“Një-përdorimi” i të huajve: inferioritet paracivilizues!

0
45

Nga Arben Manaj, 4 Gusht 2012

S’na u ndanë Rajersonët e rinj! Luca Volonte, Joseph Daul, Bernd Posselt apo edhe Wolfgang Grossruck, janë batakçinjtë më të rinj politik perëndimor, që edhe në 2012, ende tallen me inteligjencën e shqiptarëve.

Dikur, kur sapo kishte lindur lëvizja pro-demokratike, ish-ambasadori amerikan Rajerson në Tiranë bënte pak a shumë të njëjtën gjë. Por realisht atij i falej për kohën, madje do thosha deri diku, ishte i justifikuar.

Shqiptarët kishin në atë mot nevojë për një pikë referimi mbështetëse tek aleati i ri i sapogjetur, por i vjetër dhe i madh i kombit, dhe Rajersoni edhe pse e shkeli disi statusin e tij diplomatik, ishte më shumë emisar i demokracisë më të madhe në botë.

Por sot, 22 vjet më vonë, ardhja e këtyre palaçove që përgjithësisht janë në skalionin e fundit të politikës nga vendet nga vijnë, është një praktikë démodé, pasi edhe nëse votohen nëpër institucionet politike parlamentare në institucionet e Brukselit apo Strasburgut, të paktën nga eksperienca britanike janë nga takëmi i “fundit të kavallit”.

Është fakt se ata zgjidhen nga një përqindje shumë e ulët e elektoratit në vendet nga vijnë dhe për hir të së vërtetës, janë njerëz që vetëm bëjnë gam-gam dhe marrin dieta e rroga të majme.

Për më tepër, komprometojnë parimet e demokracisë në vendet ku i lejojnë të fusin hundët përdhunshëm.

Ky takëm politiqenësh, me ndërhyrjet flagrante në politikat e brendshme të vendeve ende të pakonsoliduara nga pikëpamja demokratike, janë padyshim një devijim dhe shfrytëzim i keq me imazhin dhe përfytyrimin që popujt e sapodemokratizuar kanë për politikanët e sofistikuar modern të Evropës.

Prania e tyre e pafytyrshme në politikën nacionale, siç është rasti i Shqipërisë, është e dënueshme edhe nga ana etike dhe morale.

Ajo është tallje me intelektin e popujve, ku ata vijnë e bëhen si të zotët e vendit, duke mbajtur anë në formën më të paturpshme të mundshme.

Këta politikanë “një-përdorimësh”, luajnë keq edhe me mikpritësit, dhe nuk do habitesha aspak nëse nuk kontraktohen edhe përkundrejt përfitimeve dhe lehtësirave financiare apo atyre në fushën e biznesit, për vete apo miqtë e tyre në pritje për të peshkuar ndonjë tender në Shqipëri.

Ardhja e tyre dhe njëanshmëria e frikshme politike me një palë kundër një pale tjetër, përbën një dëm të madh edhe për kulturën politike dhe imazhin e Evropës nga këta emisarë, që në sytë e shqiptarëve, për hir të së vërtetës, në pjesën më të madhe tallen dhe u nxjerrin gishtin e mesit sa herë që ata shfaqen përdhunshëm në ekranet shqiptare përkrah sponsorëve të tyre.

Ky lobim politik është dhe duhet dënuar edhe ligjërisht.

Do ishte më e pranueshme nëse këta pinjoll politik të grupacioneve politike dhe ideologjike, do të lobonin për vërsnikët e tyre nëpër konferencat partiake të simotrave apo sivëllezërve ideologjik, apo edhe ti këshillonin pas kuintave, por kurrsesi në nivele shtetërore.

Marrja borxh e këtyre zëdhënësve jozyrtarë të Evropës, është shprehje e kompleksit të inferioritetit të porositësve, aq sa edhe patronizmi që i bëhet një populli të tërë, që konsiderohet përbuzshëm si i leshtë.

Madje, ata duhen këshilluar diplomatikisht edhe nga përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të tyre në Tirane në parim, që të mos investohen kaq publikisht. Nuk jam aq naiv ta kuptoj që kjo s’bëhet.

Fenomeni i “flet-volontes” fatkeqësisht tregon në fakt paracivizilimin e sponsorëve të tyre dhe në fund të fundit është një humbje kohe dhe energjish në tentativën jashtë mode, për t’i shpëlarë politikisht trutë e shqiptarëve, që sot nuk janë me ata të 1990-ës!