Ch. Baudelaire – Vravashka e gjallë (disa poezi përkthyer nga Primo Shllaku)

0
84

Charles Baudelaire (1821 –1867), shkrimtar frëng, prijatar i poezisë moderne evropiane dhe përfaqësues i simbolizmit, njihet dhe si eseist, kritik dhe përkthyes i veprës së poetit Edgar Allan Poe. Kryevepër e tij llogaritet Lulet e së keqes (1857), kurse vepra të tjera nga ky autor veçohen: Arti romantik, Pasqyra e artit, Parajsa artificiale etj. Në poezitë e tij trajtohen motive të ndryshme, si vetmia, mërzia, dhimbja etj. Në planin strukturor, poezitë e tij kanë formën e sistemit. (“Jeta e Re”, 2010)

VRAVASHKA E GJALLË

Para meje ecin kta Sŷ plot me drita
që nji Engjull i shumditun u dha fuqi magneti.
Ecin kta vllazën hyjnorë që janë të mi vllazën
tue më shkundë ndër sŷ prushin e vet farfuritës.

Kah m’shpëtojnë prej kurthesh e mkatesh të randë,
ata më heqin rrugën ku shkohet për te E buk’ra ,
sherbtorë i kam, por jam edhe skllav i tyne.
Ksaj vravashke i bindet krejt qenia ime.
O sŷ t’magjishëm, ju shndrisni me ‘i kjartsi mistike
që vetëm qirat kanë kur digjen në mes të ditës. Dielli
e skuq por s’e shuen flakën e tyne fantastike.

Ata festojnë Vdekjen, ju i kndoni Zgjimit;
Ju marshoni e kndoni zgjimin tim të shpirtit,
o hyj që s’ka diell që flakën t’jua pakojë.

FUNDI I DITËS

Nën nji dritë të zbehtë
vrapon, vallzon e përdridhet pa shkak
Jeta, e paturpshmja, gërthitsja.

Porse,ndërkaq kur n’horizont
ngjitet epsharakja natë,
tue fashitë gjithçka, deri urinë,
tue shlye gjithçka, deri turpin,
Poeti thotë me vete: “Ma në fund!

Shpirti dhe eshtnat e mi
kërkojnë me çdo kusht pushimin.
E zemrën plot me andrra mortore

Kam me u shtrî në shpinë
e me u rrokullisë në palat tueja,
o freskuese errësina.”

VDEKJA E DASHNORËVE

Do të kemi shtretën plot me erna të lehta,
divana të thellë sikur të ishin vorre
e lule të rralla përmbi komodina,
çilun për ne nën qiejt ma të bukur.

Tue përdorë për merak nxehtsinë e tyne të fundit,
dy zemrat tona do t’jenë pishtarë të mdhej
e dritën e dyfishtë do ta përthejnë
të shpirtnave tanë,pasqyra binjake.

Nji mbramje të bame me rozë e blu mistike,
na do të këmbejmë nji t’vetme vetimë,
si dënesë të gjatë,randë ngarkue me mall.

Ma vonë mandej nji Engjull që dyert i hap paksa,
do të vijë me gjallnue,besnik e plot haré,
pasqyrat e marrta e prushin e fikun.

ANASJELLTAS

Engjull gazplotë, a e njef ti brengën,
turpin përbremjet, dënesat, mërzitë
tmerret e vagullta të netëve të llahtarës
që zemrën e shtrydhin si letër që tutlohet?
Engjull gazplotë, a e njef ti brengën?

Engjull plot mirsi, a e njef ti urrejtjen,
grushtat shtrëngue nën hije e lotët prej tamthi,
kur lshon Hakmarrja at kushtrimin skëterre
e e shpirtit tonë bâhet kapidania?
Engjull plot mirsi, a e njef ti urrejtjen?

Engjull plot shndet, a i njef ti ethet,
që anës murit të azilit të zbehtë,
si të syrgjynosun shkojnë me hap t’zvarrisun,
e, me murmurimë, kërkojnë diellin e rrallë?
Engjull plot shndet, a i njef ti ethet?

Engjull plot bukuri, a i njef ti rrudhat
e frikën se plakesh, si dhe t’hatashmin shqetsim
kur lexon të devocionit tmerrin e msheftë
ndër sŷtë ku gjatë shuen etjen sŷtë tanë të rreshkun?
Engjull plot bukuri, a i njef ti rrudhat?

Engjull plot drita,gzim e lumni,
në fill t’mortjes Davidi do t’lypte shndet
nga rrezatimet e trupit tand të magjepsun.
Prej teje tjetër s’kërkoj veç t’lutesh për mue,
Engjull plot drita, gzim e lumni.

BISEDË

Ti je nji qiell i bukur vjeshte, i kjartë e rozë,
por n’mue trishtimi fryhet si batica e detit
e lên kur zmprapset mbi buzën time të smundë,
kujtimin regjës të nji limoni të idhtë.

Kot e ka dora jote që lmon ket gjoks t’mekun.
Çka kërkon ajo âsht vend i plaçkitun
prej kthetrash e dhambit mizor të femnës.
Mos ma kërko mâ zemrën. Bishat e përlanë.

Zemra ime âsht pallat i vyshkun prej turmash.
Atje dehen, vriten, shkulen prej flokësh.
– Nji parfum noton rreth qafës tande t’zhveshun…

O bukuri,lngatë e egër shpirtnash, ti dashke.
Me sŷ prej zjarmi, të ndritshëm sikur festa
Shkeli me kambë kto zhele që bishave u tepruen.

Përktheu nga frëngjishtja: Primo Shllaku