Një bllof!

0
66

Nga Mero Baze, 6 Gusht 2012

Kryeministri Berisha po përpiqet të shtyjë pafundësisht heqjen e imunitetit për deputetët, për të justifikuar dështimin e Shqipërisë për marrjen e ftesës nga Bashkimi Evropian dhe me shpresë se do të krijojë një kazus propagandistik për një alibi për spiralen e korrupsionit dhe kapjen e shtetit ku është zhytur vendi. Fakti që opozita propozoi zyrtarisht, biles dhe në përmbajtjen e projektligjit, heqjen e imunitetit dhe po shkonte drejt gjetjes së rrugëve për miratimin e një pakete më të gjerë, duket se e vuri në vështirësi Berishën pasi po e fuste debatin në rrugën e padobishme për të, që është rruga e plotësimit të detyrimeve të opozitës për marrjen e ftesës nga Bashkimi Evropian. Problemi real që ka Berisha është se nuk i plotëson dot kushtet e veta, ato që nuk varen nga opozita, dhe zhvillimi i debatit në këtë drejtim e vinte në vështirësi serioze.

Dorëzimi i tij në seancën parlamentare për të mos pranuar një ndërhyrje thelbësore në Kushtetutë për të garantuar një gjykim të drejtë të njerëzve të politikës dhe ekzekutivit dhe për të rritur autoritetin e pushtetit gjyqësor, është një lëvizje, e cila synon të ndryshojë temën e debatit nga plotësimi i kushteve të Bashkimit Evropian, tek debati që tenton ta lërë këtë përgjegjësi tek opozita.

Shpikja e tij për referendum është qartazi një bllof, të cilit opozita bëri mirë që iu përgjigj pozitivisht për t’i nxjerrë kallajin deri në fund. Është bllof pasi sipas vetë precedentit që Berisha krijoi me referendumin për importin e plehrave, ai mund të zhvillohet në vitin 2015, pra atëherë kur Berisha do të jetë në opozitë ose i ikur gjëkundi.

Është bllof pasi nga parlamenti shkohet në referendum për ndryshime kushtetuese për amendamente të miratuara dhe jo për projektamendamente, siç është rasti në fjalë.

Është bllof dhe qesharak pasi në referendum qeveria nuk mund të shkojë për një projektligj të propozuar nga opozita, për të cilën të dy palët janë dakord, pasi do të dilte referendumi 99 për qind.

Është bllof pasi nuk përputhet mbi të gjitha me prioritetet që Berisha i dha datës 6 gusht deri dje. Si ka mundësi që deri dje data 6 gusht ndante kohën në dy pjesë dhe sot jo më 6 gushti i 2012-ës, por as i 2015-ës nuk qenka vonë!

Është bllof edhe për faktin se Berisha i ka tmerr referendumet dhe kur i bën vetë. Me referendum ka nisur rrënimi i tij politik dhe kalimi nga një udhëheqës i një force demokratike në një bajraktar që vuri dorë në zgjedhje, futi vendin në luftë dhe sot vazhdon të lërë Shqipërinë jashtë dyerve të Evropës vetëm për shkak të kulturës së tij politike kundër zgjedhjeve të lira dhe shtetit ligjor me pushtete të ndara.

Pas kësaj nuk pritet të ndodh ndonjë çudi e madhe. Shqipëria do të humbasë sërish shansin të marrë një ftesë për në Bashkimin Evropian dhe kjo ka vetëm një rrezik të afërt, revanshin e Berishës për të vënë dorë në zgjedhje duke llogaritur që nuk është më një njeri i dëshiruar në Bruksel.

Bllofi i tij për referendumin është plani real që Berisha ka pasur për të gjetur një alibi për humbjen e shansit evropian të Shqipërisë. 12 kushtet që duhet të plotësojë Berisha janë një dënim për karrierën e tij politike dhe qëndrimin në pushtet. Ai është i qartë për këtë. Ideja se ai do ndjehet i lehtësuar nga alibia që shpik vetë, nuk gënjen askënd.

Shqiptarët, që nga më të thjeshtit e deri tek politikanët, janë të qartë se çfarë po ndodh. Sali Berisha kërkon një arsye për të qenë hajdut i padënuar dhe vrasës i paprangosur. Nuk ia gjejmë dot. Një referendum popullor kundër tij ka vetëm një pyetje, pro ose kundër Sali Berishës dhe ai e di mirë këtë përgjigje nëse ky popull është i lirë të votojë.