“Në Shqipëri preferojnë të përkthejnë keq, sesa të lënë pa përkthyer autorët e letërsisë botërore”

0
40

• Hans-Joachim Lanksch, përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, në një intervistë për “Shekullin” flet për problematikat që ka përkthimi dhe mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare

Valeria Dedaj, 07.08.2013

-Sa i dëmshëm është për lexuesin “përkthimi” nga një gjuhë e dytë? Sa të vërteta janë parathëniet që shkrimtarët shqiptarë bëjnë për një libër të përkthyer nga një ‘mik’ i tyre? A mundet që një përkthyes të dalë nga fryma e origjinalit? Këto janë disa nga pyetjet që përkthyesi i letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, Hans-Joachim Lanksch iu është përgjigjur në një intervistë për “Shekullin”. Ndonëse në vendin tonë ekzistojnë disa shtëpi botuese të lincensuara, ende shumë libra të përkthyer nga një gjuhë e huaj në shqip nuk mbajnë emrin e përkthyesit.

Përkthyesi Hans-Joachim Lanksch thotë se : “Sot, për fat të keq, ka letrarë që vazhdojnë praktikën shumë të diskutueshme të kohës së diktaturës ku shkrimtarët e etabluar që s’dinin gjuhë tjetër të huaj përveç rusishtes begenisnin të përkthenin bile-biles antologji të tëra poetike nga gjuhët më të ndryshme prej norvegjishtes deri te koreanishtja pa pasur as haber nga këto gjuhë dhe duke përkthyer përkthime rusisht të teksteve përkatëse”. Sipas Lanksch, të gjitha problemet që ka sot përkthimi dëshmojnë mungesën e një kritike të mirëfilltë letrare e cila do ishte kompetente dhe për kritikën e përkthimit. Hans-Joachim Lanksch është vlerësuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë me çmimin “Penda e Argjendtë” për përkthimin nga shqipja në gjuhë të huaj.

Zoti Lanksch, sa i dëmshëm është për lexuesin “përkthimi” nga një gjuhë e dytë, përkthimi i përkthimit?

Përkthimi i përkthimit parimisht e mashtron si autorin ashtu dhe lexuesin, sidomos në gjininë e poezisë që shquhet nga një strukturë e ngjeshur dhe një inventar i vogël fjalësh ku çdo fjalë ka një peshë unike. Gjuhët e ndryshme përbëhen nga material i ndryshëm në shumë vështrime, sa i përket gjatësisë së fjalëve, tingullit, atmosferës, konotacioneve, ngjyrosjes së tyre etj. Ta zëmë një shembull shqipgjermanisht: ylber versus Regenbogen. “Regenbogen” – “hark shiu” – evokon një imazh që s’ e ka fjala shqipe, ndërsa “ylberi” tingëllon shumë bukur ku fjalës “Regenbogen” i mungon elementi eufonik. Përkthyesi në gjuhën e vet shpesh duhet ta ndryshojë a të modifikojë pëlhurën e tekstit, të fjalëve, për të arritur efektin në gjuhën amtare që ka teksti në gjuhën e origjinalit. Jo rrallë ngjan edhe që një imazh a metaforë në gjuhën e origjinalit nuk “funksionon” në gjuhën e përkthyesit, nuk i thotë gjë lexuesit në gjuhën në të cilën përkthehet.

Kjo do të thotë që përkthyesi duhet të gjejë zgjidhje për fjalët dhe imazhet a metaforat që nuk mund t’i përkthejë drejtpërsëdrejti në gjuhën e vet. Nëse një përkthyes tjetër që s’e di gjuhën e origjinalit e përkthen përkthimin e përkthyesit të parë, ky i dyti duhet t’ i përkthejë zgjidhjet që i gjeti ai i pari. Zgjidhjet e të parit mund të mos përkojnë me mjetet e gjuhës së përkthyesit të dytë, i cili prapë duhet të gjejë mënyra dhe zgjidhje që janë të përshtatshme në gjuhën e tij, ku, më në fund, zgjidhjet e përkthyesit të përkthimit të dytë nuk kanë më gjë të përbashkët me origjina- lin.

Fundja, nobody is perfekt (asnjë nuk është perfekt) – bën vaki edhe që përkthyesi i parë bën gabime ku përkthyesi i dytë thjesht i përkthen gabimet e përkthyesit të parë… Sot, për fat të keq, ka letrarë që vazhdojnë praktikën shumë të diskutueshme të kohës së diktaturës ku shkrimtarët e etabluar që s’ dinin gjuhë tjetër të huaj përveç rusishtes begenisnin të përkthenin bile-biles antologji të tëra poetike nga gjuhët më të ndryshme prej norvegjishtes deri te koreanishtja pa pasur as haber nga këto gjuhë dhe duke përkthyer përkthime rusisht të teksteve përkatëse.

Një tjetër ves që ende s’ ka vdekur është e ashtuquajtura “përshtatje” ku një letrar që s’e di gjuhën e origjinalit përpunon, “përshtat”, një përkthim “tekstual” të një personi dygjuhësh ku kuptohet se ekzistojnë gabime e mundshme me bollëk. Pashë një shembull të skajshëm të këtij vesi ku një poet gjerman, tifoz i një poeti mediokër shqiptar, e përshtati përkthimin “tekstual” të një ndërmjetësuesi. Rezultati qe një tekst i shkëlqyeshëm gjermanisht me rima të përkryera dhe me një ironi të hollë e të mprehtë që nuk kishte të bënte gjë me tekstin e mërzitshëm e të ngathët shqiptar….

Po përpjekja për të sjellë në shqip fondin e artë të letërsisë botërore nga emra të “njohur” të letërsisë?

Mbiemri “i njohur” lidhur me emrin e një përkthyesi, shkrimtari, artisti, muzikanti, aktori më duket fjala më e tepërt e shqipes. Për shembull shkruhet stereotipikisht “shkrimtari i njohur, Ismail Kadare”, gjë që është mjaft qesharake sepse Kadareja në të vërtetë është i njohur, emrin e tij e njohin të gjithë dhe nuk duhet shtuar epiteti “i njohur” apo “i mirënjohur”.

Ndodh dhe rasti i kundërt: miku i redaktorit të një gazete shkruan një lëvdatë me superlativa për mikun e tij, “shkrimtarin e njohur F.F.” që e njohkan vetëm komshinjtë e tij të lagjes. Përkthyesi, poeti etj., ose është i njohur ose nuk është i njohur, në të dyja rastet është i tepërt epiteti “i njohur”. Përkthimi nga letërsitë e huaja është shumë i rëndësishëm, mirëpo s’ është me rëndësi në është i njohur apo jo përkthyesi. Me rëndësi është që përkthyesi të jetë kompetent dhe serioz. Ka emra të njohur që punojnë me rezultate të dobëta dhe emra pak të njohur që punojnë për mrekulli.

Sa i përket përkthimit nga letërsia botërore jashtë Europës ku në Shqipëri s’ka përkthyes a letrarë që e dinë gjuhën e origjinalit, jemi në siklet. Çdo përkthim sjell me vete humbje. Përkthimi nga një gjuhë e dytë mund të sjellë pa dashje humbje të shumëfishtë kolosale dhe falsifikime. Në Shqipëri duket se mbizotëron mendimi se – më mirë një përkthim i keq se sa të mbeten pa u përkthyer autorët e mëdhenj të letërsisë botërore. Para ca kohe u shqetësova ngase një mik përktheu nga një gjuhë e dytë poezi të poetit klasik japonez Basho. Miku m’ u përgjigj që “në Shqipëri nuk kemi luksin si ju në Gjermani që keni japanologji në universitet.”

Në të vërtetë, në 20 nga 108 universitete gjermane ka degë të japanologjisë. Duke ditur se sa fatale mund të jenë përkthime ku përkthyesi s’e din gjuhën e origjinalit (nga letërsia gjermanofone rastet e poetëve Trakl dhe Celan), anoj nga mendimi se është më mirë të mos kesh përkthime se sa të kesh përkthime shtrembëruese. Zgjidhja, mendoj, duhet kërkuar në përmirësimin e arsimit të lartë në Shqipëri. Në sferën e kulturës Shqipëria do të duhej t’ i hapet jo vetëm Europës, por dhe botës. Duhen krijuar kushtet për instalimin e degëve të gjuhëve e kulturave “ekzotike” (japoneze, kineze, indiane, arabe etj.).

Sjellja e një vepre të huaj në gjuhën amtare është një akt riprodhues dhe kreativ

Një tregim i shkurtër me stil të ndërlikuar kërkon kohë për t’ u përkthyer sa një roman treqindfaqesh

Sa duhet t’u besojmë superlativizmave që shkruhen në parathënien e një libri të përkthyer për shkrimtarët shqiptarë?

Këtu duhet shikuar se sa është parathënieshkruesi mik me autorin e përkthimit, cila është marrëdhënia mes tyre apo a ekziston vartësi e të parit nga i dyti. Për shembull poeti A i shkruan një recension lavdërues poetit dhe përkthyesit B. Poeti B, njëkohësisht drejtor a redaktor i një shtëpie botuese, ia boton vëllimin e radhës poetik poetit A. parathënien e të cilit libri e shkruan letrari C të cilit poeti A, njëkohësisht kryetar a anëtar i jurisë së një Çmimi letrar, ia akordon Çmimin “Stilografi i Artë” etj.

Ka dhe raste ku një shkrimtar i njohur merr pagesë (ryshfet) nga babai a xhaxhai i pasur i një “përkthyese (autore) të re e të talentuar” apo i një “përkthyesi (autori) të ri e të talentuar”. Ka dhe raste ku një shkrimtari sinqerisht i pëlqen përkthimi për të cilin shkruan. Në kësi rastesh shkrimtari do shprehet me çiltërsi dhe jo me superlativa. Para së gjithash duhet shikuar nëse shkrimtari-recensenti i librit të përkthyer e respekton, e njeh sa duhet gjuhën nga e cila është përkthyer libri.

Në shumë raste, ai që lëvdon librin e përkthyer nuk e njeh gjuhën përkatëse dhe shërbehet me pseudo-kriterin naiv të “gjuhës së rrjedhshme”, gjë që është jo vetëm qesharake, por shpesh dhe idioteske. “Gjuha e rrjedhshme” në të shumtën e herëve nuk thotë absolutisht gjë për kualitetin e përkthimit dhe shpesh dëshmon tradhti më të madhe ndaj stilit të origjinalit. Të gjitha këto dëshmojnë mungesën e madhe e të dhimbshme të një kritike të mirëfilltë letrare e cila do ishte kompetente dhe për kritikën e përkthimit. Për të mos tepruar me vajtimet për gjendjen në Shqipëri duhet thënë se kjo mungesë e kritikës serioze dhe kompetente të përkthimit ekziston dhe gjetiu, për shembull në vendin tim (Gjermani).

Sa kohë i duhet një përkthyesi për të sjellë në shqip një botim të huaj?

Fatmirësisht nuk jetojmë më në sistemin ku përkthyesit shqiptarë kanë qenë të detyruar të punonin sipas normës së shtetit. Nuk ekziston një normë se sa kohë duhet për të përkthyer një vepër letrare. Një tregim i shkurtër me stil të ndërlikuar a eksperimental mund të kërkojë kohë për t’ u përkthyer sa një roman treqindfaqesh me stil të thjeshtë dhe narrativë lineare.

Si e konceptoni përkthimin letrar, vetëm si risjellje të një vepre të huaj në gjuhën shqipe apo dhe si një krijim në vetvete?

Sjellja e një vepre të huaj në gjuhën amtare është një akt edhe riprodhues edhe rikrijues domethënë është një akt kreativ. Veprat letrare nuk mund të përkthehen një me një kështu që përkthyesi duhet të gjejë mënyra si të mundohet të shprehet me mjetet e gjuhës së vet atë që shpreh autori me gjuhën e tij, duhet ta sendërtojë definicionin e përkthimit letrar që e dha shkrimtari dhe kritiku i madh Karl Kraus që e shkroi fjalën “uebersetzen” (= me përkthye) pak ndryshe: “ueb’ Ersetzen” (= ushtroje zëvendësimin!).

Kur mendoni se një përkthyes mund të dalë nga fryma e origjinalit?

Kurrë. Vepra letrare shpalos një botë, qoftë botën individuale të autorit, qoftë botën e kulturës dhe shoqërisë në të cilën jeton autori, qoftë edhe të dyja apo një botë fantazie etj. Në procesin e përkthimit, domethënë të transferimit në gjuhën e lexuesit vepra letrare dhe bota që e shpalosë ajo, pëson humbje dhe transformime, por nuk duhet ta humbë “vulën” e saj dhe përkthimi duhet patjetër ta ruajë frymën e origjinalit. Poeti im i preferuar, Martin Camaj, thoshte: “edhe në gjermanisht unë dua të mbetem Martin Camaj dhe jo Martin Camaj me kapelë bavareze.” Një problem i veçantë mund të jenë drama që paraqesin një botë shumë specifike rajonale me idiomën a të folmen specifike rajonale. Në kësi rastesh përkthyesi mund të “transplantojë” veprën në një ambient specifik rajonal shqiptar me idiomën specifike rajonale, por duke ruajtur gjithsesi frymën e origjinalit.

“Një përkthyes letrar duhet të jetë njohës i të dyja gjuhëve dhe kulturave”

Sipas jush, cilët janë autorët e letërsisë botërore më të keq përkthyer në gjuhën shqipe?

Për këtë duhen pyetur specialistët përkatës shqiptarë. Në përgjithësi mund të them që kam respekt të madh për përkthyesit klasikë shqiptarë si Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Vedat Kokona, Lasgush Poradeci e të tjerë që lexuesit shqiptar i kanë dhuruar përkthime të mrekullueshme. Po aq në përgjithësi mund të thuhet që është një praktikë e mirë që kohë më kohë të rishikohen dhe të ripërkthehen përkthimet ekzistuese të kryeveprave të letërsisë botërore siç është bërë në Gjermani për shembull me dramat e Shakespirit, romanin “Ulysses” të James Joyce, me “Një mijë e një natë” e shumë të tjerë apo në Shqipëri me Faustin e Goethe, “Komedinë Hyjnore” të Alighieri Dante etj.

Kush duhet të jetë përkthyes letrar?

Për këtë s’ ka recetë. Me siguri duhen një serë ingrediencash. Parakushti më elementar është, kuptohet, njohja e thellë e të dyja gjuhëve dhe kulturave. Vetëm njohja e gjuhëve nuk mjafton, përkthyesit letrar i duhet një bagazh i pasur kulturor (siç e kishin përkthyesit e mëdhenj shqiptarë). Përkthyesi letrar duhet të ketë përvojë jete, një jetë të jetuar ku është ballafaquar me situata dhe ndjenja për të cilat shkruajnë autorët e mëdhenj. Vetëkuptohet se nuk mund të jesh përkthyes letrar po të mos kesh dashuri të madhe për gjuhën, letërsinë dhe kulturën e huaj e të veten. Përkthimi i letërsisë nuk mund të bëhet si punë teknike e mekanike, pa dashuri, pasion dhe përkushtim.

Përkthyesi i letërsisë duhet të jetë dhe një si aktor që shfaqet në role të ndryshme domethënë. të flasë me stilet e ndryshme, me tone të ndryshme me të cilat flasin autorët e ndryshëm. Përkthyesi dështon nëse nën përkthimin e tij një sonet i Shakespeare tingëllon njëlloj si një poezi e William Blake apo e T.S. Eliot. Fundja, natyrisht përkthyesit e letërsisë i duhet dhuntia e të përkthyerit, ndjeshmëria për magjinë, peshën dhe nuancat e fjalës, për nivelet e ndryshme stilistikore dhe aftësia që ato t’i japë me sa mundet me mjetet e gjuhës së tij amtare.

Dhe së fundmi, si përkthyes ç’mund të na thoni për vlerësimin që i bëhet punës suaj?

Vlerësimin më të madh të punës sime më japin lexues a dëgjues të përkthimeve të mia si ai mërgimtari nga Kosova që më tha mbas një ore letrare me poezi të Azem Shkrelit: “zotni, jetoj që ma shumë se njizet vjet n’ Gjermani e sonte ti më dhe për herë të parë ushqim shpirtnor!”