PD: “Në emër të popullit shqiptar, Rama të votojë heqjen e imunitetit!”

0
51

Shekulli Online

Partia Demokratike në një deklaratë për shtyp ka folur në emër të popullit shqiptar, ku i kërkon kreut të opozitës që të votojë heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë ditën e nesërme.

“Nesër sytë e mbarë shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo që jetojnë janë të ngulur në sallën e Parlamentit të vendit si kurrë më parë. Ata me padurim presin që nesër deputetët e Kuvendit që mblidhen për një votim historik për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët të votojnë me konsensus për heqjen e imunitetit, shembjen e murit të korrupsionit dhe hapjen e dyerve për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për vend anëtar në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e PD-së.

Partia Demokratike ia ka bërë sërish ftesë kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Ramës, duke vijuar me tëj që të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit, pasi sipas PD-së vota e nesrmë është e rëndësishme për procesin e marrjes së statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

“Partia Demokratike fton kryetarin e Partisë Socialiste të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit për zyrtarët e vendit duke bllokuar kështu statusin e vendit kandidat, por të lejojë deputetët e Partisë Socialiste që me votën e tyre të shndërrojnë 6 gushtin në një fitore të vërtetë për të gjithë shqiptarët, përfaqësuesit dhe forcat e tyre politike”, theksohet në deklaratën e PD-së.

Në deklaratë Rama akuzohet se, duke mos votuar heqjen e imunitetit po përmbys kushtetutën demokratike me kushtetutën e sundimit të pakicës dhe ai dëshmon se atë që ai nuk merr dot me vota kërkon ta marrë me pazare shtetin për interesa të ngushta të këshillit të miliarderëve të Partisë Socialiste.

“Duke ftuar dhe njëherë Ramën të mos bllokojë nesër heqjen e imunitetit, Partia Demokratike garanton shqiptaret se asgjë nuk do të pengojë verdiktin e tyre për rrëzimin e murit të korrupsionit me votën e tyre të lirë”, shprehet mazhoranca. /E.Lata/