Zike Pallaska shpjegon Shqipërinë në këtë 100 vjetor

0
65

Nga Pëllumb Kulla, 4 Gusht 2012

Me të parë e me të dëgjuar

Pritet që këto ditë në kodin penal të miratohet një nen që trajton shpifjet. Neni i ri saktëson: kush thotë se tek ne nuk ka liri, do të futet në burg!

* * *

Në Londër kryeministri ynë, vajtur për hapjen e lojërave olimpike, ftoi edhe 14 kryetarë të tjerë shtetesh që të na urdhërojnë këtu për kremtimet e 100 vjetorit. Kryeministri ynë kish harruar se tre prej tyre i pat ftuar dhe më parë. Dhe bile që të tre ata i patën thënë: po! Qejf o qejf që do bëhet në Tiranë më 28 nëntor!

* * *

Në vitin ’92, një rrugës së qytetit tonë, i patën hequr emrin e dëshmorit Rushit Bilbili dhe i patën vënë emrin e një deputeti të Zogut, pushkatuar nga Enveri e që quhej, rastësisht, Bilbil Rushiti! Socialistët në ’97 erdhën në pushtet. Ia hoqën rrugës pllakën e re dhe ia rikthyen rrugës emrin e parë, të partizanit. Më 2005 u rikthyen këta të Berishës: e hoqën pllakën me emrin e partizanit Rushit Bilbili dhe e vunë përsëri atë me të deputetit Bilbil Rushiti. Kështu ajo rrugë ka mbetur thuajse me po atë emër, por çdo tetë vjet, një herë e ka Bilbilin prapa e një herë e ka Bilbilin përpara!

* * *

Vajzat që shkojnë me turistët nëpër hotele dhe ndajnë krevatin me ta, nuk janë vajza të pamoralshme por, thjesht, vajza që natën kanë frikë të flenë vetëm.

* * *

Njerëzit janë të shqetësuar që edhe kryeministrit do t’i hiqet imuniteti. Qetësohen disi kur e dinë që Berishën e ruajnë 67 badigardë; që ai ka me vete Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë (megjithë armatimet e lehta dhe të rënda!), flotën ajrore dhe detare; aq më mirë që nën urdhrat e tij është Ministria e Brendshme dhe Gjykata e Lartë e Republikës. Mban dhe jelek antiplumb, që nuk e heq as kur bën dush! Por… mirë do të qe të kishte edhe imunitetin!

JAVA