“Berisha derdh “lot krokodili” për Kosovën dhe miliarda për serbët”

0
30

Mero Baze

Nga M. Jahiri

Intervistë e botuesit të gazetës “TemA”, Mero Baze, për shtypin e Kosovës

Z. Baze, a mund të na tregoni se çfarë ndodhi me të vërtetë natën kur ju u sulmuat nga biznesmeni Rezart Taçi?

Është diçka banale të përshkruash si të sulmojnë kur je duke pirë kafe me dy kolegë pas punës. Përfytyroni një skenë klasike, kur agresori vjen në tavolinë dhe për një sekondë je nën agresionin e tij dhe shoqëruesve të vet. S’ia vlen as ta kujtosh.

Atëherë, cili ishte motivi i kësaj që ka ndodhur?

Kishte rreth 2 orë që kishte përfunduar emisioni im mbi përdorimin e Policisë së Shtetit nga biznesmenë privatë dhe ilustrimi filmik paraqiste Policinë Tatimore që bllokonte Uzinën e Rafinimit të Naftës në Ballsh, dhe Policinë e Rendit që ndalonte Policinë Tatimore të kryente detyrën. Pra, ky biznesmen, që ka kapur Familjen e kryeministrit, arrin të përdorë Policinë e Shtetit kundër Policisë Tatimore, duke vepruar si një shtet brenda shtetit. Ky emision ka pasuar së paku 5 emisione të tjera, ku hidhej dritë mbi privatizimin abuziv të ARMO-s, (ish-kompania shtetërore e naftës) dhe “fabrikimin” prej pushtetit të këtij biznesmeni, i cili në datën 20 nëntor pranon që s’kishte asnjë lek dhe më 21 nëntor ka paguar 128 milionë euro. Është një histori për skenar hollivudian, e denjë për të ilustruar Rusinë e Putinit, se si shpiken miliarderët e naftës nga pushteti.

Z. Baze, ndaj jush ka pasur edhe më herët sulme mjaft serioze, rasti i djegies së makinës suaj. Cili është komenti juaj?

Sulmet ndaj gazetarisë kritike në vende si këto tonat janë të pashmangshme. Mua më kanë djegur makinën, më kanë shkatërruar shtypshkronjën, kanë shkuar të më prishin shtëpinë e prindërve, kanë kërcënuar rregullisht, kanë nxjerrë gazetën nga zyrat prej 11 muajsh, dhe në fund dhe kanë qëlluar. E ke të pamundur t’i shmangësh këto. E rëndësishme është që institucionet dhe shoqëria të reagojnë dhe këto të mos kthehen në standarde të komunikimit të medies me politikën. Nëse ka aq fuqi shoqëria dhe institucionet që t’i ndëshkojnë këto simptoma të shoqërive mafioze, ne nuk duhet të kthehemi në gazetarë qaramanë. E rrezikshme është, kur këto sjellje adoptohen prej qeverive si standarde normale.

Kjo ndodhi në të vërtetë me rastin tim të fundit, kur gjithë garnitura mediatike e qeverisë apo edhe ministra të qeverisë, për të cilët dëshmoi publikisht dhe ambasadori amerikan në Tiranë, janë shprehur pro dhunimit të gazetarit nga një bandit i pushtetit. Pra dhuna është justifikuar dhe kjo është një gjëmë. Në TV Klan u shfaq përfaqësuesi i shumicës në pushtet në Komisionin parlamentar të Medies, Mark Marku, dikur një ish-bashkëpunëtor vullnetar i gazetës sime, dhe e quajti të dobishme rrahjen e gazetarëve, pasi tani është bërë deputet. Kjo pastaj është e rrezikshme. Ky nuk është më një raport mes medies dhe qeverisë në një vend demokratik, por është një komunikim kriminal i një regjimi me kundërshtarët e vet.

Ju si gazetar, mirëpo edhe si botues, njiheni si mjaft kritik ndaj qeverisë. A mendoni se këto sulme kanë lidhje edhe me investigimet tuaja?

E di se po më kthehet në problem të qenit gjithë jetën kritik, por nuk është një fat që e kam kërkuar, por një pozicion ku të çon vetiu profesioni i gazetarit. Kam qenë një kritik i rreptë, gati-gati dhe ideologjik i socialistëve në pushtet për tetë vite në Shqipëri, të cilët po instalonin në të vërtetë një qeverisje, ku korrupsioni ishte standard normal, madje popullor. Në atë betejë natyrisht që u afrova shumë me opozitën e atëhershme dhe përfundova në një mbështetës dhe shpesh ideator i ish-opozitës tani në pushtet. Shpeshherë gazetaria e angazhuar ta zhduk kufirin e solidaritetit profesional me atë politik dhe ky është një defekt, ndaj të cilit duhet bëjmë kujdes.

Shembulli im në këtë drejtim nuk është aq i mirë. Nuk është se isha nga ata që ëndërroja Sali Berishën si vigan kundër korrupsionit, por shpresoja se në një shoqëri, ku ligji ka pak pushtet, vullneti pozitiv mund të përdoret pozitivisht. Por çdo metodë e gabuar të çon në gabim. Sali Berisha nuk preku asnjë linjë të instaluar të korrupsionit të vjetër socialist, përveç atyre që menduan se duhet të dilnin vetë nga loja, se kishte ndërruar pushteti. Të gjithë të tjerët ndërruan padron. Brenda dy vitesh ai u bë një aleat politik edhe me Fatos Nanon dhe filloi të flirtojë me Ilir Metën.

Çfarë ju shqetëson tek ai që ju e quani “pushtet i Familjes”?

Familja e tij dhe sidomos fëmijët e rikthyer nga emigracioni, u bën diktues të politikave të kuadrit në poste kyçe dhe brenda dy vitesh Shqipëria qeverisej prej 35-vjeçarësh ose 32-vjeçarësh, aq sa ishin vajza apo djali i tij. Gruaja e tij mori kontrollin e plotë mbi Shëndetësinë, vajza mbi koncesionet dhe tenderët e energjisë, kurse djali vendosi nën kontroll Agjencinë e Kthimit të Pronave dhe u përfshi në lobimin e ndërtimit të fabrikës në Gërdec. Droja për të vepruar në fshehtësi u iku dhe dy vjet pasi kishin ardhur në pushtet, ata nuk i ndalte dot më asgjë. Si asnjëherë tjetër në Shqipëri lulëzoi biznesi ish-jugosllav. Mishkoviçi, ish-zv/kryeministri jugosllav i fillim-viteve 2000, u bë partner me një klient të vajzës së Sali Berishës në blerjen e një hipermarketi me rreth 70 milionë dollarë në Tiranë.

Ky ishte ndërkohë, sipas shtypit kroat dhe serb, një njeri i afërt dhe mik me serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, i cili në të vërtetë ishte kthyer në djalë shtëpie për Sali Berishën. Ky rrjet i biznesit serb nisi të përhapej me shpejtësi në Tiranë në biznese që kishin lidhje me pushtetin. Jam shokuar, kur kam parë se brenda një viti 25 kompani serbe operonin në Tiranë dhe fitonin tenderët më të rëndësishëm publikë në ndërtim rrugësh, shitje të energjisë elektrike, pajisje të shkollave shqiptare me kompjuterë dhe gjithkund ku paratë fitohen me një telefon nga zyra e vajzës së kryeministrit. Për herë të parë kam parë se serbët po ndjeheshin mirë në Tiranë, madje po fitonin miliona euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Sllobodan Markoviç një serb i Beogradit që ka regjistruar një filial të një firme të motrës së tij në Austri, ka fituar rreth 100 milionë euro punë publike, duke pasur partner Fahri Balliun, një botues të afërt të Sali Berishës. Ai ka marrë paratë prej dy vitesh që të ndërtojë segmentin rrugor Vlorë-Levan, Tepelenë-Fratar dhe mbikalimin në hyrje të Tiranës. Nga këto tri punë ka përfunduar vetëm mbikalimin në hyrje të Tiranës më një cilësi skandaloze. Kompania s’ka asnjë traktor në Shqipëri dhe punon me mjete të marra me qira. Pra shihet qartë se kemi një veprimtari të pastër sekserësh në favor të një pale të tretë. Dhe ky nder prej së paku 100 milionë eurosh i është bërë një serbi.

Mbaj mend se në të njëjtën ditë që ky serb u bë milioner me paratë tona, Drejtoria e Rrugëve skualifikoi të vetmin kosovar, Fadil Bytyçin, nga një segment 5 km që kishte fituar në Rrugën e Arbrit. Po kështu, kompania “Rudnap”, që realisht ka pronar Lazareviçin, një lider populist, nacionalist, antishqiptar të Malit të Zi, së bashku me Damir Fazlliçin kanë marrë vetëm gjatë vitit 2008 rreth 70 milionë euro nga shitja e energjisë elektrike në Tiranë. Një tjetër kompani e Beogradit me bazë anonime në Qipro, pas së cilës qëndron Marko Millosheviç, na ka shitur kompjuterët për shkollat shqiptare. Dhe të mendosh që asnjë biznes i Kosovës nuk ka mundur të marrë dot dhe një rrugë apo një tender publik, ngjan më shumë sesa ironi e fatit, nën regjimin e një kryeministri që “përlotet”, kur kalon kufirin mes shqiptarëve, por që lezetohet, kur serbët bëjnë ligjin me paratë e shqiptarëve në Tiranë. Deri dhe raketa krahu kemi blerë nga Serbia me paratë e qytetarëve shqiptarë në janar të vitit 2007, pa na u dashur, dhe druaj se ia kemi shitur Hezbollahut.

A jeni ankuar për këto sulme edhe në organizatat dhe komunitetet ndërkombëtare të gazetarëve në vende të ndryshme të globit?

Jo, nuk jam ankuar, por reagime ka pasur nga vetë ato. Ka pasur një solidaritet që shpesh më bën të ndjehem keq për vendin tim. Jam i vetëdijshëm se problemet e mia e kanë vonuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe kjo s’më bën të ndihem mirë. Por kjo nuk është përgjegjësia ime. Është më mirë të vonohemi dhe të hyjmë si evropianë në Evropë se sa t’i gënjejmë dhe të na mbajnë te dera për vite të tëra në “karantinë” për t’u dezinfektuar.

Z. Baze, ju keni një mosmarrëveshje me qeverinë e Shqipërisë edhe lidhur me gazetën tuaj, “TemA”, a mund të na flisni më tepër për këtë çështje?

Nuk mund të quhet më mosmarrëveshje. Ka 11 muaj që gazeta është zbuar nga zyrat e saj dhe shtypshkronja mbahet e rrethuar me policë. Gazeta ka pasur një kontratë 20-vjeçare investimesh me koncesion, dhe ka qenë e detyruar të investonte brenda një viti 480 mijë euro. Ne arritëm ta bëjmë, ndërtuam një shtypshkronjë dhe ri-konstruktuam gjithë mjedisin e dhënë me koncesion për 20 vjet. Sapo përfunduam gjithçka, qeveria na bllokoi me policë dhe na zboi. Gjykata urdhëroi qeverinë të mos ndërhynte, por nuk e pyeti askush. Gazetarët mbetën rrugëve dhe morëm një zyrë private me qira, ndërsa shtypshkronja po kalbet brenda nën “vigjilencën” e policëve.

Qeveria shqiptare ka kërkuar largimin tuaj nga ajo pjesë. A mendoni se kjo kërkesë është bërë me qëllim për ta dëmtuar punën tuaj si botues?

Qeveria shpresonte të bllokonte botimin e gazetës dhe të shmangte burimin e financimit për mbijetesën e gazetës që ishte shtypshkronja. Realisht na dëmtoi shumë, thuajse na shkatërroi, por nuk na zhduku dot. Ne mbijetuam. Natyrisht, pakësuam faqet dhe stafin, jemi futur në detyrime të reja financiare, por ende botohemi. Dhe kjo na bën të ndihemi mirë.

Tashmë a është rregulluar kjo çështje edhe cila është rrugëdalja juaj?

Kjo çështje tashmë është në gjyq dhe do të vazhdojë të jetë në gjyq për disa vite. Presioni politik mbi gjykatat është i fortë, por ne nuk është se presim ndonjë rikthim aty. Duam thjesht të dëmshpërblehemi për dëmin e shkaktuar. Nuk besoj se do të marrim ndonjëherë qoftë dhe një euro, nëse vazhdon ky raport i gjyqësorit me politikën dhe kjo arrogancë e pushtetit politik ndaj tij. Po shpresojmë se tani kemi një axhendë evropiane si vend dhe Gjykata e Strasburgut është një shpresë.

Sa është e rrezikshme gazetaria investigative në Shqipëri?

Është e rrezikshme si në çdo shoqëri para-demokratike. Problem i madh është se askush nuk reagon për provat që publikon ligjërisht. Prokuroria nuk të ndjek për të verifikuar faktet dhe qeveria injoron reagimin. Kjo e kalon gjithë punën tënde si gazetar në informalitet dhe pastaj ndeshesh me vetëgjyqësinë e banditëve të tillë si ai që m’u shfaq një natë në një tavolinë ku isha bashkë me dy kolegët e mi. Kjo e bën të rrezikshme punën tonë, pasi në njëfarë mënyre qeveria përpiqet të na hedhë si një copë mishi në nofullat e mafies.

Tani që po shkruaj, në faqe të parë të gazetës kam botuar një skandal të ri të Damir Fazlliçit. Këtë javë ka shitur një kompani të falimentuar në Shqipëri, 1.3 milionë euro te një serb i Beogradit. Kompania madje është pa aktivitet dhe me borxhe në tatime në Shqipëri. Është pastrim i pastër parash dhe një mënyrë si paratë qarkullojnë në informalitet nga Tirana në Beograd. Dikush duhet të dalë e ta ndalë këtë gjë. Unë thjesht e botoj dhe mund të kem pasoja fizike, por Shqipëria po rrënohet dhe po poshtërohet, pasi tashmë pushtetin e saj e kanë kapur segmentet më të kualifikuara të ish-mafies jugosllave dhe Kamorrës që po investon fabrikat e çimentos në Shqipëri.

Cila mendoni se është gjendja e gazetarëve në Shqipëri?

Gazetaria është në gjendje të keqe, kurse gazetarët jo dhe aq keq. Gazetaria është në gjendje të keqe, pasi ka shumë pak autorë me autoritet që kanë një integritet publik dhe thellohen pas asaj që ndodh. Një rrezik i madh në gazetarinë shqiptare po bëhet ushtria e madhe e reporterëve të rinj, të cilët për shkak të një gazetarie konformiste që po kultivohet, po edukohen të mos kuptojnë se çfarë ndodh, por vetëm të dëgjojnë se çfarë thuhet dhe të bëhen thjesht korrierë robotikë të lajmit. Kjo po na fut në një sistem të sofistikuar të manipulimit përmes zëdhënësve të marrëdhënieve me publikun dhe po shmang gazetarët nga informacioni autentik, dhe shkuarja te burimi. Nga ana tjetër, kur them se gazetarët nuk janë në gjendje dhe aq të keqe, kam parasysh se po kultivohet dhe një racë gazetarësh “aristokratë”, që paguhen shtrenjtë, dhe ata po bëhen frymëzues të gazetarisë së shërbimit.

Dita e tyre nis me shqetësimin se si do të kënaqej më shumë kryeministri sonte dhe si e ka pritur ai emisionin e djeshëm. Duke bërë një gazetari protokolli, duke e përdor prezencën në studio të Sali Berishës për biznese të nesërmen e daljes së tij, duke krijuar legjenda për bisedat pas emisionit kokë më kokë me kryeministrin, në të vërtetë prodhohet një trafik i tërë interesash që pasurojnë deri në milionerë disa figura groteske të gazetarisë konformiste dhe prodhojnë model të rremë për gazetarët e rinj. Kam frikë se disa shenja të kësaj gazetarie mitomane dhe konformiste po shfaqen dhe te gazetarë ende të rinj në Kosovë.

Sa mund të respektohet liria e shprehjes atje?

Këtu ekziston një sistem pluralist demokratik, që ti mund të thuash të vërtetat e tua, por jo kudo, dhe jo pa çmim. Në këtë mënyrë mund të thuhet se ne kemi të drejtë të flasim e të shkruajmë, por shumë pak respektohet ajo që ti thua. Dhe shpeshherë mungesa e respektit dëshmohet dhe me dhunë, fizike ose institucionale.

Z. Baze, sipas mendimit tuaj, sa është në hap gazetaria në Shqipëri në krahasim me vendet e rajonit?

Mendoj se jemi vendi i fundit i rajonit sa i përket shtypit të shkruar. Edhe Kosova e ka shumë më të mirë gazetarinë e shkruar se ne. Kemi ecur përpara në infrastrukturën televizive, por jo në gazetarinë televizive. Ne kemi televizione të forta dhe paketa dixhitale konkurrente si DigitAlb apo Tring, kemi televizione të mirorganizuara si Top Channel, Vizion Plus ose Klan, kemi show të mirë dhe shpeshherë dhe spektakle të mira, por kemi pak gazetari televizive. Ajo është ende në hapat e para të saj. Kemi shumë protokoll dhe shumë shërbime politike në lajme, aq sa dhe nga renditja e lajmeve e kupton se çfarë nuk do që të thuash për ato që kanë ndodhur gjatë ditës. Është pozitiv fakti që një investitor i huaj, siç është “WAZ Group” nga Gjermania, ka hyrë tani si pronar i Vizion Plusit dhe kjo mund të rrisë distancën e medies nga politika nën shembullin e një gazetarie perëndimore.

Cili është mendimi juaj për gazetarinë tashmë në shtetin më të ri, në Republikën e Kosovës?

Unë jam vetë një gazetar “i vjetër” i Kosovës dhe kam marrëdhënie thuajse personale me gazetarët e njohur në Kosovë. Vazhdoj të ruaj mendimin se shtypi i shkruar në Kosovë është më i mirë se shtypi i shkruar në Shqipëri, kurse media televizive është pak më mbrapa. Arsyeja nuk është se në Kosovë nuk ka vlera, por se media televizive do investitorë të mëdhenj, dhe vetëm një shoqëri si ajo e Shqipërisë, ku politika dhe biznesi i medies u bënë një, mund të prodhonte pará për medie të tilla gjigante, siç janë krijuar atje. Shpresoj që ju të ecni ngadalë, por fatmirësisht jo nën shembullin tonë, jo nën “frymëzimin” tonë.