Matrapiku pa vizë

0
32

Arben Rrozhani, 08.10.2010

Sadriu është shtrirë sa gjerë gjatë në stolin e drunjtë me skelet prej hekuri të skalitur. Dy vite më parë kur ai shesh u ribë përreth statujës së “Ushtarit të Panjohur”, stoli ishte i bardhë dhe me listela të drejta. Sot është e shtrembër dhe i zbërdhulët, por është shtrati ditor i burrit që flet me theks të rëndë verilindor.

Pak më tutje, ngulur pingul mes pllakave të reja të betonta të trotuarit prej nga shihet kollaj Skënderbeu mbi kalë, selia e PD-së, Sahati i Tiranës dhe xhamia e Et’hem Beut, është “arma” e punëtorit të papunë, një matrapik gati një metër i gjatë, i markës “Bosch”.

Sadriu ngrihet menjëherë sapo i afrohesh. Do pak kohë për t’u çmpirë nga qëndrimi i gjatë shtrirë mbi stol. Pezmatohet kur kupton se, atij që u afrua, nuk i duhet as ai, as vegla e tij, matrapiku.

Duhet vetëm fjala e tij, çfarë do të bëjë ai ditën kur shqiptarëve dhe boshnjakëve, do t’iu hiqet regjimi i vizave në kufijtë e shteteve që kanë nënshkruar marrëveshjen Shengen. “E shiqon at matrapik?” – thotë dhe pastaj vetëm nënqesh.
Si puna e Sadriut të papunë janë shumë tek “Ushtari i Panjohur”, vend takimi dhe qëndrimi për punëtorët me mëditje në Tiranë, më së shumti zanatçinj dhe punëtorë krahu.

Punë nuk ka. Edhe dje, si çdo ditë, nëse parkoje anash rrugës që të çon të “Nëntëkatëshet”, burrat e papunë brofin duke të të pyetur nëse ke nevojë për punëtorë.
Ata ende nuk e kishin marrë vesh kryelajmin e ditës; votimin në PE që ndoshta do t’iu japë fund këtë vit rropatjeve denigruese të shqiptarëve përpara selive konsullore të vendeve evropiane anëtare të nismës Shengen. Me shumicë votash, anëtarët e PE-së mbështetën kështu apelin e eurodeputetes sllovene, Tanja Fajon.

Është hapi i parafundit. I fundit pritet një muaj më pas, kur ministrat e brendshëm evropianë duhet të miratojnë propozimin legjislativ që propozonte në maj Komisioni dhe nëse votohet pro, liberalizimi i vizave edhe për shqiptarët mund të hyjë në fuqi 20 ditë pas datës së publikimit të vendimit, pra në ditët e fundit të dhjetorit 2010.

Kështu, 20 vite pas rënies së perdes të hekurt mes vendeve të ish-lindjes komuniste dhe atyre të Evropës Perëndimore, edhe shtetasit shqiptarë të pajisur me pasaporta biometrike mund të kenë të drejtë të lëvizin në vendet e hapësirës Shengen, për një periudhë 90 ditore. Por, as për të punuar, as për të studiuar.

Sadriu thotë se nuk e ka ende pasaportën e re biometrike të sigurisë së lartë që prodhohet nga firma franceze “Sagem” për një çmim rreth 50 euro. Nuk ka pasur aq lekë, sepse është “buka e pesë fëmijëve për një javë”, – siç thotë. Por shton se do t’i marrë borxh, nëse nuk gjen punë dhe nuk do të rrijë pa shkuar te një kushëri që jeton prej vitesh në rrethinat e kryeqytetit belg.

Qeveria shqiptare ka marrë zotime para autoriteteve të BE-së se do të sensibilizojë qytetarët e vet se liberalizimi i vizave nuk do të thotë leje punësimi apo qëndrimi pa afat në vendet e hapësirës Shengen. Spote promocionale dhe afishe në rrugë tregojnë radhët aktuale para selive konsullore të vendeve evropiane dhe lehtësimi që do të vijë pas heqjes së barrierave të vizave.

Në 2008-ën, gjatë një takimi të UNHCR-së, agjenci e OKB-së, kur flitej për kushtet e riatdhesimit të shqiptarëve që rrinë pa dokumente jashtë vendit të tyre, një zyrtar shqiptar tha se parashikonte një fluks prej 400 mijë shtetasish shqiptarë, pas heqjes së regjimit të vizave.

Qeveria shqiptare ka dhënë shumë garanci, veçanërisht ditët e fundit, sidomos pas dyshimeve të forta të qeverisë franceze për aftësitë e vendit më të varfër të Ballkanit për të qenë një respektues i mirë i lëvizjes pa viza.

Mesazhi është sidomos për qeverinë shqiptare dhe nuk ka të bëjë me sigurinë e dokumenteve të identifikimit, që si për ironi të fatit janë bërë nga vetë francezët, si një koncesion shumëmilionësh, por me frikën për dyndje të reja drejt vendeve të pasura evropiane.

Precedenti është: Rreth nëntë muaj më parë, vetëm pak kohë pasi BE hoqi regjimin e vizave për serbët, malazezët dhe maqedonasit, qindra familje nga lugina e Preshevës në Serbi, apo të FYROM-it, shkuan me autobusë në Bruksel dhe kërkuan azil politik. Qeveria belge u detyrua t’i kthente mbrapsht po me autobusë.

Pas këtyre rasteve, skeptikët dhe kundërshtarët e hapjes së Evropës patën një argument më shumë për të kundërshtuar procesin e liberalizimit të vizave, zgjerimit të Evropës së bashkuar përtej kufijve të shteteve aktuale dhe masa dragoniane shtesë ndaj emigracionit ilegal dhe krahut të lirë të punës nga Lindja.

Qeveria shqiptare përdori dje ato frazat e suksesit që priteshin lidhur me votimin e PE-së. Vizat do të jenë me siguri një kartë e fortë elektorale e partisë në pushtet për zgjedhjet e ardhshme vendore të parashikuara për t’u mbajtur në 8 maj 2011. Edhe vizat, ata do t’i shohin si një armë tjetër kundër opozitës.

Por qeveria duhet të jetë gati të përballet edhe me të korrat e asaj që ka mbjellë. Këto mund ta penalizojnë shtetasin shqiptar sërish. I reklamuar si vendi me rritjen më të madhe ekonomike të Evropë dhe vend që nuk u godit nga kriza, Shqipëria është në realitet shumë prapa vendeve të tjera të rajonit në aspektin ekonomik.

Të ardhurat janë rritur me lojërat e zakonshme të shifrave, por në pesë vitet e fundit shqiptarët ndihen dukshëm më të varfër dhe më të pashpresë se më parë. Nga ana tjetër është shtuar një klasë e superkamur që janë pushtetarët dhe ata afër tyre. (për ironi, janë mbajtës të pasaportave të shërbimit apo diplomatike, që nuk kanë pasur ndonjëherë nevojë për viza).

Edhe pse me mbi 1 milion emigrantë në Greqi dhe rreth 450 mijë në Itali e vende të tjera të BE-së, vendi vuan rënien e dërgesave nga jashtë, sepse shumë familje janë goditur nga kriza e rëndë ekonomike që ka prekur shtetin Helen.

Ndërsa thuhet zyrtarisht se papunësia është rreth 11,5 për qind, jo zyrtarisht, ajo është në rreth 30 për qind dhe ka prekur sidomos brezin e ri, i cili nuk ka hapësirë punësimi në sektorin shtetëror të pushtuar nga militantët partiakë dhe as në sipërmarrjet e mëdha që janë të pakta në vend.

Ata do të jenë të parët që do të ikin, sepse në vend nuk ka asnjë shpresë dhe të ardhme për ta. Por, para tyre, me siguri do të jetë Sadriu dhe arma e tij e luftës për mbijetesë, matrapiku.