Nga Imer Mushkolaj, 2 Dhjetor 2011
Si t’i kuptosh kosovarët që e pëlqejnë Tiranën, por nuk e duan Edi Ramën? Kryeqyteti shqiptar nuk mund të paramendohet i tillë çfarë është pa Ramën. Pavarësisht se kosovarët nuk ia falin “mëkatin”: ai është i majtë!
Vetëm një herë kam shkruar për Edi Ramën. Para gati një dekade, kur Tiranës moçal dhe të pashpresë, ai nisi t’i japë një pamje tjetër. Atëherë Ramën e shihja më tepër si artist. Një njeri plot zell e kreativitet, që po bënte diçka të pamundur, diçka që paraardhësit e tij as që e kishin menduar se mund të arrihej ndonjëherë.
Ata kosovarë që e kanë “zbuluar” Tiranën së voni, as mund ta sjellin ndërmend se si ka qenë ajo në kohën e qeverisjes nga kryebashkiakët demokratë. Nuk mund ta paramendojnë lumin Lana si një kanalizim të madh, plot kutërbim e fëlliqësi, nën urat e të cilit ofrohej edhe seks “ekspres” për pesë mijë lekë të vjetra! Mos të përmendim gjurulldinë me lokale të çdo lloji në Parkun Rinia. Tirana atëbotë ishte një katund i madh, pa as M’në e metropolit. Sot është ndryshe, krejt ndryshe.
Kur pata shkruar për Tiranën e Ramës, isha i zhgënjyer, siç vazhdoj të jem me Prishtinën. Ndryshe nga Tirana, Prishtina tashmë është shndërruar në një qytet pa identitet, në një qytet të shpërfytyruar deri në palcë. Atëbotë, madje as miq dhe kolegë të mi nuk ma falnin që po “lavdëroja” një të majtë. Disa edhe kishin të drejtë. Sepse nuk e njihnin Tiranën e qeverisur nga Sali Kelmendi e Albert Brojka, gjatë tetë vjetëve paraprakë. Mllefi nuk drejtohej ndaj Ramës, pse ai po përpiqej të bënte ndryshimin, por pse ishte i majtë.
Një budallallëk kosovar që vazhdon edhe më tutje. I gjenin edhe epitete të tjera, si “drogirash”. Madje, kur në kudër të fushatës denigruese kundër tij, oponentët politikë ia publikuan disa fotografi, të bëra në një plazh nudo, goditja antiRama arriti kulmin. Thua se në plazhin nudo është turp të fotografohesh pa rroba!
* * *
Tash dy dekada, të keqen në Shqipëri kosovarët e simbolizojnë me të majtën. Me komunistët. Me socialistët. Për vite me radhë, propaganda e Lidhjes Demokratike të Kosovës bëri që të majtët atje të shihen si monstrumë, ndërkaq i miri, i dituri, patrioti, demokrati ishte Sali Berisha. Madje, duke lexuar lavdet e thurura për “burrin e madh Berisha”, të krijohej përshtypja se Saliu ishte demokrat që kur kishte lindur në Viçidol të Tropojës. Kurse kundërshtarët e tij, “të kuqtë”, i sillnin vendit tana t’zezat.
Kosovarët ende nuk duan dhe nuk mund të pranojnë se gjithë lufta e UÇK’së në Kosovë u zhvillua në kohën kur në Shqipëri qeverisnin socialistët. Ndërkaq, me gjysmë zëri e përmendin si “socialist të mirë” vetëm Pandeli Majkon, edhe pse s’iu pëlqen hiç mbiemri që ai mban. As nuk duan të dëgjojnë se ishte edhe Edi Rama, që bashkë me Berishën e të tjerët krijuan forcën e parë politike antikomuniste në Shqipëri, por më vonë u largua pikërisht për shkak të mospajtimeve rreth çështjeve ideologjike me të.
Edhe për ngjarjet e vitit 1997, kosovarët fajësojnë të majtët. Harrojnë se ishte pikërisht Berisha, president atëbotë, i cili lejoi të lulëzojnë firmat plaçkitëse piramidale, që e katandisën vendin në luftë qytetare. Sepse, “Berisha është si na”, “e do Kosovën”, “është demokrat”.
Edhe tash, kur Rama erdhi në Kosovë për të promovuar librin e tij, shumë kosovarë me siguri e kanë pyetur veten “çka po don tash ky ktu?”.
Thuajse nuk është normale që Prishtinën ta vizitojë lideri i opozitës shqiptare, kushdoqoftë ai. Apo, mbase nuk ua mbush mendjen me mesazhet që jep, sepse janë mësuar me folklorizmat kumbues të Sali Berishës kur përurojmë fillimin e autostradës apo ndonjë kilometër të saj.
Rama kësaj radhe vizitoi Prishtinën në cilësinë e publicistit, si autor i një libri në të cilin ka përmbledhur gjithë punën e tij 11 vjeçare në krye të Tiranës. Me titull “Kurban”, libri rrëfen gjithë betejën e tij për Tiranën qytet. Kryeqytet. A thua çfarë titulli do të mund t’iu vinin librave të tyre kryetarët e Prishtinës? “Kurban” nuk do t’iu shkonte kurrsesi, sepse s’kanë sakrifikuar asgjë nga vetja për këtë qytet. “Urban” jo se jo. S’kanë lidhje me urbanen.
Mbase do të duhej ta lexonin librin e Ramës. Pavarësisht se është i shkruar nga një i majtë, nga një socialist. Të shohin çfarë ka bërë dhe çfarë nuk ka bërë në Tiranë. Që nga fasadat shumëngjyrëshe të ndërtesave, nëpërmjet të cilave provoi të luftonte depresionin që kishte kapluar tiranasit, deri te projektet tjera më të mëdha. Sepse, nuk ka qenë fare e lehtë madje vetëm të provosh për ta ndryshuar një qytet si Tirana. Më e vështirë, pastaj, të ndryshohet.
Si për inat të Berishës, Rama qëlloi në Prishtinë mu për festën e 28 Nëntorit. Por nuk pati mesazhe folklorike, çfarë u dhanë me bollëk nga të tjerët. Zgjodhi të jetë ndryshe.
* * *
Kjo është hera e dytë që shkruaj për Edi Ramën. E di, do të ma thonë, po të mos e përmend, edhe punën e Çelësit të Tiranës, që Edi Rama ia dha Goran Bregoviçit, një artisti të njohur ndërkombëtarisht.
E di, po ashtu, se do t’i nervozoj “të djathtët” tash, kur të them se mëkat më të madh se Rama me Bregoviçin, bëri Sali Berisha, që theu embargon për t’i ndihmuar me naftë një krimineli të njohur, po ashtu, ndërkombëtarisht – Sllobodan Milosheviçit.







