Pikëpyetjet që rikthen kontrolli mbi SHISH

0
28

Nga Mero Baze, 9 Gusht 2012

Sali Berisha ka prekur ëndrrën e tij 7 vjeçare për të marrë nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror. Visho Ajazi, njeriu i dytë i ish- SHIK-ut të Bashkim Gazidedes dhe njeri shumë konfidencial i tij, është njeriu që Berisha ka ëndërruar qysh në vitin 2005 për të çuar në krye të Shërbimit Informativ. Në atë kohë, dhe më pas, SHBA reagoi ashpër dhe Berisha u zmbraps, por nuk u tërhoq kurrë përfundimisht. Sot ai ia ka arritur qëllimit. Brenda muajit ka futur nën kontroll presidentin, KLD, SHISH dhe i ka mbetur çështje javësh Prokuroria.

Ndryshimet në SHISH kanë nervozuar dukshëm SHBA, jo vetëm për shkak të prekjes së një njeriu, tek i cili SHBA kishte besim, por dhe tek mënyra si u hoq, arroganca dhe mos konsultimi për të bërë ndryshimin dhe mbi të gjitha për personin që u emërua aty.

Në debatin e heshtur mes SHBA dhe Sali Berishës për “mbrojtjen” e kryetarit të SHISH me çdo kusht, nga SHBA ka pasur një teprim në raport me shoqërinë shqiptare. Mënyra se si ambasadorët amerikanë mbronin kryetarin e SHISH prej Sali Berishës ka qenë ofenduese për ne qytetarët e tjerë, pasi në një farë mënyre u thuhej shqiptarëve që Sali Berisha është i rrezikshëm po t’i japim në dorë një institucion që i shërben SHBA për luftën kundër terrorizimit, ndërkohë që mbronin në një farë mënyre Berishën si udhëheqës të shqiptarëve. Ky qëndrim, që për shumë qytetarë shqiptarë dukej me dy standarde, është ofendues. Në këtë vend problemi është Sali Berisha dhe jo institucionet që ai do të kapë.

Gjërat mund të zgjidhen më thjeshtë duke mbajtur qëndrim ndaj atij që i shkakton problemet dhe jo ndaj viktimave apo servilëve të tij. Ndaj dhe ambasadorët amerikanë, përfshi zotin Arvizu, do të ishin me eficentë të sulmonin Berishën për rrezikshmërinë që ai paraqet si zaptues institucionesh se sa emra të veçantë, të cilët pasi shkarkohen nuk janë asgjë.
Është pikërisht ky qëndrim i dyzuar i SHBA ndaj Berishës që i jep atij hapësirë veprimi të luajë me politikën e faktit të kryer dhe të marrë nën kontroll gjithë institucionet, sikundër thuajse i mori.

Por ky është problemi më i vogël. Problemi më serioz është se personi i emëruar në krye të Shërbimit Informativ është personi kyç me të cilin amerikanët kanë pasur probleme sidomos në vitet 1996- 1997 lidhur me qëndrimin dyshues dhe më pas akuzës të SHIK se SHBA po përdorte pakicën greke në Shqipëri dhe disa defekte të demokracisë për të destabilizuar vendin. Visho Ajazi ka drejtuar atë që quhet Drejtoria e Jashtme në SHIK, ose kundërzbulimi, dhe është praktikisht hartues i raportit për planin Lorus të Greqisë ndaj Shqipërisë dhe përfshirjen e CIA dhe influencën e Tenet në konspiracionin kundër Berishës.

Ai u largua nga Shqipëria pas rënies së Berishës nga pushteti, pasi kaloi një periudhë kohe në një zyrë të PD si këshilltar i tij, dhe u vendos në Kanada.
Rikthimi i tij fillimisht si këshilltar i kryeministrit për
teknologjinë dhe informacionin dhe më pas zëvendësministër i Pollos ka qenë thjesht një mënyrë për të pritur premtimin e Berishës për postin që më në fund e mori.

Nuk di sa do t’ia dali SHBA ta ketë të besuar këtë drejtor SHISH-i, por ka pak gjasa që të ruhet i njëjti nivel marrëdhëniesh dhe konfidence mes dy institucioneve.
Nga ana tjetër është joetike, që një njeri i cili ka jetuar së paku dhjetë vjet në emigracion, të kthehet në një post kaq delikat, pa sqaruar të shkuarën e tij si emigrant dhe problemet që mund të mbajnë peng punën e tij si kryetar i SHISH.

Një pikë tjetër që tërheq vëmendjen në deklaratën e SHBA është koha në të cilën u bë zëvendësimi. Vendimi përkon me një ditë dramatike për të ardhmen e një banke dhe një biznesmeni spekulant në Shqipëri, të cilët janë vënë nën sekuestro për një mashtrim të kryer ndaj një borxhliu azerbajxhanas. Skandali mund të tronditë ekuilibrat e brishta financiare në vend dhe mund të shkaktojë tërmet. Nga kjo pikëpamje dita e sotme është zgjedhur dhe si një përpjekje për të zhurmuar skandalin Taçi.

Por përtej kësaj ka sërish një linjë antiamerikane që përshkruan këtë vendim. SHISH, edhe nën ndikimin e SHBA, kishte vigjiluar gjatë privatizimit të ARMO për të mos u përfshirë filiale të Lukoil rus apo kompanive lindore në privatizim. Tani që ne kemi përpara privatizimin e Albpetrolit, që sipas gjasave po ndahet mes azerëve dhe rusëve, SHISH kishte filluar të lëvizte përsëri. Goditja ndaj kryetarit të SHISH, që gjerësisht konsiderohet njeri i SHBA, dhe emërimi në krye të SHISH i një personi që kam frikë se ka ende probleme më të shkuarën e tij me SHBA, është një goditje ndaj kërkesës amerikane për të shmangur influencën ruse në ekonominë shqiptare. Bugajski e tha pak javë më parë hapur se Shqipëria duhet të shmangë përfshirjen e rusëve në ekonominë vendase dhe tashmë i vetmi institucion që punonte në këtë drejtim, është në duart e një linje antiamerikane.

Kjo shpjegon edhe faktin pse amerikanët janë të shqetësuar për kohën dhe arsyen përse u largua njeriu i tyre nga SHISH dhe u vendos aty një njeri, që u rikthen deja vu e viteve 1996- 1997, kur ky vend prodhonte sërish të njëjtat probleme me piramida, kontroll të gjithë pushteteve dhe karshillëk të hapur ndaj SHBA.