Namik Selmani – Aromë Çamërie – dhe Fjongoja e… Shkumbinit (Elegji)

0
42

AROMË ÇAMËRIE
(Miqve të Çamërisë kudo që janë në botë)

Namik Selmani

1.
Më vjen Çamëria në duar
Si një tufë e blertë borziloku
E hedh në gjoksin e thinjur
Një triko të vjetër, të leshtë.
Minaret presin ezanet
E çerdhja pret cicërima zogu
E fëmijët e fëmijëve
Flasin veç për plagë e brengë…

2.
Më vjen Çamëria e shtrenjtë
Si një tufan i zbutur nga dielli
Ndalet në supet e lodhur
Të një shpendi malor
O netë tragjike çame,
Ku plumbat vrisnin dhe qiellin
Më sillni ca ditë,
Kur të eci pa dhimbje e drojë.

3.
Edhe pa pranga
Kujtoj ftoin e shegën e pavjelur
Një dasëm
që ngrinte gurët, sofatet, përrelet.*
Një valle që hidhej
në gjokset e burrave të mençur
Një breg
ku nuk dua të bëhem kurrë gardiani i derteve.

4.
Dhe e marr Çamërinë
Në një hambar të mbushur me grurë
Ta mbjell në ugare zemrash
që kurrë të mos thahet e të vyshket si fleta
se oxhaqet duan zjarr, vëlla,
e gurët janë prej vitesh të sëmurë
Një mall i largët
Ç’po ua thinjka vajzave të bukurat gërsheta.

5.
Me ca trokitje morsore
Po më vijnë në pëllëmbën e dirsur
Qenkan pak, shumë pak
Të zgjojnë sërish puset, bahçet, stanet.
O, po shpirti im bleron
dhe për ty, moj Çamëri e bukur
Bëhet një Jon i dytë
me blegërima, ullinj e portokalle

6.
Oooo, po shpirti im
Këndon si aed këngë për nipin e nipit
Se toka s’më tret nën dheun zezonë
Pa larë borxhin e vjetër.
Luturvia* pret, pret
Kokrrat e pavjelura të ullirit
Dhe strehët e vetmuara
Bëhen fole për karvanarët.

7.
Më vjen Çamëria si mandile nëne
a e vënë në duart e vajzës nusëruar
Si një shpat i lartë
Që nuk ia numëroj dot rrezet që e ndrisin
Rahmetoj gjyshërit
Si lisa të një Pylli të Prerë
Mbi ëndrrën e tharë
Hedh lotin si farën për plisin.

8.
Dhe e prek Çamërinë
Me qerpikun e lotit në syrin e patharë
E thërras me oi
Në gjysëmerrësirën e klithmuar të netëve
Oooo, po ajo është larg,
e vatrat s’kanë shkarpa e zjarr
pa një dorë nëne
janë djepet që duan përkëdhelje

9.
E kam Çamërinë në sy si një shamibardhë
A si një vajzë me bukurinë dashuruar
E në ballin e nxehtë
Fshij rrëketë e djersës së etheve
Lirikat për ullinjtë
Me elegjitë e baladat janë shartuar
Janë kthyer në cungje
A ninulla të pakënduara të djepeve

10.
Më vjen kudo Çamëria…
Në syrin stërrall që bëhet shkëndija…

 

FJONGOJA E RE E SHKUMBINIT
(Elegji për poetin Milianov Kallupi me rastin e ndarjes nga jeta)

Namik Selmani

Do ta ngrejmë një Egnatia moderne të dytë, o Poet
Do të ecim pa lodhje drejt shpirtit tënd të behartë
Me valë Shkumbini do ta thurim një fjongo të re
Për vargjet kujtimet që mbetën si të ishin kurorë e kristaltë.

Do ta ngrejmë një Urë të re brigjeve të Jetës e Pasjetës
Për të bashkuar zemra, tinguj, ngjyra që s’njohin stinim.
Na thuaj, miku Milianov, si do ishtë Zëri i së Vërtetës
Pa fjalën e ëmbël të poetëve që sjellin rinim?

Se dasmat do veniteshin pa fjalë bukurore të këngës
Se vdekjet do të zezonin më keq pa fjalët e ngrohta
Se ditënetët e mërgimtarëve do futeshin në sinorët e ëndrrës
Se fytyrat e fëmijëve do bëheshin si statujat pa shkronja.

Do të bëjmë një Det dashurie, o Mik i Urtësisë
Do të sjellim gjëmime topash e trëndafilë, petale gjaku
Do sjellim fjalën e pathënë mes qieve të nxirë.
Dhe dhimbjen ta kthejmë si hap që ndalet te pragu.

E kokrrat e dheut do t’i rihedhim sërish nëpër fletë.
Diku në ballinën e librave ku mbetën shumë fletë jetime
Se koha shkon o mik, e shpesh kapistalli në duar rrëshqet
Dhe loti i vajzave bëhet si margaritari e perlat pa çmime.

Ti ishe ëndrra që prekëm, gazi dhe dora që shtrënguam.
Ishe kurorë kënge, një pishë shpatarake e lule pa vyshkje
Në ullishten e Krastës a në salla ishe lirika e pashkruar
Në sytë e miqve ylberi që të mbetet në supe.

Mos, moooos, ju lutem, ndalojeni këtë avion të rëndë!
Që po sjell një trup poeti të ftohtë mes mallit e zjarrit
Në sytë e miqve gurron dhimbshëm një përrua me lotë
Një jehonë zëëmbël për ty ndjejmë te Rrapi i Bezistanit.

28 korrik 2013

– – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – – –
Lista Ars Poetica – Më afër njëri-tjetrit, më afër vetvetes!