LIBERALIZIMI-PE voton: Vizat hiqen para Krishtlindjeve

0
34


Nga ANI RUCI, 08 Tetor 2010

MINISTRAT E BE HAPI I FUNDIT/ Parlamenti Europian ka votuar dje me 538 vota pro dhe vetëm 41 kundër heqjen e vizave me Shqipërinë. Eurodeputetët e majtë dhe të djathtë të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, kanë miratuar raportin e Tanja Fajon për liberalizimin e vizave brenda këtij viti. Eurodeputetja sllovene, Fajon, sqaron votimin në PE: “Hapi i fundit është vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, në 8 dhe 9 nëntor. Shqiptarët do të lëvizin pa viza para Krishtlindjeve”. Presidenti Topi falenderon PE për votimin historik. Berisha: “Vendim epokal u bë i mundur nga arritjet e qeverisë”. Rama: “Murin e vizave e rrëzoi vullneti europian”

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, përfaqësuesja e Sllovenisë në PE, shprehet optimiste edhe për votimin në Këshillin e Ministrave të BE-së, në muajin nëntor.

Zonja Fajon, cili është mesazhi që dha sot Parlamenti Evropian me votën e tij pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë?

Parlamenti Europian me votën e tij pranoi që Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Me këtë rast përgëzoj gjithë qytetarët shqiptarë, pasi për ata kjo ditë është me të vërtetë një ditë historike. Kjo ditë erdhi pasi Komisioni Europian dha një vlerësim shumë pozitiv për progresin në përmbushjen e kushteve të vëna. Sot Parlamenti Evropian njohu me votën e tij pikërisht këtë realitet: Shqipëria është gati për liberalizimin e vizave. Shpresoj që këtë vlerësim do ta bëjnë edhe ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së. Dëshiroj t’u jap qytetarëve të Shqipërisë një lajm të gëzuar: ata do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e hapësirës Schengen para mbarimit të këtij viti, ose më saktë para Krishtlindjeve katolike.

A ka mbaruar puna zonja Fajon? Sot në Strasburg u fol edhe për monitorim të Shqipërisë lidhur me përmbushjen e kushteve të KE-së?

Dua të theksoj se puna nuk ka mbaruar. Shqipëria është sot gati teknikisht për të pasur liberalizimin e vizave, por monitorimi do të vazhdojë, KE-ja do të shikojë me kujdes se çfarë ndodh në terren, nëse Shqipëria zbaton në praktikë të gjitha standardet e kërkuara për të pasur lëvizjen e qytetarëve të saj pa viza në zonën Schengen. Nëse standardet e kërkuara nuk realizohen në praktikë, ka të ngjarë që disa vende të BE-së t’ia mbyllin përsëri derën lëvizjes së lirë, pa viza për shqiptarët. Por uroj që kjo të mos ndodhë.

Unë mendoj që Shqipërisë i duhet që qytetarët e saj të gëzojnë të drejtën e lëvizjes pa viza. Autoritetet dhe të gjitha palët e përfshira kanë punuar shumë për të arritur tek votimi i sotëm i Parlamentit Evropian. Shqipëria ka qenë për një kohë të gjatë shumë e izoluar dhe prandaj qytetarëve të saj duhet t’u jepet mundësia për të udhëtuar lirisht.

Në Parlamentin Europian pati edhe vota kundër liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. A mendoni se deri në nëntor, kur të bëhet mbledhja e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët do të marrin vendimin përfundimtar, qëndrimi i tyre do të ndryshojë për mirë?

Mund të them vetëm që pres që të gjitha vendet anëtare të BE-së të ndjekin votën e sotme të PE-së dhe t’i japin një mbështetje shumë të fuqishme, në fillim të nëntorit, liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën. Mendoj që kjo është diçka që të dyja vendet e meritojnë për të shkuarën e tyre të gjatë të izolimit. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat dhe nuk ka vend për kërkesa shtesë. Shpresoj që vendet anëtare do të njohin këtë progres ashtu si e njohu sot Parlamenti Evropian.

Kur kjo të ndodhë, znj. Fajon, i vetmi vend që i ndahet rajonit lidhur me lëvizjen e lirë është Kosova. A mendoni se KE-ja do të duhet të hartojë një strategji edhe për Kosovën?

Do të thosha që është shumë e rrezikshme që Kosova nuk është pjesë e procesit të liberalizimit të vizave. Duhet gjetur sa më parë që të jetë e mundur një zgjidhje, që edhe Kosova të përfshihet në këtë proces. Tani që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina do të gëzojnë lëvizjen pa viza, Kosova rrezikon të mbetet shumë e izoluar. Jo vetëm kaq, por qytetarët e Kosovës do të jenë shumë të tensionuar dhe të pakënaqur. Prandaj KE-ja duhet sa më parë t’u dërgojë një mesazh të qartë autoriteteve të Kosovës, që do të fillojë të projektojë një strategji për liberalizimin e vizave edhe për Kosovën, në mënyrë që edhe ata të fillojnë të punojnë për të njëjtin qëllim.

——————————————————————————–
Vizat, hapi i fundit votimi i ministrave të BE

Votimi i djeshëm në Parlamentin Europian është në fakt hapi i parafundit përpara se qytetarët shqiptarë të mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Etapa e fundit e këtij procesi, të nisur dy vite më parë, është Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. Ministrat e Brendshëm të Unionit do të mblidhen në datat 8-9 nëntor, ku përveç çështjeve të tjera do të votojnë edhe propozimin e Komisionit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Nga momenti i votimit të ministrave të Brendshëm, procedura e BE-së parashikon që vendimi hyn në fuqi pas 21 ditësh. Brenda kësaj periudhe 3-javore, sektori përgjegjës për dokumentacionin boton në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europian vendimin e ministrave të Brendshëm. Nga ky moment, çdo qytetar mund të udhëtojë në vendet e BE-së, me vetëm një kusht për t’u plotësuar, pajisjen me një pasaportë biometrike.

Sipas një llogarie të thjeshtë, me marrjen e vendimit nga ministrat e Brendshëm, në ditët e para të muajit dhjetor, qytetarët e dy vendeve të Ballkanit mund të kalojnë kufirin. Sipas marrëveshjes së liberalizimit të vizave, një qytetar mund të qëndrojë në vendet e Unionit për 90 ditë brenda 180 ditëve, ndërkohë që nuk mund të punojë apo të ndjekë studimet.

——————————————————————————–
Haxhinasto: Ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptarët

Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, falënderoi dje të gjithë partnerët europianë për vendimin e marrë nga PE-ja për liberalizimin e vizave me Shqipërinë. “Shpreh falënderimet më të thella për të gjitha institucionet e Bashkimit Evropian. Vota e sotme e merituar do të pasohet nga miratimi i ministrave të Brendshëm të BE-së, së shpejti. Dëshiroj të falënderoj gjithashtu të gjithë diplomatët e angazhuar në këtë proces, i cili ka kërkuar një përkushtim dhe një profesionalizëm të lartë”, u shpreh ministri i Jashtëm shqiptar.