Nga Enton Palushi
Para disa ditësh, një grup organizatash rinore, të quajtur “federalistët e rinj”, takuan kryeministrin Sali Berisha dhe më pas hartuan një rezolutë, ku me të drejtë kërkonin nga Bashkimi Europian heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Lëvizja e lirë është një problem i madh për shoqërinë tonë, e sidomos për rininë.
Kur sheh këtë iniciativë që grumbulloi me dhjetëra organizata të rinjsh, të lind pyetja se çfarë i bën përshtypje rinisë së fjetur shqiptare? A thua është problemi i heqjes së vizave ai që ka ngelur për tu zgjidhur për ta?
A i bën përshtypje rinisë së këtij vendi fakti që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep alarmin se Shqipëria e Rusia kanë nivel rekord vrasjesh të të rinjve?
A thua nuk e gjejnë shqetësues faktin se ndryshe nga Rusia, mënyra dhe qëllimet e vrasjes së të rinjve këtu janë më makabre?
Si ndjehen ata kur dëgjojnë që një i ri shuhet për një varëse, për një parakalim me makinë, apo edhe për një shikim në sy?
A ndjehen keq ata kur shohin që një pastor i ri, që kishte zgjedhur rrugën e Zotit, vritet në mes të ditës, në qendër të një qyteti, pa bërë asnjë faj?
Si u duken atyre lajmet e vrasjeve të njëpasnjëshme në familje?
Si e shohin ata rritjen ekonomike në vend, që nuk përkthehet çuditërisht në vende të reja pune? Sapo raportoi rritje ekonomike në tremujorin e parë të sivjetëm, Gjermania e përktheu direkt atë në ulje papunësie. Po ashtu Brazili, ndërsa nderon presidentin e larguar, Lula, kujton se rritja ekonomike aty solli ulje të ndjeshme të papunësisë.
Çfarë mendon rinia jonë kur sheh kryeministrin shqiptar, që pret shirita inagurimi nëpër dyqane e supermarkete, por jo aty ku gjenerohen vende pune?
A u duket e pështirë kur shohin se në prezantimin e mbërritjes së makinës BMW X6 në Shqipëri, sheh një dyzinë qeveritarësh?
Çfarë simbolike ka kjo makinë luksi për vendin tonë të varfër e për ministrat e pasur?
Si ndjehen kur shohin moshatarë të tyre që çojnë gjithë ditën dëm duke shëtitur në po këto makina?
A e kanë lexuar lajmin e renditjes së universiteteve shqiptare në listën e universiteteve botëore?
Ç’mendojnë për kryeministrin që flet për rritjen e numrit të studentëve me mijëra, pas kësaj renditje poshtëruese?
Më e rëndësishmja, si u duket atyre që kemi zgjedhur të jetojmë në një sistem, që dallon nga i mëparshmi nga e drejta e votës, e këtë të drejtë nuk e kemi arritur ende?
Si ju duket atyre që pas 20 viteve ne nuk jemi askund pranë standardit të zgjedhjeve të ndershme, që nënkupton pjesën e mosmanipulimit me fletën tënde të votimit?
A nuk është e vërtetë kjo për sa kohë nuk shohim çfarë është hedhur në kuti?
Për të mos folur pastaj për të shkuar tek zgjedhjet e lira, ku gjithkush e shpreh hapur mendimin e tij. Duke thënë këtë, më kujtohet një reportazh i ca aktivistëve të shoqërisë civile shqiptare nga zgjedhjet në Bjellorusi. Pasi monitoruan procesin zgjedhor, panë se nuk kishte asnjë parregullsi, por Lukashenko u shpall fitues. Sigurisht nuk folën për parregullsi, por për faktin se njerëzit nuk ishin të lirë të votonin atë që donin. Sa larg jemi ne që nuk kemi as liri, e madje vota na vidhet në kuti?
A nuk është poshtëruese ndërsa sheh diskutime pa fund për reforma zgjedhore apo propozime të kryeministrit për votim elektronik, kur kjo qeveri nuk numëron disa copa letrash me një kryq sipër?
A e dini se ç’thoshin monitoruesit ndërkombëtare për teknologjinë e monitorimit me kamera të numërimit të votave në vendin tonë?
A mendon rinia jonë se problemi i votave, tenderave e prokurimeve ka ngecur se nuk ka hyrë akoma online? Sa për ilustrim, para pak ditësh stafi i revistës “Forbes”, bëri një parashikim për ngjarjet që do ndodhnin në 10 vitet e ardhshme. Sipas tyre në vitin 2016 Amerika do votojë përmes internetit, por ky proces do shoqërohet me abuzime.
Si ndjehen ata kur lexojnë mediat e Brukselit, që thonë se po të mos ishte presioni europian, kryeministrat Berisha, Dodik e Gruevski nuk ndërmarrin asnjë reformë?
A thua çfarë mund të imagjinojmë ne nëse do të ishim shtetas të kontinentit aziatik, amerikano-jugor apo afrikan, me të njëjtin kryeministër?
Ndaj gjëja e vetme që duhet të thoshin në atë takim me kryeministrin Berisha duhej të ishte kjo: E keqja më e vogël, shyqyr Zotit që lindëm në këtë kontinent!