Tregu i lirë është një përrallë moderne

1
40

Gilman Bakalli

Për shumë kënd togfjalëshi “tregtar i ndershëm” është thjesht një oksimoron, një figurë letrare pra, e cila rreket të unifikojë brenda gilman bakallivetes dy atribute të papajtueshme me njëri-tjetrin. Personazhi kryesor i romanit “Budenbrokët” i Thomas Mann-it, e di se çfarë është një tregtar i ndershëm, kur e këshillon të birin duke i thënë: “biri im, bëje me dëshirë e pasion tregtinë gjatë ditës, por bëje në atë mënyrë që të flesh rehat natën”! Për Johann Buddenbrook-un marrëdhëniet e mira tregtare janë fenomene sociale dhe afatgjata.

Përfitimi i shpejtë nuk vlen. Në themel të tregtisë nuk qëndron paraja, por një tjetër monedhë universale: besimi. Kjo ide nuk është e re. Teologu dhe matematicieni Luca Pacioli – shpikësi i bilancit të dyfishtë – në librin e tij Summa de arithmetica, geometria, proportioni et proportionalità të vitit 1494 shkruan: “nuk ka asgjë më supreme se fjala e tregtarit të mirë, i cili e përforcon betimin e tij duke thënë për nder të tregtarit të vërtetë”. Gjithsesi vetë Pacioli ishte i vetëdijshëm për problematikën e çështjes në fjalë dhe vërente se është më e vështirë të formosh një tregtar të ndershëm se sa një jurist të zgjuar. Realiteti ekonomik në Shqipëri i jep të drejtë Pacioli-t.

Jo se nuk gjen tregtarë të ndershëm, por këta janë një specie e rrezikuar të zhduket. Vendin e bilanceve të dyfishta e kanë zënë bilancet e shumëfishta dhe bilancet e manipuluara. Korrupsioni, abuzimet me çmimet në kurriz të cilësisë, papërgjegjshmëria kriminale nuk janë mëdukuri të rralla në ekonomisë sonë. Mos ndoshta është momenti për të rishikuar mitin e “tregut të lirë”. Kur Adam Smith në librin e tij “Mirëqenia e kombeve” flet për tregun e lirë ai ka parasysh Britaninë e Madhe, zanatçinjtë dhe manifakturat, tregtarët e pambukut dhe pronarët e minierave, të cilët nuk duhen penguar e dekurajuar përmes kufizimeve tregtare apo doganore. “Një dorë e padukshme” – shkruan ai – “do ta normalizojë tregun, në mënyrë që gjithsecili ta marrë atë që i takon.”

Paralelisht me normat e tregut do të përhapeshin edhe normat sociale. Liria e tregtisë rezulton në liri veprimi. Sidoqoftë problemet e mëdha të realitetit kapitalist nuk njiheshin asokohe. Një ekonomi globale ishte asokohe e papërfytyrueshme për Smith, ashtu siç ishin të paimagjinueshme katastrofat ekologjike, lëvizjet migratore, konfliktet kulturore, sëmundjet nga stresi, spekulimet e bursave etj., etj. Por Smith e kishte kuptuar se tërësisht pa dorën e shtetit nuk mund të funksiononte tregu i lirë.

Kush e garanton tregun e lirë? Kush e mbron atë nga armiqtë e tij? Kush mbikëqyr ndershmërinë e aktorëve të tregut? Për të gjitha këto, edhe Smith, mendon se duhet një shtet i fortë. Si filozof i moralit, Smith e dinte se koncepti i tregut të lirë nuk është ndryshe nga koncepti i drejtësisë: të gjithë e inkurajojnë, por pakkush e do realisht. Sepse sapo të jetë ofruar mundësia e parë, gjithsecili do synojë t’i shkelë i pari rregullat e ndershme të tregut të lirë. Pa dorën e shtetit të gjithë aktorët e tregut të lirë do ishin para dilemës së burgosurit: nëse veprojnë racionalisht mbi bazën e interesit të përbashkët afatgjatë, ato do të dështojnë sapo të dalë dikush që t’i shkelë rregullat e lojës me logjikën e përfitimit personal.

E vetmja mënyrë për ta shmangur dilemën e të burgosurit është prezenca e shtetit përmes caktimit dhe respektimit të rregullave të qarta të lojës në një treg të lirë. Në kapitalizmin siç e njohim ne sot, tregu i lirë përbën një përjashtim. Forca të ndryshme centrifugale e centripetale, buxhete ekstremisht të diferencuara për reklama, ndikime politike, pikënisje të pabarabarta etj. bëjnë që tregu të mos jetë i lirë, të mos jetë i ndershëm, i pagabueshëm dhe që sjell detyrimisht mirëqenie.

Ajo që vlente në kohën e Adam Smith, vlen sot më shumë se kurrë. Siç konstaton me të drejtë Roger de Weck në librin e tij “Nach der Krise. Gibt es einen anderen Kapitalismus? (Pas krizës. A ekziston një kapitalizëm tjetër?): “Një firme të fuqishme nuk i shkon ndërmend t’i nënshtrohet tregut; synimi i saj është ta bëjë tregun të tillë që t’i shërbejë objektivave të saj. Çmimet, kostoja dhe prodhimi nuk përcaktohen nga tregu, por nga planifikimi i firmës”.

Liria e tregut dhe mrekullitë e tij janë një përrallë moderne. Ndryshe nga sa besonin ithtarët e neoliberalizmit, shteti nuk është problemi, por zgjidhja. Pa një shtet të fortë, nuk mund të ketë treg të lirë. Një kopësht pa përkujdesje nuk lulëzon, por degjeneron në një rrëmujë shkurresh, ferrishtesh e barërash të këqija. Kopshtarët e ekonomisë shqiptare rezultuan naivë duke idolizuar lirinë e tregut dhe jo vetëm që nuk u kujdesën për ta pastruar kopshtin e ekonomisë sonë nga barërat e këqija, por përkundrazi, inkurajuan anarkinë duke i plehërosur ato. Tregu i lirë nuk rregullohet vetvetiu.

Ai nuk funksionon pa një shtet, i cili mbikëqyr dinamikën e zhvillimit të tij. Fundja tregjet e lira nuk kanë lindur vetë, shumica e tyre janë produkt i shteteve. Kush nuk e merr këtë fakt në konsideratë dhe përpiqet ta injorojë rolin e shtetit në rregullimin e tregut ngjason me atë fëmijën e llastuar, i cili sheh vetëm faktin se prindërit po ia ngushtojnë lirinë e veprimit. Ajo çka nuk sheh është fakti tjetër se jeta e tij e bukur nuk do ishte e mundur pa ndërhyrjen e herëpashershme të prindërve të tij.

1 COMMENT

  1. Bravo Gilman, sepse je kaq filozof dhe idealist, ke kriju qe ne fillim nje kontrast me koleget e tu… tani ish deputete…

Comments are closed.