestën paqësore të opozitës, e cila kërkonte mosnjohjen e rezultatit të manipuluar dhe rivotim.
Sot, 13 vite më pas, kur PS-ja dhe partitë e tjera rikthehen për herë të parë për të protestuar, po për një 26 maj tjetër, përballë kanë po të njëjtin kundërshtar politik, pak a shumë të njëjtët zyrtarë të asaj kohe. Rreth 24 orë para fillimit të protestës, sinjalet e dhëna nga qeveria kanë treguar moslëshimin në asnjë pikë të kërkesave të opozitës, veçanërisht të asaj kryesore: hapjes së kutive të votimit.
Kjo është “Thembra e Akilit” për shumicën e dobët parlamentare PD-LSI, të drejtuar nga kryeministri Berisha. Ndërsa opozita e ka si kusht të vetëm hapjen e kutive, duke ngulmuar te raporti i OSBE/ODIHR-it se votat u numëruan keq ose shumë keq në 22 nga 66 qendrat e numërimit të votave, aq më këmbëngulëse bëhet shumica qeverisëse për të bërë çdo lëshim tjetër përveç hapjes së kutive që mbahen të kyçura në një kapanon të KQZ-së.
Me një pikëpyetje të madhe në rreth 30 për qind të rezultateve zgjedhore kur opozita ka marrë, pas deformimit të votave, 65 mandate rihapja do të vinte shqiptarët para një rezultati tjetër zgjedhor.
Të dyja partitë bashkëqeverisëse, siç janë bashkuar për pushtetin, bashkohen edhe te mbajtja sekret e rezultatit real të 28 qershorit 2009.
Për opozitën, ky ishte një tjetër 26 maj elektoral damkosës për Shqipërinë.
Por, ndryshe nga 13 vite më parë, kur sidomos në mbrëmje pas tërheqjes së komisionerëve të majtë, kutitë pëlcitën nga votat e futura prej militantëve të PD-së që i dhanë Berishës një fitore të denjë për kohën e diktaturës komuniste, pas mbylljes së qendrave të votimit në 28 qershor, po i njëjti drejtues politik dhe ekzekutiv në pushtet vidhte me sqimë:
nën “monitorimin” e kamerave dhe të vëzhguesve të pranuar jo me aq zemërgjerësi, duke i blerë apo bërë presion deri me jetë këshilltarëve të majtë, duke trafikuar votat e majta për t’i bërë të djathta, me procesverbale ku shifrat nuk korrespondojnë me fletët e votimit, me rezultate ku PD ka fituar edhe 100 për qind dhe PS asnjë votë, me shuarje të votave të partive të vogla të majta për tua kaluar aleatëve të tipit Mediu.
Dhe kjo maskaradë moderne e 26 majit tjetër të 13 viteve më vonë, është pranuar nga KQZ-ja e diktuar prej qeverisë, është injoruar nga Kolegji Zgjedhor, me anëtarë të frikësuar nga pushteti dhe sot kryeministri i vendit dhe drejtuesi i shumicës fiktive në kuvend ka edhe alibinë se nuk mund të dalë mbi vendimet e gjykatës.
Sot, pas rreth 13 viteve, fatkeqësisht, kundër opozitës, madje më hidhur se PD-ja, janë edhe disa prej atyre figurave që në 28 qershor ishin protagonistë apo pjesë e udhëheqësve të protestës së opozitës dhe sot janë rreshtuar në krahun anti-opozitar.
Deklarimet kundër reagimit paqësor opozitar nga ata që me protesta dhe kundër protestave ngjitën shkallët në karrierën politike, talljet sarkastike me evitime protestash për shkak të gripit të derrit, janë shenja e qartë se ata do të pranonin çdo lloj pazari politik dhe ekonomik, por jo hapjen e kutive, sepse aty u dhemb më shumë, sepse krijimi i një shumice fiktive parlamentare me vota të deformuara dhe me një vullnet zgjedhësish që është trafikuar njëlloj si 13 vite më parë, megjithëse me një look më demokratik.